Të gjitha Evat do të lindnin bijtë e mëkatit!

Ornela

Kam menduar shumë e shumë,
për Zotin e jetës sonë,
për Zotin që s’flë kurrë gjumë,
që s’na flet-por na dëgjon!

Lutemi që ç’ke me të,
gjer tek Zoti të shkojë zëri,
por ai s’ju kthye më,
botës sonë që kur e bëri!

Pritja jonë në të vërtetë,
mund të jetë krejt e pasosur,
se Zoti veprën e vet,
e mendon krejt të përsosur!

Gjithë frutet e krijimit,
i mendon krejt të arrira,
dhe sherret e njerëzimit,
i duken ca vogëlsira!

Them se Zoti e ka mirë,
për hirin e së vërtetës,
dhe ka të vetmen detyrë,
veç vazhdimësinë e jetës!

Zoti s’e ndali përpjekjen,
dhe pse dënoi njerëzimin,
e vërtetë që shpiku vdekjen,
po shpiku dhe rikrijimin!

Po unë veten pyes shpesh,
si s’i shkoi në mëndje Atit,
se gjithë Evat dhe Adamët,
do lindnin bijtë e mëkatit!

Kjo harresë kaq e vogël,
miliona vjet më parë,
ka zbehur në sytë tanë,
edhe Krijimin e Parë!

Do ta linim jetën tonë,
veç në mëshirën e fatit,
se është shtruar përgjithmonë,
rrugë e gjerë e mëkatit!

A.DUKA

Share This Article
3 Comments
  • Krishti me kamxhik
    __________________________________
    Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë
    Janë shtruar sarafët’) pa shpirt e pa besë,
    Tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë,
    Thon’ ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.
    Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
    Dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,
    Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten
    Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.
    Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
    Na u ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar;
    Nënë zgjedhë besnikët për vdekje lëngojnë,
    Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.
    Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi Perëndie
    Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
    Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
    Dhe kush nukë plaçkitte ish krejt budalla.
    Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
    Krisht’ i ëmbël u-ndes dhe u-bë i vështirë:
    Me kamçik e me fshikull sarafët i dboj,
    Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.
    Dhe Shën Pjetr’ i gëzuar ahere i tha:
    “Ja, tani e ke nisur tamam, or usta!
    Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,
    Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.”
    “Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
    Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;
    Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin.
    Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.”
    Jesu Krishti s’e dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.
    Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
    Dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri,
    Se lirin’ e sjell drita e mëndjes, jo druri.”
    “Merr-e prapë kamçikun, Shën Pjetri u- përgjeq,
    Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
    Përkëdhel’ u kurrizin dhe do t’ të besojnë,
    Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t’adhurojnë”.
    Jesu Krishti s’dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.
    Dhe s’u-unj përsëri që ta merrte kamçikun:
    Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
    Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.
    __________________________________
    Fan Stylian Noli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *