Një i ri saudit, i arrestuar kur ishte 13 vjeç, mund të ekzekutohet për pjesëmarrje në protestat e Shiave kur ishte fëmijë, tha Amnesty International.
Sipas grupit të të drejtave të njeriut, Murtaja Qureiris, tashmë 18 vjeç, është duke u gjykuar për akuzat e përfshirjes në një “grup terrorist” dhe “përhapjen e trazirave”,. Ai u arrestua në shtator të vitit 2014 dhe u mbajt në burg, një pjesë të konsiderueshmë të kohës në izolim, që atëherë.
Arabia Saudite nuk ka komentuar as nuk ka bërë detaje publike për rastin, si gjithmonë kur bëhet fjalë për raste që kanë lidhje me (atë që ata quajnë) sigurinë kombëtare.
Shqetësimi i opinionit publik ndërkombëtar është rritur sidomos pas ekzekutimit të 37 vetave në prill. Të ekzekutuarit ishin shumica me besimin Shia dhe mes tyre ishte edhe një 16 vjeçar, sipas Amnesty International, i cili theksoi se gjykimi i shumë prej të akuzuarve ishte shumë i padrejtë.
Qureiris akuzohet për vepra penale që përfshijnë pjesëmarrjen në protesta kur ishte 10 vjeç. Një akuzë tjetër lidhet me pjesëmarrjen e tij në moshën 11 vjeçare në një miting anti-qeveritar që shpërtheu në funeralin e vëllait të tij, i cili u vra duke protestuar në vitin 2011, në një protestë në Arabinë Saudite, teksa tubimet e ‘pranverës arabe’ po kulmonin në vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Pjesëtarë të minoriteteve Shia, që ndodhen kryesisht në krahinën lindore të Arabisë Saudite, nisën protestat atë vit për të kërkuar të drejta të barabarta dhe një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së naftës së mbretërisë saudite. Këto rezerva nafte gjenden në territorin e tyre në lindje të Arabisë.
Gjatë protestave, minotiteti Shia u ankua për shërbime të dobëta qeveritare, si dhe për diskriminim nga klerikët vehabi ultra-konservatorë të mbështetura nga qeveria dhe pasuesit e tyre sunitë.
Në vitet e fundit, ndërsa tensionet mes Arabisë Saudite sunite dhe Iranit të udhëhequr nga Shia janë shtuar, presionet e sundimit saudit ndaj kritikëve të qeverisjes, sidomos minoritetit Shia janë intensifikuar, çka besohet se do të vazhdojë të ndikojë edhe gjykimet e pjesëtarëve të këtij minoriteti, bën me dije Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
