Të gjitha diplomat vlejnë, por shkolla e jetës nuk ka çmim

Leda Hysa

Selvie Hoxha zotronte në përfeksion shkollën e jetës

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Në një nga bisedat e zakonshme mes nesh, por me frymë debati, dikush ngriti zërin duke thënë:

– E çfarë fitoi në fund të fundit, për shëmbull, Selvie Hoxha nga Çermë – sektori i ish Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori” i rrethit të Lushnjës?! Punoi sa dhe si rrallëkush tjetër. Me kontributin që dha si mjelëse lopësh, sot familja e saj duhej të kishte, të paktën, një vilë që t’ia kishin zili gjithë të tjerët…

Ky që fliste ishte i idesë, se njëriu duhet të bëhet, si i thonë, qen i lekut.

– E ke shumë gabim, – ia priti tjetri. – Në histori kanë mbetur jo të kamurit, por ata që i kanë pas shërbyer popullit, Atdheut… Në kujtesën e popullit shkojnë e zenë vend jo ata që dallohen për pasuri, por ata që shquhen për atdhetari…

– Çfarë më thua edhe ti! – ia priti i pari. – Po sikur ato lopë t’i kishte të sajat, me ato rreth 200 litra qumësht që milte çdo mëngjes, me siguri që ajo do të mund të ishte bërë supermilionere.

– Dhe pastaj?! Do të kujtohej sot për ato miliona?!

Një i tretë, që vazhdonte të ishte i heshtur deri në ato çaste, mbajti anën e atij që kundërshtonte.

– Do të kalojnë vite, ore vëlla, dhe cilët nga gjyqtarët që kanë bërë miliona lek pasuri në dëm të Drejtësisë do të mund të kujtohen?!

Debati vazhdoi gjatë dhe, krejt natyrshëm, kujtesa më çoi menjëherë te ajo mjelësja e shquar që sapo i ishte përmëndur emri; Selvie Hoxha. Kjo blegtore e shkëlqyer në fundin e shekullit të kaluar bëri emër në mbarë Shqipërinë jo për ato që mori për vete, por për ato që dha në interes të ekonomisë popullore.  Paraja e bën njeriun të pasur, ndërsa ndërgjegja, kultura dhe edukata e bën zotri.

Me cilësinë e gazetarit në ato vite, kam pas rast të bisedoj disa herë me të dhe të mbetem me mbresa të pashlyera.

Mbi të gjitha, Selvije Hoxha ishte një zonjë grua.

Shkëputur nga fletët e zverdhura të një blloku shënimesh

Duke shfletuar një prej blloqeve të shumta të shënimeve prej gazetari gjej të shkruar copëza bisede të bëra në një ditë nëntori të vitit 1979 me mjelësen Selvie Hoxha. Në fletët e zverdhura të këtij blloku lexoj përgjigjet interesante të asaj punonjëseje të jashtëzakonshme.

– Si veproj? Ashtu siç ma ka këshilluar zootekniku dhe veterineri i sektorit. Sepse i dëgjoj me shumë vëmendje këshillat e tyre dhe i zbatoj pikë për pikë…

Dhe në vazhdim, në fletët e bllokut tim të shënimeve gjej të kem shënuar edhe…:

– Lopët i pastroj tri herë në ditë. Në fillim i kashais, më pas i pastroj me leckë të lagur me ujë të ngrohtë…

Dhe, në vazhdim të shënimeve të mbajtura, shikoj të kem shkruar:

– Po, po, i laj nga koka e deri te thundrat e këmbëve. Pasaj i fshij me leckë të thatë…

E rregjistruar e tëra me shkrim në bllokun tim të shënimeve, Selvija më është përgjigjur:

– U kujdeskam si nëna për fëmijën?! Po, tamam ashtu. Si nëna për fëmijën e saj. Se edhe lopa është e gjallë; kërkon ushqim, kërkon pastërti, kërkon …

– Ushqim? Ushqim u jap deri në dhjetë herë në 24 orë. Ditën dhe gjatë mbrëmjes. Sipas një orari ditor. Kuptohet, zbatoj udhëzimet e specialistëve të blegtorisë së sektorit…

