Vijon nga dje: Sot për sot demokracia mbetet ideal i ëndërruar i popullit shqiptar. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu për shumë arsye. Shqipëria sot sundohet prej një kaste politike, që ka rikthyer autoritarizmin partiak, të zbatuar posaçërisht egër prej kryeministrit Sali Berisha. Kjo kastë politikë i ka bërë interesat e saj, të familjarëve, të miqve, të tellallëve propagandistikë qëllim themelor të sundimit të saj. Për herë të parë në historinë afër njëqindvjeçare të shtetit shqiptar, pushtetarët nuk mendojnë sa do t’i japin Shqipërisë, por sa do të zhvatin prej saj. Shqipëria shtetërore, prej fillimeve të Rilindjen Kombëtare ideali i shumë brezave, shumë prej të cilëve kanë dhënë jetën dhe pasurinë për të, nuk është ideali i kësaj kaste po plaçka e saj! Shqipëria sot është shtet i padrejtësive të mëdha. Duhet të shikohet vetëm lista e vetjeve që përbëjnë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diplomacinë për t’u bindur se deri në ç’shkallë është privatizuar shteti shqiptar, deri në ç’shkallë nepotizmi është bërë politikë përjashtuese e kësaj politike me pamëri tmerrshëm të rrudhur, deri në ç’shkallë Ministria e Jashtme dhe Diplomacia janë bërë ministri dhe diplomaci familjare, klanore, partiake! Kot dija, kot dhuntia, kot mençuria, kot aftësia, kot fakultetet e të rinjve dhe të rejave shqiptare: politika e jashtme e Shqipërisë do të bëhet dhe dinjiteti kombëtar shtetëror i Shqipërisë në botë do të përfaqësohet, në të vërtetë do të topallizohet, në masë të madhe, prej bijve e bijave të kastës politike, prej vëllezërve, motrave, dhëndurëve, nuseve, kushërinjve të parë e të dytë, dajave e nipave të kastës politike dhe propagandistëve të saj në mediat!
Pse jo?
Ideja qendrore e politikës së kësaj klase politike gjithçkabërëse është thellësisht joetike.
Kush nuk vëren se me politikën e saj në jetën kombëtare janë shtuar palejueshëm, padurueshëm shumë: banaliteti, primitivizmi, rrugaçëria, mashtrimi, gënjeshtra, gënjeshtra, gënjeshtra, intrigat, skandalet, fyerjet, kërcënimet, dhuna e ushtruar me gojë e me dorë e me armë!
Lëndë e jashtëzakonshme, historike, për dramaturgët, prozatorët, skenaristët, regjisorët, që nuk do të shpërblejë regjimi sot por do të shpërblejë historia nesër. E, sidomos, për prokurorinë e përgjithshme sot.
Kush nuk vëren dhe kush nuk dëgjon se kasta e sotme politike, partiake-pushtetore, e drejtuar prej kryeministrit Sali Berisha, ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë, kështu, para syve të popullit shqiptar dhe para syve të opinionit botëror ndotësi tepër të mëdha dhe shkatërruese në jetën kombëtare. Jo vetëm me korrupsionin e saj të gjithanshëm, jo vetëm me politikën e saj të konfliktit, në të cilën zotëron fyerja, poshtërimi, gënjeshtra, kërcënimi, frikësimi, dhuna, vrasja, si mjete për mbajtjen e pushtetit, po e dëmton rëndë përbashkësinë kombëtare!
Të dhënat e këtilla, që përbëjnë vetëm një pjesë të të dhënave që e tregojnë karakterin autoritar, despotik të regjimit të Sali Berishës, i shtrojnë popullit shqiptar pyetjen: do të çlirohet prej gjedhes pushtetore autoritare, despotike, prej së cilës ishte çliruar njëherë – në vitin 1997 dhe prej zbatuesit despotik të saj, prej të cilit ishte çliruar atë vit apo do të pajtohet me atë gjedhe sundimi dhe me atë tip sunduesi, duke mbetur kështu e shikuar me çudi dhe, sigurisht, me mosnderim prej vendeve demokratike në botë?
Nuk ka dyshim se çlirimi prej kësaj gjedhe pushtetore dhe prej protagonistit të saj do të ndodhë vetvetiu, natyrshëm, pas dy a tre a pesë a gjashtë vjetësh, por vetëdija shtetërore, dinjiteti dhe nderi shtetëror i Shqipërisë, kërkojnë që ky çlirim të ndodhë me dëshirën e popullit, me kërkesën e popullit – të vetmit sovran në çdo shtet. Domethënë: të ndodhë jo duke pritur pleqërinë, tashmë të dukshme, të protagonistit të kësaj gjedheje, por duke e larguar prej pushtetit me zgjedhje të parakohshme e, në qoftë se ato në asnjë mënyrë nuk pranohen prej tij dhe pretorianëve të tij partiakë, atëherë me lëvizje popullore, në të cilën rol të veçantë do të duhej të kishte lëvizja e studentëve.
Fatkeqësisht, numër i madh i intelektualëve dhe qytetarëve të tjerë sillen si popull çfarë vetëm mund të dëshirojë një regjim i tillë: si popull i dëgjueshëm, pa mospajtim të shprehur jo vetëm me gojë por edhe me lëvizje popullore ndaj regjimit autokratik, pa mospajtim të shprehur, pra, pa të cilin nuk mund të mënjanohen regjimet e tilla autoritare, tiranike, despotike, a diktatoriale dhe nuk mund të vendoset e të mbahet demokracia.
Deri kur?
Fatkeqësisht, faktorët ndërkombëtarë vazhdojnë të sillen me mënjanëri (indiferencë) të pakuptueshme ndaj regjimit autoritar që sundon sot Shqipërinë, duke e ndërlikuar ashtu dhe duke e tejzgjatur ashtu krizën e përgjithshme shqiptare.
Deri kur?
MË E NEVERITSHME PËRKRAHJA
E AUTORITARIZMIT SE AUTORITARIZMI
Shqiptarët sot duhet ta pyesin njëri-tjetrin dhe duhet të pyesin secili vetveten: do të mbajë Shqipëria në pushtet si kryeministër njeriun i cili ka bërë që në institucionet e larta kombëtare – në Kuvendin dhe Qeverinë, që duhet të jenë njëkohësisht institucione formuese, edukuese, të dëgjohet gjuha fyese, poshtëruese, kërcënuese e rrugaçërisë me thika e boksa në xhepa, që fyen rëndë kulturën politike shqiptare?
Jo. Historia e mundimshme, aq shpesh tragjike, por e dinjitetshme, e obligon politikisht dhe moralisht popullin shqiptar që të mos lejojë që një njeri i tillë me vegulli aq fyese e aq kërcënuese të jetë kryeministër.
Do të mbajë Shqipëria në pushtet si kryeministër njeriun i cili figurën e institucionit më të lartë të drejtësisë e quan lavire bulevardesh?
Jo. Historia e mundimshme, aq shpesh tragjike, por e dinjitetshme, e obligon politikisht dhe moralisht popullin shqiptar që të mos lejojë që një njeri i tillë të jetë kryeministër dhe të fyejë ashtu institucionet e pavarura, nderin, dinjitetin dhe integritetin e zyrtarëve që punojnë në to!
Do të mbajë Shqipëria në pushtet, si kryeministër, njeriun, i cili figurën e parë politike të opozitës dhe familjen e tij e fyen me fjalët më të ndyta, të cilat është e turpshme të shkruhen në letër e lëre më të shqiptohen në Qeveri e në Kuvend?
Jo. Historia e mundimshme, aq shpesh tragjike, por e dinjitetshme, e obligon politikisht dhe moralisht popullin shqiptar që të mos lejojë që një njeri i tillë të jetë kryeministër dhe të fyejë institucionet më të larta shtetërore, në të cilat flet aq poshtërueshëm ai!
Do të mbajë Shqipëria në pushtet, si kryeministër, njeriun i cili deputetin e zgjedhur prej popullit e fyen pikërisht në institucionin më të lartë shtetëror, duke iu kërcënuar se do t’ia bëjë fytyrën opingë dhe duke ia shpallur lavire motrat!
Jo. Historia e mundimshme, aq shpesh tragjike, por e dinjitetshme, e obligon politikisht dhe moralisht popullin shqiptar që të mos lejojë që një njeri i tillë të jetë kryeministër dhe të fyejë ashtu edhe institucionet më të larta shtetërore, në të cilat flet ai ashtu!
Do të mbajë Shqipëria në pushtet, si kryeministër, njeriun i cili vret protestuesit duke i shpallur banditë, kriminelë, narkomanë, kurse protestën e tyre e quan puç, në organizimin e të cilit kanë marrë pjesë edhe kryetari i shtetit, edhe prokurorja e përgjithshme, edhe shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror?
Jo. Historia e mundimshme, aq shpesh tragjike, por e dinjitetshme, e obligon politikisht dhe moralisht popullin shqiptar që të mos lejojë, që një njeri i tillë të jetë kryeministër dhe të fyejë ashtu nënshtetasit dhe institucionet e pavarura shtetërore!
Do të mbajë Shqipëria në pushtet, si kryeministër, njeriun i cili pa turp, hapur, para syve dhe veshëve të krejt popullit mbron qeveritarët e zënë në afera korruptive, i cili pa turp, hapur, rikthen në pushtet, në poste ministrore a poste drejtori, përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit dhe për afera të tjera korruptive?
Jo. Historia e mundimshme, aq shpesh tragjike, por e dinjitetshme, e obligon popullin shqiptar politikisht dhe moralisht që të mos lejojë që një njeri i tillë të jetë kryeministër dhe të luajë me jetën e njerëzve, të fëmijëve e të grave, duke fyer ashtu edhe kujtimin për viktimat e Gërdecit!
Do të mbajë Shqipëria në pushtet, si kryeministër, njeriun i cili me politikën e tij është bërë krijuesi kryesor i një gjendjeje shpirtërore të panjohur më parë në historinë kulturore dhe shpirtërore shqiptare: i një gjendjeje në të cilën janë të mbajtura shumë shkatërrime të vlerave shpirtërore e materiale kombëtare, shumë prishësi, pabesi, mashtrime, vjedhje, mënjanëri ndaj të keqes, ndaj të varfërve?
Jo. Historia e mundimshme, aq shpesh tragjike, por e dinjitetshme e obligon politikisht dhe moralisht popullin shqiptar që të mos lejojë që një njeri i tillë të jetë kryeministër dhe të tejzgjasë një gjendje e tillë, një zvetënim i tillë kurrë më parë i përjetuar në jetën tonë kombëtare.
Do të mbajë Shqipëria në pushtet, si kryeministër, njeriun, i cili shtetin juridik e ka kthyer në shtet privat, i cili ekonominë e tregut e ka kthyer në kapitalizëm fundamentalist plaçkitës për të cilin njeriu nuk është qëllim po mjet, i cili shoqërinë e hapur, pluraliste, e ka kthyer në shoqëri të përçarë?
Jo. Historia e mundimshme, aq shesh tragjike, por e dinjitetshme e obligon politikisht dhe moralisht popullin shqiptar që të mos lejojë që një njeri i tillë të jetë kryeministër dhe ta vazhdojë shpërbërjen dhe shfytyrimin e themeleve të demokracisë pluraliste.
Çka të thuhet në fund?
Të thuhet: sot ndodh ndotje e pashembullt e historisë politike shqiptare! Populli shqiptar, i cili me nder e dinjitet është mbajtur në histori, i cili për hir të nderit e dinjitetit nuk ka duruar pushtues të huaj as dhunëtarë të vet, nuk mund të pajtohet me këtë ndotje të pashembullt të historisë së tij.
Dhe, të shtohet: më e palejueshme, më e dënueshme, më e neveritshme se gjuha fyese, ndotëse, kërcënuese e kryeministrit, se sjellja e tij shpërfillësve, cenuese ndaj ligjit e Kushtetutës, se fyerja e të vrarëve, e të plagosurve në Gërdec dhe e familjarëve të tyre, se vrasja e protestuesve më 21 janar, se gjithë sjelljet e tij të pabaraspeshë politike, kulturore e etike prej se është në pushtet, më e palejueshme, më e dënueshme, më e neveritshme, pra, se të gjitha këto ndotje e dhunime ndaj vetjeve, shoqërisë e shtetit është pajtimi me atë gjuhë dhe me ato sjellje, është mbrojtja e asaj gjuhe dhe atyre sjelljeve të dhunshme dhe fyese për një popull historik dhe për shtetin e tij.
