Është nevoja që këtij të marri t’i përgjigjemi me të njëjtën gjuhë?
E di që është një ndotje e madhe estetike, e di që është një kutërbim i madh të merresh me këtë gjuhë me të, por është më mirë një betejë përfundimtare me këtë gojëndyrë, se sa një histori e stërzgjatur ku njëri ndyn dhe tjetri fshin
Sali Berisha rrëfeu javën e kaluar për herë të parë para gazetarëve për gjyshin e tij. Tha se ka pasur pasion armët dhe ka pasur një koleksion armësh në shtëpinë e tij. Ishte befasi pasi është hera e parë që ndodh kjo. Ky njeri, që ka 22 vjet që flet për çdo njeri që i del përpara duke i përmendur gjyshër e gjyshe, nënë e babë, grua e motër, djalë e vajzë, për vete është betuar se nuk do të flasë kurrë.
Pafuqia e tij për të shkruar historinë e jetës së vet nuk vjen nga fakti se nuk di të shkruajë, por nga raporti i frikshëm që ai ka me të vërtetën. Të ulesh para një libri të pashkruar dhe të sajosh gjithë historinë e jetës tënde për tua lënë të tjerëve jo ashtu siç është, por ashtu si Berisha do të donte të ishte, është një mision i pamundur. Për këtë arsye ai nuk flet kurrë për asnjë detaj të jetës së tij. Nuk flet për babain e tij, për nënën e tij, për vëllain e tij, për fëmijërinë e tij, për raportet me prindërit apo motrën, për gjëra njerëzore për tu bërë njeri i prekshëm si të gjithë. E ke shumë të vështirë të kuptosh ku është rritur, ku e ka kaluar adoleshencën dhe si është shkolluar. Edhe kur bën autointervista të gjata, referencat e tij për jetën e vet janë vetëm politike. Ai flet vetëm si u bë komunist dhe antikomunist, por jo për jetën dhe familjen e tij. Nuk ka asnjë rrëfim si i ka vdekur nëna, a ka qenë në varrimin e saj, si i ka vdekur babai, sa herë në vit i vizitonte para vdekjes, pse e ka braktisur vendlindjen e vet apo detaje të tjera që janë thelbësore për një njeri politik. Nuk e kemi parë kurrë të shkojë tek varri i nënës apo babait, biles kam frikë se po të shkojë nuk i gjen dot më, pasi ka së paku 22 vjet që nuk u ka vënë njeri lule tek varri.
Ndaj dukej se rrëfimi i tij kishte tjetër shkak. Nuk synonte biografinë e tij, por donte të bënte biografinë e një prej gjyshërve të Edi Ramës, që paska qenë shofer i Ahmet Zogut. Pra qartazi nuk është se donte të fliste për familjen e tij, por të theksonte faktin se kundërshtari i tij ka një lidhje me monarkinë, e cila po e mundon aq shumë këtë nëntor, sa as Ahmet Zogun nuk e ka munduar kur e ka bërë.
Tek asnjë personazh i politikës apo jetës publike në këtë vend nuk bashkohen në një të vetme, siç bashkohen tek Sali Berisha, dëshira për të folur në detaje për të tjerët, sidomos kundërshtarët, duke u përmendur dhe brekët dhe krevatin e tyre dhe për të mos folur për nënën, babanë, motrën, vëllain, varrin dhe jetën e tyre, dhe lidhjet e tij me ta.
Ky dubël personalitet dhe kompleks ndaj jetës së tij të vërtetë, jetës pa komunistë dhe antikomunistë të rremë, jetës familjare, traditës dhe zakoneve shpeshherë të mahnitshme të Malësisë, është një tregues i fortë i asaj se sa i pavërtetë është ky njeri. Asnjë herë nuk ka shkelur këto 22 vjet në kullën ku është lindur e rritur, a thua sikur do t’i ngjallet ndonjë makth dhe do t’i kujtojë diçka që do ta harrojë. Asnjëherë nuk ka folur në publik për babanë e tij, ndërkohë që përmend përditë babanë e kundërshtarit të tij, a thua se e njeh më mirë se babën e vet.
Ka shkëmbyer letra dhe polemika publike me Aneta Ramën, nënën e kundërshtarit të vet, ka shkuar gjyqeve me të dhe ia ka përplasur dyert e gjykatave në fytyrë, por kurrë nuk ka folur për nënën e vet, si ka jetuar larg saj dhe a ka qenë e rastësishme apo e detyruar mos shkuarja e tij në shtëpi, çfarë e bën aq të ftohtë dhe hermetik raportin e tij me nënën e vet, ndërkohë që di gjithë emrat e nënave të kritikëve të tij, të cilat natyrisht për të janë të gjitha kurva.
Ky njeri që di ku fle grua e Dash Pezës dhe me kë fle Dash Peza (ndjesë Pezës për citimin), ky njeri që di çka bërë Ilir Gjoni me gruan dhe ç’bën Edi Rama me gratë e tij, nuk flet kurrë për gruan e tij, për raportet e saj me dajat në Serbi, për mbijetesën e nënës së saj si dëshmitare në gjyqet ndaj grave jugosllave dhe si i ka mbijetuar ajo në një anë presionit si vajzë e një serbeje në Tiranë dhe në anën tjetër përkrahjes së Xhelil Gjonit apo ndonjë udhëheqësi tjetër komunist për karrierën e saj. Dhe mbi të gjitha si ka mundur Sali Berisha me një vjehrrë serbe krenare, me farefis të saj në administratën e lartë të Jugosllavisë, të ishte i besuar i regjimit për tu nxjerrë në Francë apo qoftë dhe për t’i mbajtur oturakun Hysni Kapos në Paris dhe Tiranë.
Ky njeri kaq i lidhur me fëmijët e tij, të cilët sot janë pronarët realë të Shqipërisë, që shesin e blejnë në emër të pushtetit, ky njeri që ka kult raportet e udhëheqësve politikë me fëmijët, aq sa u dashurua pas fëmijëve të Enver Hoxhës dhe kalonte çdo fundjavë me ta, herë si varkar e herë si ndezës zjarri në oxhak, ky njeri nuk flet për raportet e tij si fëmijë i Ramës dhe Sheqeres, dy njerëz të thjeshtë nga një fshat i Tropojës. Dhe e fsheh këtë histori si kryeministër i Shqipërisë.
Ky njeri që flet për motrën e Taulant Ballës, që “e di me saktësi” që është “lavire” (ndjesë të thellë Taulantit dhe motrës për citimin), nuk flet kurrë për motrën e tij, për raportin që ka pasur me të dhe jetën e pastajme të tij si njeri i larguar nga shtëpia.
Ky njeri “që njeh” çdo grua që takon Edi Rama në rrugë, që flet për çdo fermer që e viziton shefi i opozitës, që lakon çdo biznesmen që ankohet tek opozita për politikat e tij, duke u kujtuar kush janë, sa lekë kanë, si i kanë fituar e ç’do t’i gjejë pas kësaj, nuk flet asgjë për bizneset e dy fëmijëve të tij, të cilët janë zyrtarisht të papunë dhe po zyrtarisht njerëz që fitojnë miliona pa llogaritur qindrafishin e atyre që nuk deklarojnë.
Ky njeri, që i sulmon kundërshtarët e vet me të njëjtin sistem si regjimi komunist, duke u gjurmuar ku kanë kushërinj, të afërm apo farefis në punë a biznes, duke u shkatërruar jetën, nuk flet kurrë për rrjetin e tij nepotik në pushtet, për nipat e mbesat, dhëndurët dhe nuset e farefisit të vet, që drejtojnë aktualisht Shqipërinë.
Dhe nuk është vetëm faji i tij që nuk flet. Është mbi të gjitha faji jonë që nuk e detyrojmë të flasë gjithë ditën dhe të sqarojë historinë e tij të errët njerëzore dhe familjare dhe historinë kriminale të qeverisjes. Është nevoja që këtij të marri t’i përgjigjemi me të njëjtën gjuhë. E di që është një ndotje e madhe estetike, e di që është një kutërbim i madh të merresh me këtë gjuhë me të, por është më mirë një betejë përfundimtare me këtë gojëndyrë, se sa një histori e stërzgjatur ku njëri ndyn dhe tjetri fshin. Në një shtëpi kutërbimi është njësoj edhe kur ndyn vetëm njëri në mes të shtëpisë. Ndaj nuk kemi çfarë humbasim.
Meqë nisi të tregojë për një nga gjyshërit e tij, le ta përdorim këtë rast për të filluar tu tregojmë shqiptarëve me gjuhën dhe stilin e tij kush është dhe nga vjen Sali Berisha. Dhe nuk besoj se ka gënjyer kur tha se një nga gjyshërit e tij kishte pasion armët. Fakti që dhe djali merret me armë dhe fishekë e bën të besueshëm.