Pjesë nga një shkrim i para 40 vjetve i Profesor Xhevdet Bashllarit

Para disa ditësh rastisi të bisedonim me Profesorin e Asoc. Xhevdet Bashllari dhe, teksa nisëm të flisnim për mjelësen e dikurshme të sektorit të blegtorisë në Çermë – sektor të ish Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori” të rrethit të Lushnjes, ai na drejtohet drejtpërdrejt:

– Për Selvie Hoxhën kanë shkruar disa gazetarë. Vetëm unë kam botuar dy shkrime, një në gazetën “Bashkimi”  në vitin 1978 dhe një tjetër në revistën “Bujqësia socialiste” në vitin 1985.

Dhe vazhdon më tej: Për këtë mjelëse rekordmene në prodhimin e qumështit gazetari i mirënjohur, Fuat Memeli, ka pas përgatitur një kronikë të zgjeruar televizive, ndërsa Kinostudioja “Shqipëria e re”’ ka pas përgatitur një film dokumentar në vitin 1982. Ndërkohë, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë ka pas botuar një broshurë të plotë me titullin “Heroina e Punës Socialiste Selvije Hoxha – frymëzim për të gjithë mjelëset e Shqipërisë dhe për tërë punonjësit e blegtorisë së vendit tonë”.

Po le të citojmë një fragment të zgjeruar nga shkrimi “Mjelësja rekordiste” e Prof. të Asoc. Xhevdet Bashllarit:

“… Nuk është gjë e vogël të marrësh 6200 litra qumësht mesatarisht nga çdo lopë. Një rendiment i lartë! Të gjithë kemi dëgjuar për mjelësen rekordiste Selvije Hoxha. Asaj i takon që nga një lopë të marrë mbi 25 litra qumësht në ditë. Ka lopë që mbas pjelljes të arrijë të jap deri edhe mbi 30 litra qumësht në ditë…

Më 1978 Selvija e kishte planin 4000 litra për lopë, arriti në 5511 litra për lopë.  Në vitin 1979 e kishte planin nga 4500 litra për krerë, arriti në 5657 litra për krerë. Në vitin 1980 planin e kishte nga 4900 litra për krerë, arriti në 5782 litra për krerë, ndërsa në vitin 1981 arriti në 6200 litra për krerë nga 5000 litra për krerë që kishte planin.

Rexhep Shima, kryezotekniku i NB “29 Nëntori” tregon:

– Me ritmikën e realizimeve të deritanishme, në qershor Selvija arrin në 3600 litra qumësht për kokë, pra, realizon më shumë se gjysmën e zotimit…”.

Nga një takim me Enver Hoxhën

Për t’i uruar ditëlindjen me rastin e 75 vjetorit, Enver Hoxhës i shkuan edhe shumë njerëz të thjeshtë, midis të cilëve edhe Selvije Hoxha. Siç veprohej në të tilla raste, kjo u thirrë në Presidiumin e Këshillit të Bashkimeve Profesionale të rrethit, ku iu dhanë disa këshilla e porosi se si duhej të fliste para Udhëheqësit të Partisë. Sigurisht, nuk mungoi t’i jepej edhe një diskutim i gatshën, që ta përdorte në rast se do të mund t’i kërkohej të fliste.

Domosdo, nuk mund të mos thirrej edhe në Komitetin e Partisë të rrethit, ku do t’i jepeshin të tjera porosi, sidomos për zotime të tjera, tashmë edhe më të larta në prodhimin e qumështit.

Sipas një radhe. Enver Hoxha priti minatorë të dalluar, naftëtarë të shquar, traktoristë e shoferë të pararojës, tekstiliste të njohura, veprimtare të shquara nga radhët e Frontit Demokratik, të Bashkimit të Grave, të Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, studentë të shkëlqyer…

I erdhi radha të takohej edhe me Selvije Hoxhën.

– Ju jeni mjelësja e dalluar e Lushnjes? – i qe drejtuar Enveri.

– Unë jam njëra prej mjelëseve të dalluara të Lushnjes, – ia pat kthyer Selvija. – Lushnja ka edhe shumë mjelëse të tjera të dalluara si unë…

Enveri kishte vënë buzën në gaz dhe i ishte drejtuar sërish:

– Me këto duar i mjel lopët?… Më lejo të t’i puth këto duar të arta.

Dhe mes të dyve kishte vazhduar një bisedë e ngrohtë, në qëndër të së cilës kishte qënë puna dhe prodhimi i qumështit.

Pak më pas Enveri kishte dalë në fotografi me disa nga punonjësit më të dalluar, ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë.

Në këtë fotografi është edhe blegtorja e shkëlqyer e ish Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori” të rrethit të Lushnjes, Selvie Hoxha.

Punonte për t’u shprehur, jo për t’u dukur

I ngarkuar prej redaksisë së gazetës “Shkëndija” të rrethit të Lushnjës për të botuar një portret të Selvije Hoxhës, takoj Shyqyri Hyskon, ish sekretar i Këshillit të Bashkimeve Profesionale të rrethit të Lushnjes dhe i kërkoj të më ndihmonte në detyrën që kisha marrë përsipër të kryeja.

– Mos shkoni këto ditë, – më kthehet Shyqyriu. – Selvija ka marrë lejën e zakonshme, prandaj shkoni mbas nja pesëmbëdhjetë ditësh…

Mbeta në mëdyshje. Gjithësesi, vendosa të shkoj me mendimin se do të mund të takoja të tjerë, që do të mund të flisnin për të. Nisem.

Kur arrij pranë fermës së lopëve të sektorit të Çermës të Ndërmarrjes Bujqësore “29 Nëntori” më del përpara pikërisht ajo, Selvija.

– Po ju këtu?! – i drejtohem. – Mua më thanë se keni marrë lejen e zakonshme.

Buzëqeshi. Lëshoi menjanë një vegël pune që kishte në duar dhe m’u afrua.

– Është e vërtetë që mora lejen e zakonshme, por…

Dhe ashtu, qetë – qetë, nisi të më fliste shtruar, për të më lënë të nënkuptohej se nuk ishte duke u mburrur:

– E di se si është puna? Mbas pesë ditësh pushim, më thotë ajo që më zëvendësoi: “Selvi, ka rënë qumështi i lopëve të grupit tënd… Nuk di, por po ta them që prodhimi ka rënë…”.  “Si është e mundur?!”  i drejtohem. “Nuk e di se si po ndodh, se të gjitha po ua bëjmë lopëve, por fakti është ky që po ju them!”

Nuk kishte dalë nevoja të zgjatej më tej ajo bisedë. Selvija e kish kuptuar: lopa është si njëriu. Edhe pse është kafshë, e kupton se kush kujdeset për të, se kush i jep ushqim e, sidomos, kush e mjelë. E kupton nga prekja e duarëve, nga ritmi i mjeljes dhe nga disa veprime që i bëhen lopës para mjeljes…

– Nuk mund ta vazhdoja më tej lejen e zakonshme. Dhe ja, erdha menjëherë pranë lopëve…

Ndërsa e dëgjonim të na fliste kështu, na rritej respekti për këtë grua, që shqetësohej më shumë për ndërmarrjen, se sa për veten dhe për familjen e saj.

Selvija Hoxha punonte për t’u shprehur dhe jo për t’u dukur. Dhe ishte pikërisht kjo arsyeja, që asaj iu dha titulli më i lartë: Heroinë e Punës Socialiste.

Jetesën e bëjmë nga ato që i marrim shoqërisë, ndërsa jetën e bëjmë nga ato që i japim asaj

Erdhi një kohë dhe Selvije Hoxha ftohej nëpër takime apo aktive të ndryshme blegtorësh që të fliste për përvojën e saj të pasur. E thjeshtë, e sinqertë, e vertetë në ato që thoshte, e pakursyer në punë, e lidhur fort me detyrën, kjo mjelëse e shquar nuk ia vishte meritat vetes së saj, por specialistëve të blegtorisë, kuadrove dhe punonjësve të tjerë të sektorit, që garantonin prodhimin e koncentrateve dhe siguronin sasinë e njomishteve, shoqeve të saja etj.

Vepronte kështu, sepse ajo e kuptonte se jeta merr kuptim të plotë kur të shërben jo vetëm ty, por edhe të tjerëve.