***************
Mendojeni historinë shqiptare prej se Shqipëria është bërë shtet! Mendojeni këtë histori duke qenë të liruar prej paragjykimeve politike, ideologjike, fetare dhe krahinore! Se, vetëm të liruar prej këtyre paragjykimeve prej të cilave, siç është parë shumë herë përpara dhe siç po shihet edhe sot, nuk lirohen lehtë, me dëshirë, arrivistët e etshëm pushtet dhe partizanët e tyre të mjetuar, të shpërblyer a të fanatizuar, mund ta mendoni drejt, objektivisht, domethënë ndershëm.
Në qoftë se e mendoni kështu, drejt, objektivisht, domethënë ndershëm historinë e re të Shqipërisë, prej se ajo është bërë shtet, do të bindeni se ndërrimi i rendeve pushtetore shqiptare deri sot gati të gjitha herat është bërë jo përmes zgjedhjeve të quajtura të lira, të ndershme, demokratike apo edhe as të lira, as të ndershme, as demokratike, po me lëvizje popullore, që ndonjëherë janë ndihmuar prej ndonjë shteti mik a armik i Shqipërisë.
Dhe, më tej: në qoftë se e mendoni kështu, drejt, objektivisht, domethënë ndershëm historinë e re të Shqipërisë, prej se ajo është bërë shtet, do të bindeni se jo procedurat e përcaktuara me Kushtetutën e shtetit, po lëvizjet popullore ishin fuqia që do ta lëvizë historinë e shtetit shqiptar, shumë më shpesh duke e çuar përpara sado ndonjëherë edhe duke e kthyer mbrapa.
Pse ka ndodhur kështu në historinë e shtetit shqiptar? Pse janë ndërruar kështu, me lëvizje popullore, rendet pushtetore në historinë e shtetit shqiptar?
Përgjigja në këto pyetje mund të jepet vetëm në fund të shkrimit mbasi të paraqiten disa të dhëna për arsyet pse në vend të procedurave të parapara me Kushtetutë për ndërrim rendi pushtetor janë organizuar lëvizjet popullore?
Sikundër mund të mësohet në historinë shqiptare, deri sot Shqipëria është çliruar pesë herë: dy herë është çliruar prej pushtuesve të huaj dhe tri herë prej tiranive, despotive dhe diktaturave, që kishin vendosur tiranët, despotët dhe diktatorët tanë.
Tani mbetet të shihet se si do të ndërrohet pushteti i sotëm i cili më pak a më shumë mund të karakterizohet me nocione të ndryshme politike dhe juridike, si autoritar, despotik, tiranik, përzierje e diktaturës dhe demokracisë, por në asnjë mënyrë me nocionin demokratik.
ÇLIRIMI PREJ PERANDORISË OTOMANE
Herën e parë Shqipëria është çliruar në vitin 1912 dhe është çliruar prej pushtimit të Perandorisë Otomane. Çlirimi i Shqipërisë prej pushtimit të Perandorisë Otomane sjell krijimin e shtetit shqiptar, por të shtetit jashtë të cilit do të mbesë gati gjysma e truallit etnik në të cilin shqiptarët ishin popullatë e vetme ose shumicë etnike dhe më shumë se gjysma e popullit. Në vitin 1912, Shqipërinë do ta çlirojnë prej pushtimit të Perandorisë Otomane intelektualët e paktë, që jetonin e vepronin jashtë Atdheut, borgjezia e formuar në botën e huaj dhe fshatarët e frymëzuar dhe të udhëhequr prej atyre intelektualëve. Ishte ky çlirimi i një populli prej pushtuesit të huaj dhe krijimi i një shteti të ri evropian jo tipik për çlirimet prej pushtuesve të huaj dhe krijimet e shteteve evropiane: fqinjët ballkanikë e kishin dëmtuar rëndë tërësinë e tij etnike!
ÇLIRIMI PREJ FEUDALIZMIT DHE VENDOSJA
E PËRKOHSHME E DEMOKRACISË
Herën e dytë Shqipëria është çliruar në vitin 1924 dhe është çliruar prej feudalizmit të çifligarëve, që e kishin grabitur pushtetin pa kurrfarë meritash për çlirimin e Shqipërisë prej pushtimit të Perandorisë Otomane! Në të vërtetë lirinë shqiptare pas krijimit të Shqipërisë shtet, në rastet më të shpeshta, po e gëzonin jo ata që kishin vuajtur pasojat e pushtimit dhe kishin luftuar qoftë me penë qoftë me pushkë për lirinë, por ata që kishin qenë përbërës të pushtetit të pushtuesit! Shqipëria ishte çliruar herën e dytë me lëvizje popullore të udhëhequr prej një numri të intelektualëve edhe tani të paktë dhe prej një numri të pjesëtarëve të borgjezisë tregtare. Duke përmbysur mbeturinat e feudalizmit dhe rendin feudal, në të cilin të drejtat e njeriut dhe të drejtat sociale më së rëndi i shkeleshin fshatarësisë, që përbënte shumicën e popullsisë, prijësit e lëvizjes popullore, ndër të cilët shquante Fan Noli, do të vendosin rendin demokratik dhe do të fillojnë reformat që do të sillnin përmirësimin e jetës së të sunduarve. Por, rendi demokratik që do të vendosin intelektualët dhe borgjezia ishte shumë jetëshkurtër: pas rreth gjashtë muajsh do ta përmbysin çifligarët e udhëhequr prej Ahmet Zogut, por me ndihmën e ushtrisë jugosllave dhe emigracionit të bardhë e të një numri vrangelistësh, të strehuar në Serbi pas ikjes prej Revolucionit të Tetorit. Ishte kjo kthesë me pasoja të mëdha, që do të paguhen me një pjesë të tokës së shtetit shqiptar në Shën Naum dhe në Vermosh dhe që do të përcaktojë zhvillimet politike në Shqipërinë shtetërore po thuaj deri në fund të shekullit njëzet. Pushteti i pakohtë i rikthyer i çifligarëve dhe i një numri të pjesëtarëve të borgjezisë tregtare, të udhëhequr prej Ahmet Zogut, në vitin 1928 do të marrë trajtën e mbretërisë kushtetuese, kurse mbret i Shqipërisë do të shpallet Ahmet Zogu. Është meritë e këtij pushteti mbretëror ndërtimi për atë kohë bashkëkohor i shtetit, krijimi i administratës dhe qëndrueshmëria, sado e përkohshme qoftë ajo, e këtij shteti tepër të varfër.
ÇLIRIMI PREJ PUSHTIMIT ITALIAN
DHE VENDOSJA E DIKTATURËS KOMUNISTE
Herën e tretë Shqipëria është çliruar në vitin 1944 dhe është çliruar prej pushtimit të fashizmit italian, që me ideologjinë, me ekonominë, me kulturën dhe me gjuhën e kishte filluar pushtimin e Shqipërisë në vitet e tridhjeta dhe e kishte arritur në vitin 1939. Pushtimi fashist i Shqipërisë është bërë i mundshëm nga politika nënshtruese e regjimit të përbërë kryesisht prej çifligarëve, një numri të pjesëtarëve të borgjezisë dhe një numri intelektualësh, të cilët midis fashizmit dhe komunizmit kishin zgjedhur – si thuhej me ironi prej kundërshtarëve të tyre – të keqen më të madhe: fashizmin! Pushtimin e Shqipërisë nga Italia, ndërkaq, që kapitullon më 1943, do ta trashëgojë Gjermania naziste po në atë vit. Në vitin 1944 Shqipëria do të çlirohet në saje të luftës çlirimtare të organizuar prej komunistëve shqiptarë, që do të themelojnë Partinë komuniste shqiptare.
Në sajë të meritës që kishte për çlirimin e vendit prej pushtuesve italianë dhe gjermanë, Partia komuniste shqiptare do të fitojë pushtetin pas luftës dhe do të vendosë rendin politik-shoqëror komunist prej të cilit do të jenë të përjashtuara forcat e tjera politike.
Pushteti komunist në Shqipëri do të zgjasë shumë më tepër se të gjitha pushtetet e tjera para tij dhe gjatë kësaj kohe do të arrijë ta ndryshojë rrënjësisht pamjen politike, ideologjike, institucionale, shoqërore, ekonomike, kulturore të Shqipërisë. Gjurmët e këtij pushteti në historinë shqiptare do të jenë më të mëdha e më të thella se të të gjitha pushteteve para tij dhe pas tij deri sot. Historia e shënon si pushtet që e ka ndërtuar Shqipërinë institucionalisht, që e ka arsimuar popullin, në tërësi, që ka ngritur numër të madh institucionesh të shkencës e të kulturës që njeh bota e qytetëruar, që ka shkolluar dhe emancipuar gruan shqiptare, që ka ngritur shëndetësinë, që ka ndërtuar objekte me rëndësi të madhe, themelore, në ekonominë shqiptare, që e ka emancipuar dhe pavarësuar në të gjitha pikëpamjet popullin shqiptar. Por, këtë pushtet historia e shënon njëkohësisht si pushtet të një diktature të paprovuar në historinë shqiptare, në të cilën do të shkelen rëndë të drejtat politike e qytetare, të drejtat themelore të njeriut: të drejtat e mendimit e fjalës së lirë, të organizimit politik, të lëvizjes së lirë, të fesë, të pronës. E të tjera.
VIJON NESER ME: ÇLIRIMI PREJ DIKTATURËS KOMUNISTE DHE VENDOSJA E DEMOKRACISË SË PËRZIER ME DESPOTIZËM

Rexhep Qosja pretorian i kuq qe i kruhet e don me u perdor me qejf nga te kuqt. Alpin idjot
Po ti c’fare je.Maloq i zgjuar???
ptuuuuu..flliqesire!!!
Qosja eshte nje kufome qe i vjen era pordhe.
Clirimin e pare qe thot Qosja nuk eshte i vertet,derisa Turqit kan lene nje te keqe te madhe ne vend.
Deri ketu mire. Sigurisht, qe analiza eshte e shkurter dhe si e tille vetem permend pikat kryesore te ndryshimeve, pa iu hyre analizave te hollesishme. Ajo qe me ngacmon me teper mua eshte roli konkret i popullit ( me pak ) dhe roli i ” elites ” intelektuale dhe politike para dhe gjate ndryshimeve. Per mua, shumica e ” elites ” shqiptare, gjate gjithe periudhave te ndryshimeve, ka qene ne anen e kundert te progresit dhe te se drejtes.
Kur do heqim dore nga para GJYKIMET ?? ANALIZA AQ E PERMBLEDHUR E TE NDRITURIT REXHEP QOSE eshte shembull konkret per c’do intelektual dhe historian, ndonse c’do njeri ka te drejt te shfaq mendimin e tij, por ama me kembe ne tok e trurin e paster. Me qart e me shkoqur, deri me sot une nuk njoh njeri tjeter te jet shprehur per te vertetat si i ndrituri REXHEP QOSE.
Para “komentuesave” , ne se me lejohet u them:Mos i hidhni balt as kerkuj, por ne se dini fakte dhe dini te shpreheni si qytetar te kulturuar shprehuni si duhet.
Rexhep Qosja nuk mund te haje buke ne qofte se nuk i cojne ne nje pjate te gjitha sharjet dhe fyerjet e dites per Berishen. Ai nuk mund te fleje gjume, pa i perpunuar e rregulluar ato dhe pa i derguar per botim ne ndonje gazete te “pa varur”. Shpirti i tije eshte i trazuar nga fobia ndaj Berishes, por edhe tejcmenduria nga dashuria ndja Rames. Le te lutemi per Akademikun!
nje komunist i pjerdhur qe as e ka njeri ne kalem. Edhe sikur mos hape gojen fare dihet cfare do thote.