Në një bashkëbisedë me disa miq e shokë, erdhi dhe me siguri do hynte në valle publicisti veteran, Sevo, tek i cili ne zakonisht “testojmë” mendimet tona, të gjithë besuam se ai do ta ndante medoemos shapin nga sheqeri… Po nuk di pse më pas, sikur na u kokoleps më tepër situata! Ishte fjala për rritjen e pandërprerë ekonomike tek ne. Dikush duke iu referuar statistikave qeveritare, u shpreh se, kjo rritje, është në ngjitje të vazhdueshme nga viti në vit.
– Po unë kështu kam dëgjuar qysh para 15-20 vjetëve,- u hodh si kurdoherë me maturi Bejoja.
– Pse dyshoni ju,- ia ktheu Kastrioti, i cili dallohet për analizat dhe zbërthimet e temave të mprehta politike, por që njëherësh është edhe më hokatari mes nesh.
– Jo, mor, nuk kam dyshime te shteti dhe qeveria ime unë, por…
– Po atëherë, na e kthjello pakëz këtë problem me kaq të panjohura!- u shpreh Vitoria me qetësinë e saj.
Ndërkaq për fat u hodh Sevoja ashtu si gjithnjë, shtruar-shtruar e me lezet:- Jo, unë kam një tregues të veçantë.
– Pa hë, ndriçoje më mirë mendimin tënd dhe kokat tona,- ndërhyri si përherë me takt Nikoja.
– Po ja, dikur aty në rrugën kryesore të lagjes sonë, vetëm një lypës shikoje, ndërsa kohët e fundit ata janë shtuar ca si tepër, apo jo?!
Pyetja e tij ishte retorike, e pakundërshtueshme dhe sikur na bukosi të gjithëve… Po Vitoria, e cila na ishte dukur se nuk kishte ndërmend të merrte pjesë në bisedë, i vuri vulën:
– Lipsur qofshin qeveritë që i shtojnë lypësit përditë!