Mirëpo… kishte fjalë, që thuheshin nën zë, se Selvisë i ishin dhënë lopë të zgjedhura, nga ato me rendiment të lartë qumështi: Mirë, o mirë; shumë punëtore është, por… e nderojnë edhe lopët që i kanë dhënë. Me to, kushdo do të mund të dilte e dalluar…

Sido që thuheshin nën zë, këto fjalë i shkuan në vesh edhe Selvisë. I shkuan në vesh dhe e shqetësuan në shpirt. Pa pritur që ky opinion të shpërndahej edhe më tej, Selvija, në prani të shoqeve, i thotë përgjegjësit të blegtorisë së sektorit, që të dorëzonte lopët e veta dhe t’i jepeshin lopë të radhës.

– Përse ma thoni këtë?! – i qe drejtuar përgjegjësi i blegtorisë.

– Sepse nuk dua të mendojë askush, që unë jam e priviligjuar dhe prodhimin e qumështit e siguroj nga lopë të zgjedhura…

Përgjegjësi i blegtorisë kishte mbetur disi i habitur. As që i kishte shkuar ndërmënd se mund të ndodhte edhe kështu.

– Mirë, mirë, por vazhdoni siç jeni, – pat përfunduar ai.

– Jo, jo, të lutem; ky problem duhet të zgjidhet. Nuk pranoj të përgojohem së koti, ndërkohë që këtu jemi: mua të më jepen lopët që gjykoni ju.

– Dakort jam unë, – ia kishte kthyer përgjegjësi, – por kam merakun tjetër: a do të mund t’i mbajnë lopët e tua me po këtë prodhimtari mjelëset e tjera?!

Selvisë i dhanë të tjera lopë dhe ajo, si deri në këtë kohë, sërish rekordmene.

– Po si ngjet me ju kështu?! – e kish pyetur një herë Selvien një gazetar.

– Lopa nuk milet nga sisët, – qe shprehur Selvija. – Lopa “milet” nga goja. Nuk thonë kot: jepi në gojë që të të bëhet soj.

Shprehej kështu, sepse nisej nga përvoja. Dhe, natyrisht, kishte të drejtë: të gjitha diplomat vlejnë, por shkolla e jetës nuk ka çmim.

*     *     *

Edhe pse kanë kaluar dekada, emri i Selvie Hoxhës kujtohet e do të kujtohet kurdoherë me respekt. Sepse ajo ka pas vepruar sipas parimit: jetesën e bëjmë nga ato që marrim prej shoqërisë, ndërsa jetën e bëjmë nga ato që i japim asaj.

Ora e historisë vazhdon pandalur. Koha ndryshon shumë gjëra, por ama ajo nuk fshin asgjë.

As lavdinë që shkroi me djersën e saj të ndershme Heroina Selvie Hoxha.

Share This Article
3 Comments
  • Me githe keto shifra mijra litrash,nuk kishte qumesht,nuk kishte djathe dhe prodhime bylmeti.Sot ta bie katundarja tek dera.Ruset kane nxjerre barsaleta Fine,simbolike,inteligjente.Ne ate kohe keto barsaleta mberrinin ne Shqiperi nga studentet qe studiuan ne BRSS.
    Meqe jemi tek mijera e mijra litra qumesht qe milnin mjeleset stakanoviste dhe ne treg kishte krize,ne rradhen e qumeshtit qarkullonte kjo barsalete ruse:”Neqoftese Saharaja do te behej KOMUNISTE,do te importonte RERE.

  • Atyre viteve, me rekordet qe vendosi Selvie Hoxha ne prodhimtarine e qumeshtit per krere, emri i saj beri jehone ne mbare Shqiperine. Jehone per punen dhe ndergjegjen e saj, jehone per ate çka i jepte shoqerise. Dhe mendo, qe sot jehone bejne vetem hajdutet e paskrupullt te Qeverise, te Drejtesise, te mjeksise, te… Shkrime te tilla sjellin ne vemendjern e brezit te sotem brezin e idealisteve, qe harronin shtepi e katandi per interesin e popullit. Nderim Selvies dhe shoqeve te saja heroina!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *