Letër e nënshkruar
Zaim Korça
Më 28 Nëntor 1912 pavarësia u shpall në tokën e shqiponjës që klithte çdo ditë e copëtuar nga të dyja krahët. Unë mendoj që 45 vitet e fundit deri në 1990 kanë qenë koha kur pavarësia me të mirat dhe të këqijat e veta ka qenë më e vërteta në historinë tonë.
Por mbas vitit ‘91 Shqipëria e ndryshoi konceptin e pavarësisë. U bëmë si han pa porta. Erdhën turli të huajsh, pak të mirë e shumë të ligj që tani kanë edhe dy nënshtetësi. Shumë prej tyre hapën biznese këtu dhe u favorizuan me korrupsion. Shumë kanë mashtruar, duke blerë tokë shqiptare. Kur janë në Shqipëri thonë se janë shqiptarë, kur shkojnë andej nga kanë ardhur thonë jemi i këtij shteti.
Shqiptarët vetë ndihen skllevër në tokën mëmë. Janë 300 mijë familje në nevojë që janë thuajse gjysma e popullsisë. Politika e keqe ka favorizuar këtë situatë kur të huaj bastardë e hipokritë luajnë me varfërinë tonë që kemi lindur e do vdesim këtu. Respekte të gjithë stafit të gazetës Dita.
