Trendi i kësaj sëmundjeje është rritur mjaft në ditët e sotme, kjo për llogari të shumë faktorëve ambientalë, social, ekonomik, ekologjikë, predispozicionit familjar, etj. Megjithatë edhe pse ecuria e kësaj sëmundjeje është përgjithësisht kronike, menaxhimi i mirë i saj dhe një stil i shëndetshëm jetese ka krijuar një simbiozë midis kësaj sëmundjeje dhe njerëzve që vuajnë prej saj. Për gazetën mjekia Ilda Xhelili tregon se cilat janë sjelljet që duhet të mos i neglizhojmë për të mos vuajtur nga ndërlikimet e rënduara që mund të vijnë prej bronkitit astmatik. Para së gjithash do doja të sqaroja se si kryhet normalisht frymëshkëmbimi në organizmin e njeriut. “Frymëshkëmbimi fillon me hyrjen e ajrit në hundë ose në gojë. Pastaj ajri udhëton në pjesën e pasme të fytit dhe në trake. Në trake ndahet në dy tubat bronkialë (i majti dhe i djathti). Këto tuba bronkialë futen thellë si degëzime në indin e mushkërive. Brenda në mushkëri tubat bronkialë degëzohen në degë të vogla që quhen bronkiola dhe më tej në degëzime më të vogla që quhen alveola. Alveolat kanë një vaskularizim shumë të madh kapilar (enë gjaku kapilare). Pikërisht në nivel të alveolave gjaku bën shkëmbimin e gazeve çka do të thotë se merr oksigjenin e sjellë nga ajri i thithur (inspirimi) dhe lë dioksidin e karbonit, të cilin e nxjerrim me frymënxjerrje (ekspirimi), shprehet Xhelili. Në vijim këshillat se si duhet të veproni.
Cili është kuptimi i termit bronkit dhe astmatik ?
Termi bronkit përdoret kur ka inflamacion, edemë (ënjtje) të mukozës së brendshme të tubave bronkialë duke ngushtuar kështu diametrin e tyre, e si rrjedhim vështirësohet kalimi i rrymës së ajrit duke shkaktuar kollën. Gjithashtu kemi rritje të sekretimit të mukusit të mukozës bronkiale duke shkaktuar gëlbazën. Shkaktarët e kësaj gjendjeje janë të shumtë dhe në varësi të tyre bronkiti mund të jetë akut dhe kronik. Bronkiti akut ndodh përgjithësisht kur kalohet një infeksion viral ose bakterial dhe zakonisht kjo gjendje kalon pas disa ditësh. Ndërsa bronkiti kronik është një dëmtim i përhershëm i rrugëve të frymëmarrjes që mund të shkaktohet nga pirja e duhanit ose ekspozimi afatgjatë ndaj faktorëve irritues. Për shkak të inflamacioneve të shpeshta simptomat përsëriten. Ndërsa kur shkaktarë të kësaj gjendjeje janë alergenët e jashtëm (substanca që irritojnë në mënyrë të vazhdueshme rrugët e frymëmarrjes) kemi të bëjmë me astmë. Këta shkaktarë zbulohen nëpërmjet provave të alergjisë ose edhe vetë kur na përsëriten situatat. Ndër këta alergenë përmendim pluhurat, tymin e makinave, polenet e luleve, qimet e kafshëve, medikamente të ndryshme (si aspirina, indometacina), ushqime të ndryshme (si veza, mishi i pulës, arrat, kikirikët ), kimikatet (detergjentët),ndryshimet e motit (moti i ftohtë), emocionet e forta (qesh ose qan), tymi i duhanit, sforcoja fizike, etj. Por, jo gjithmonë këta faktorë çojnë detyrimisht në astmë. Ata kufizohen edhe në nivel të asaj që ne e quajmë thjesht “alergji”. Këtu ndërhyn individualiteti i individit apo edhe predispozicioni familjar, gjenetik për zhvillimin e klinikës specifike. Dhe së fundi kombinimi i këtyre dy elementëve jep bronkitin astmatik.
Cilat janë shenjat klinike të bronkitit astmatik, si dhe a është ngjitës ?
Janë një kombinim i simptomave të astmës me ato të bronkitit si për shembull gulçimi (vështirësi në frymëmarrje ), kollë me ose pa sputum (me ose pa gëlbazë ). A është ngjitës bronkiti astmatik ? Duhet të dimë që vetë bronkiti mund të shkaktohet nga viruse ose baktere që janë ngjitëse. Megjithatë bronkiti kronik astmatik në përgjithësi nuk është ngjitës. Sigurisht që për të gjitha simptomat bëhen konsulta me mjekun që rekomandon ekzaminimet dhe terapinë përkatëse. Një ekzaminim i rëndësishëm është spirometria, e cila mat fuqinë e ajrit që thithim dhe nxjerrim. Po ashtu edhe radiografia e mushkërive që përcakton gjendjen e tyre apo edhe provat e alergjisë për të gjetur shkaktarët e mundshëm.
Si ndikon kjo sëmundje në mënyrën e jetesës dhe cilat janë përkujdesjet e përgjithshme në jetën e përditshme ?
Në momentin kur diagnostikoheni me astmë bronkiale mund t’ju lindin shumë pyetje e në radhë të parë se si ndikon kjo sëmundje në jetën tuaj të përditshme. Përsa i përket ushqyerjes lajm i mirë është se shumica e njerëzve me astmë nuk kanë nevojë për dieta të veçanta. Në rastet kur disa persona kanë alergji nga disa ushqime (që i përmendëm më sipër) ato duhen përjashtuar nga menuja ushqimore. Pacientët e vërejnë vetë acarimin e sëmundjes kur konsumojnë këto ushqime. Nëse mendoni se keni alergji ushqimore duhet të bisedoni menjëherë me mjekun tuaj të familjes për të marrë këshillat e duhura. Por, një gjë duhet të mbani mend mirë : të merrni rregullisht ilaçet e astmës të rekomanduara nga mjeku specialist.
Humbja në peshë dhe ushqimet
Humbja në peshë mund të ndihmojë në menaxhimin e sëmundjes dhe e kombinuar me një mënyrë jetese aktive mund të ndikojë në përmirësimin e funksionit të mushkërisë. Ushqyerja duhet të jetë e shumëllojshme duke përfshirë fruta dhe perime të freskëta, drithëra. Rekomandohen 4-5 porcione fruta dhe perime si edhe të konsumoni uje për të pasur një funksion të mirë mushkëror. Vitamina C dhe E mendohet se ndikon në rritjen e rezistencës së mushkërive ndaj infeksioneve.
Ushtrimet fizike që lehtësojnë simptomat e bronkitit astmatik
Ushtrimet e lehta fizike, noti, shëtitjet në ajër të pastër, ndikojnë pozitivisht në organizëm në shumë drejtime : “Ndihmojnë zemrën, aparatin kockor, sistemin tretës, ruajnë peshën trupore, reduktojnë stresin, ruajnë kapacitetin e mushkërive. Kjo nuk do të thotë që të harxhojmë orë të tëra në palestra. Nga biseda me mjekun tuaj dhe në varësi të shkallës së rëndesës së sëmundjes suaj do të zgjidhni drejt edhe llojet e ushtrimeve. Nëse keni shqetësime kur kryeni aktivitet fizik (marrje fryme, kollë, ngushtim në gjoks, etj) mjeku do ju bëjë sygjerimin e duhur, për shembull marrjen e ndonjë medikamenti para fillimit të ushtrimit. Gjatë ushtrimit vishuni me tesha të pambukta e të lirshme. Nëse shkaktar i astmës tuaj është ajri i ftohë, preferoni të dilni kur është ngrohtë. Lëvizjet fillojini gradualisht me pesë minuta në ditë, dhjetë minuta në ditë gradualisht deri në 30 minuta. Filloni me një shëtitje të ngadaltë, me ritëm të rregullt dhe përshpejtojeni gradualisht dhe sipas gjendjes tuaj.
Duhani një ndër përgjegjësit e bronkitit astmatik
Përsa i përket duhanit është armiku më i keq i sëmundjes tuaj dhe jo vetëm duhanpirja, por po aq i dëmshëm është edhe tymi i tij. Edhe pa vuajtur nga astma duhani dhe tymi i tij janë faktorë rreziku për shëndetin e njeriut. Gratë që pinë duhan gjatë shtatzanisë kanë probabilitet të lartë për të lindur fëmijë me problem të frymëmarrjes. Por, edhe prania në tymin e tij jep të njëjtat rreziqe. Nikotina e duhanit është një drogë shumë problematike që e bën të vështirë lënien e duhanit. Por, asgjë nuk është e pamundur sepse sot çdo ditë shumë njerëz me vullnet të fortë ndalojnë pirjen e duhanit. Duhani vret jetë.
