Në fshatin e Fanit të Vogël të Mirditës lindi mjeshtri popullor Mark Përshqefa, titull i dhënë jo nga institucionet shtetërore, por nga vetë populli. Mark Përshqefa trashëgoi nga i ati i tij artin e të punuarit me dorë, por ai nuk u ndal aty. Marku ka arritur të bëjë për herë të parë temperimin e çiftelisë që quhet çifteli kromatike (tastiera e ndarë në nota). Falë bashkëpunimit të tij në vitin 1965 me studiuesin e madh të organografisë Prof. Dr. Pirro Misha, u formua orkestra Ansamblit Popullor të shtetit shqiptar, e cila përbëhej nga 32 instrumente, nga primi te kontrabasi. Pas këtij suksesi erdhi dhe transferimi i Mark Përshqefës në Tiranë. Në vitin 1968 “Mjeshtri Madh” hapi një linjë prodhimi ku u punësuan 35 punëtorë. Tre vjet më pas fillon punë i biri Zef Përshqefa në prodhimin e instrumenteve. Në vitin ‘91 ndërmarrja mbyllet dhe Zefi e kthen në një biznes privat. Trashëgimtari i mjeshtrit na tregon çelësat e ndërtimit të veglave muzikore. Cilat janë materialet që përdoren në prodhimin e instrumenteve? “Kërkohen tri lloj drurësh ku veçohet panja e bardhë për prodhimin e kasës (kokës). Gjithashtu përdoret dru ahu dhe bredhi, të cilin vetëm sytë e një mjeshtri mund ta zgjedhin për suprinën (kapakun)”. Në shpinën e tij mbartet një trashëgimi e madhe. Na tregon se sa herë përmendet fjala çifteli, ndërmend duhet të na vijë Mark Përshqefa. “Qëllimi im kryesor është të bëjë një punë cilësore, instrumenta muzikore në vazhdimësi të babait tim, Mjeshtrit të Madh Markut”, thotë Zefi.
Artizanët drejt zhdukjes
Të paktë janë ata persona të cilët kanë fatin të trashëgojnë një profesion familjar. Një nga ata është edhe Zef Mark Përshqefa, i cili vazhdon dhe ndërton me duart e tij instrumente muzikore. Por Zefi është dhe një mësues i muzikës për shkak të arsimit që ka. Siç na tregon, ai vetë ka bërë dy profesione gjatë jetës së tij “Aktualisht merrem me porosi të ndryshme. Fal rrjetit social Facebook bëhet më i lehtë komunikimi me klientë të ndryshëm. Kam jetuar nga viti ‘71 deri ‘91 duke bërë dy profesione. Falë arsimit që kam, kam ushtruar jo profesionin e prodhuesit, por edhe të mësuesit. Kam qenë mësues muzike nga viti 1980 deri në 1990 në shkollën e mesme “Jordan Misja”. Po ashtu u kam dhënë mësim fëmijëve të lagjes numër Një te Qendra Kulturore e Fëmijëve”.
Emri çifteli duket se vjen nga fjalët çift dhe tel, për arsye se ky instrument ka vetëm dy tela. Ama Zef Mark Përshqefa nuk është veç një ndërtues profesionist i çiftelisë. Ai merret edhe me ndërtimin e kitarës, lahutës po ashtu edhe me instrumentin muzikor të sharkisë. Nuk mund të thuhet sa njerëz e vlerësojnë këtë art. Asnjë studim konkret nuk është kryer për këtë qëllim, por artizani ynë na tregon se cilët janë klientët e tij më të shpeshtë. “Të huajt, turistët që vijnë dhe vizitojnë vendin tonë, zgjedhin instrumentet muzikore shqiptare për t’i marrë me vete në shtëpitë e tyre si një kujtim nga vendi ynë. Shqiptarët e veriut, më së shumti ata të trevës së Kosovës, kryejnë porositë më të mëdha për sa u përket këtyre instrumenteve”. Prodhimi i instrumenteve muzikore të punuara me dorë është në rënie. Këtë e pohon dhe mbartësi i kësaj kulture kur shprehet se shkaqet mund të jenë të paditura, por dëmi që është shkaktuar është më shumë sesa thjesht ekonomik.
Në punishten e artizanit
Zef Mark Përshqefa nuk ndalet së ndërtuari instrumente muzikore. Në fakt ky është qëllimi i tij. Puna e tij fillon duke zgjedhur me kujdes drunjtë të cilët do të përdorë. Ai u jep formë atyre duke i kthyer në një vegël muzikore. “Është një kënaqësi tepër e veçantë, por edhe emocion i papërshkrueshëm të luash një instrument muzikor të cilit i ke dhënë jetë me duart e tua”. Teksa qëndron i ulur në punishten e tij, me një kitarë në dorë na tregon “kleçkat e zanatit” dhe ne aty kuptojmë se jo çdokush mund ta realizojë këtë lloj arti. “Kërkon një eksperiencë të madhe. Disiplina dhe talenti janë pika kryesore, por faktori që nuk duhet lënë pa përmendur është pasioni. Në rast se bëjmë diçka pa dozën e caktuar të pasionit, puna kthehet në diçka mekanike”. “Këshilla ime për të rinjtë është që të punojnë me pasion në çdo gjë që bëjnë. Si rrjedhojë rezultati i punës do jetë më i mirë dhe ata do jenë më të kënaqur në fund”. Me keqardhje shprehet se artizanët janë drejt zhdukjes, por ai vetë si artizan i vjetër tanimë, por edhe si artist, na tregon se gjëja e fundit që do të bëjë është lëshimi i çiftelisë nga dora, me shpresën që arti të vazhdojë të jetojë dhe veglat muzikore që mbajnë firmën “Zef Mark Përshqefa” të luhen nga çdokush.

me vine ndermend tingujt e mrekullueshem te valles se tropojes. pa cifteline dhe gdhlendesit e saj nuk kane jete krijime muzikore te hatashme. me magjepsin instrumentat popullor qe prodhohen nga duart dhe zemrat e ngrohta njerzore.
Te lumshin duart! Sikur gazetari te kishte shenuar edhe cmimet e instrumenteve,qe prodhon Zefi,se ndoshta mund te porosisim!
Te lumte qe e ruan me fanatizem trashegimin familjar te istrumetave popullor
qe vete shteti ndoshta se di qe kane egzistuar,jo me Mark Pershqefa
Urime. Urime
Sh. falenderim e mirenjohje per te gj.miqte qe kane komentuar ne shkrimin e gazetes Dita!
MARK PERSHEQEFA KA QENE NJE MJESHTER I MADH I CIFTELIVE, ME PAS FILLOI DHE ZEFI QE PUNON DHE SOT ME NJE TALENT TE RRADHE. BABAIT TIM MARKU JA PUNOI CIFTELINE DHE SHARKINE PER SHUME VITE ME RRALLE.
I lumshin duart e arta ZEFIT,por si ky burre kemi edhe shume mjeshtera te tjere qe per fat te keq jane anonime, sepse kujdesi nga ata qe e kane per detyre eshte ZERO.
A nuk duhen filmuar e propoganduar per tju ngritur PERMENDORE ketyre njerezve (ne kuptimin e mire te fjales si Yjet ne bulevard ne Amerike).qe ne gjallje te tyre dhe qe edhe blresit te kene ku te drejtohen nga e gjithe bota?????
Respekt per Mark Pershqefen nje artist i madh, une kam pas nderin te luaj ne instrumentat e bere nga dora e tije. Kan kaluar kohe dhe une sot e kesaj dite nuk gjej nje instrument perfekt ashtu siç i nxirrte dora e tije, nuk mund te gjeje asnje stonature ne perdet e vendosura prej tije.
Sot shoh kudo neper dyqane qe shiten cifteli sharki dhe ne te shumten e rasteve ato jane veç figurative nuk tregohet rendesi ne vendosjen e perdeve ures (kalit) eshte kthyer ne biznes,
Per çmimin as qe behet fjale ndryshon sipas paraqitjes se personit, Ka shume kohe qe jam larguar nga shqiperia dhe kthehem vetem 10 dite ne vit, A ka mundesi qe te na jepni nje adrese te Zef Pershqefes ku mund ta gjejme dyqanin e veglave sepse dua ta zgjedh vete kuptohet une nuk e dua vetem per ta varur ne mur sepse i perdor vete jane instrumentet e mija por edhe na tregoni çmimin se sa varjojne te pakten edhe te ilustruara me foto.
Respekt nga Artan Maci -IT-