Mbase vajza juaj duke treguar vëllanë e saj duke u larë, do t’ju pyesë “Mami çfarë është kjo që ka vëllai?”. Shumë prindër nuk janë ende gati kur një gjë e tillë ndodh dhe të gjendur ngushtë, shpesh u bërtasin, i thonë “turp” apo “mos ta dëgjoj më këtë fjalë”, të tjerë madje u japin edhe një shuplakë duke thënë me vete “Ç’na gjeti…”.
Por ju mund të filloni të përgatiteni. Ju duhet të filloni të mendoni se si do t’u përgjigjeni pyetjeve që fëmijët tuaj.
Të flasësh mbi seksualitetin nuk është diçka e turpshme, as e pamundur; sigurisht është e vështirë, por është shumë e nevojshme dhe e dobishme për zhvillimin e fëmijës tuaj.
Më poshtë do të gjeni disa sugjerime të cilat mund t’ju ndihmojnë në këtë detyrë të vështirë, por edhe të bukur: “t’i mësoni fëmijës tuaj krijimin, identitetin dhe zhvillimin”.
Shfrytëzoni çdo mundësi të përditshme për të folur me fëmijën tuaj. Ndoshta ju keni një mike shtatzënë. Kjo gjë ju jep mundësinë për të diskutuar mbi faktin se si lindin fëmijët. Mbase ju jeni duke mësuar djalin tuaj të shkojë në tualet. Kjo është koha më e përshtatshme për t’i mësuar atij fjalën e duhur për organin e tij gjenital. Ju mund të jeni duke ndërruar pampersin e vajzës suaj të vogël ndërkohë që djali juaj po ju ndihmon. Ka shumë mundësi që ai i çuditur t’ju pyesë ku është penisi i vajzës. Atëherë ju mund t’i shpjegoni atij se e motra është vajzë, ndaj nuk ka penis.
Përdorni fjalor të thjeshtë. Kur fëmijët pyesin, mendoni për moshën e fëmijës: përgjigjuni me fjali të shkurtra dhe me fjalë që fëmija mund t’i kuptojë. Përpiquni gjithmonë t’u përgjigjeni thjesht dhe sinqerisht pyetjeve të fëmijëve. Kjo gjë u lejon atyre të kuptojnë se duke bërë pyetje, mëson.
Përdorni fjalët e duhura. Ndodh që kur fëmijët ju pyesin për organet e tyre gjenitale, prindërit nuk dinë nëse të përdorin termin shkencor apo termin popullor apo ndonjë term-metaforë. Përdorni termin që ju gjykoni të drejtë, por përdorni fjalët e sakta për pjesët e trupit të fëmijës. Përpiquni të shmangni fjalët fyese ose qesharake, të cilat do ta vinin në siklet djalin apo vajzën tuaj të vogël ose të cilat do të bënin konfuzë njerëzit e tjerë. Kini parasysh: fëmijët mund të turpërohen nëse të tjerët qeshin apo nuk i kuptojnë. Ju mund të mendoni se fëmijët nuk kanë nevojë të flasin për gjëra të tilla jashtë familjes, por mos harroni fëmijët kanë nevojë të thonë fjalët e duhura tek mjeku, ata do të flasin me bashkëmoshatarët apo mësuesit në kopsht dhe shkollë.
Mos i bëni tragjike pyetjet e fëmijëve. Përpiquni të mos habiteni apo të shokoheni nga pyetjet e tyre. Kjo gjë mund t’u lërë atyre të kuptojnë se është diçka e gabuar të flasësh mbi seksin, çka mund t’i bëjë ata të pyesin njerëz të tjerë, ndoshta bashkëmoshatarët që s’dinë shumë apo që japin informacion të gabuar, gjë që mund t’u sjellë vështirësi kur të rriten.
Flisni me fëmijët tuaj për seksin që kur ata janë të vegjël. Vetëm kështu ata do të mund të flasin me ju për seksin dhe ndjenjat e tyre kur të rriten (adoleshentë).
Flisni mbi trupin, por edhe mbi ndjenjat. Fëmijët mund të pyesin se si lindin bebet. Ju mund t’u tregoni se ku rritet fetusi. Flisni se si rritet dashuria midis burrit dhe gruas. Flisni mbi dashurinë dhe kujdesin për njëri-tjetrin. Fëmijët kanë nevojë të mësojnë se seksi nuk lidhet thjesht me trupin (fizikun).
Ndihmojini fëmijët të ndjehen mirë me trupin e tyre. Nuk ka pjesë “të mira” apo “të këqija” në trupin e tyre. Mos i quani disa pjesë të trupit “të pista” apo “të neveritshme”. Ndihmojini fëmijët të kujdesen për trupin e tyre, duke kuptuar rëndësinë e organeve të tyre gjenitale – burim jete dhe kënaqësie.
Flisni mbi respektin e jetës private. Duhet të jeni të mirëkuptueshëm, por fëmijët kanë nevojë të mësojnë edhe kufijtë. Ata kanë nevojë të mësojnë se kur mund të qëndrojnë lakuriq dhe kur duhet të përdorin veshje. Mësojuni atyre se mund të qëndrosh lakuriq në banjë, por duhet të vishen kur shkojnë në shkollë apo në dyqan. Ndodh shpesh që fëmijët të prekin veten dhe të ndjehen mirë. Mos u skandalizoni, por mësojuni atyre se kjo është diçka që ata mund ta bëjnë kur të jenë vetëm. Përpiquni të gjeni kohë të përshtatshme dhe të natyrshme për të folur mbi këto rregulla.
Flisni për lloje të ndryshme prekjesh. Fëmijët mësojnë se është mirë të japësh e marrësh përqafime midis njerëzve që na duan dhe duam. Prindërit, edukatorët dhe mjekët i prekin fëmijët për t’u kujdesur për ta. Por nuk është mirë që dikush të prekë fëmijën duke e bërë atë të ndihet jo rehat. Fëmijët duhet të mësojnë se mund t’u thonë të tjerëve të ndalojnë, nëse prekja nuk u pëlqen. Ata duhet t’i tregojnë prindërve nëse një gjë e pakëndshme ndodh.
Flisni me fëmijët mbi ato që besoni dhe vlerësoni si të rëndësishme. Fëmijët i mësojnë vlerat herët në jetë. Flisni me ta mbi mënyrat si meshkujt dhe femrat duhet të sillen me njëri-tjetrin. Ndani idetë tuaja me fëmijët, por gjithashtu i inkurajoni dhe lejoni ata të kenë idetë e tyre.
Nëse ndjeheni vetëm, kërkoni ndihmë. Edukatorët, mësuesit e fëmijës, psikologu i kopshtit ose shkollës apo pediatri, mjeku i familjes mund t’ju japë disa këshilla. Kërkoni libra me ilustrime për fëmijë ose me këshilla për prindërit. Por bëni kujdes; fëmijët tuaj mund të kenë edhe pyetje të tjera mbi seksualitetin, përgjigjet e të cilave nuk gjenden nëpër libra. Përgatituni t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve. Kurajo 🙂
Znjushe Berzani une jam plotesisht dakort me keshillat e domosdoshme mbi organet seksuale e per te edukuar femijet pasi eshte nevoje do te deshiroja qe per organin mashkullor psh.ti thuhet femijeve n.q.se pyesin duhet dhene pergjigjia me nje term popullor. psh.ky eshte Saliu,ndersa per ate femeror duhet te thuhet kjo eshte Xhozi.Besoj se femijet do e kuptojne pa ndrojtje se perse behet fjale.