Të fitosh betejën me duhanin

anazapta

Të sfidosh një varësi të cilën e ke kultivuar prej vitesh, mund të konsiderohet një mision i dështuar nga shumë, e nëse objekt i sfidës është lënia e duhanit, misioni bëhet edhe më i vështirë. Por në Itali një program televiziv është shndërruar në mjetin më efektiv për duhanpirësit e regjur 

“Unë e lë kur të dua”, por pastaj “po e lashë do të shëndoshem” dhe “nga diçka do të vdesim një ditë”. Këto janë justifikimet të cilat i përdorin zakonisht duhanpirësit që nuk arrijnë të heqin dorë nga cigaret megjithëse dihen botërisht dëmet shëndetësore të tij. “Nesër e lë” është edhe titulli i një programi televiziv në Itali, ku për herë të parë dokumentohet se në çfarë gjendje mund të arrijë një njeri për një cigare të vetme. Për shembull, të ecë në rrugë me një tabelë ku shkruhet “më fyej”, ose të ndjekë një dre për të marrë cigaren që ai ka të lidhur në qafë. Në fund të çdo prove, bëhet praktikisht e pashmangshme pyetja: “Ia vlen vërtet?”.

Kushdo mund të çlirohet nga varësia dhe e para që e provoi, ishte vetë drejtuesja e programit, Elena di Çoço: “Jo, nuk ia vlen aspak. Pija cigare që kur isha 13 vjeçe dhe e kam lënë pak muaj më parë, në moshën 38-vjeçare. Kur autorët më folën mbi këtë ide, desha ta testoja vetë më parë. Ishte e vështirë, por që nga shtatori i kaluar nuk kam prekur më asnjë cigare. Tani ndihem vërtet më mirë: lëkurën e kam më të shndritshme, kam rifilluar të ndjej më shumë shijet dhe të nuhas më mirë, nuk kutërboj erë duhan, fryma ime është e freskët, dhëmbët i kam të bardhë dhe më duket sikur kam më shumë energji në trup”, thotë me krenari ajo.

“Për të ndërprerë duhanpirjen duhet një motivim serioz. Lojërat dhe testet që ne propozojmë synojnë të çmontojnë idenë se është thuajse e pamundur të braktisësh varësinë, në realitet të gjithë mund t’ia dalin. Në rastin tim qe vendimtare shija e sfidës”.

Sigurisht që pas shumë vitesh, ndonjë shqetësim edhe ka pasur: “Pak kohë pasi e lashë, nervozohesha shpejt dhe u shëndosha me 5-6 kg. Por i them kujtdo që nuk e lë duhanin për këto arsye, e sidomos grave, që të mos verbohet. E para, sepse nuk është një krim i ndëshkueshëm me ligji shëndoshja dhe pastaj sepse ato kile hiqen lehtësisht, unë i kam hequr që tani”.

Programi do të përfundojë më 31 maj, në Ditën Botërore të Duhanit e caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.  Përgatiti: Dorina Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *