Të jetosh me frikën se yt bir mund të vdesë nesër…

redaktor

Lajmet që na vijnë shpesh nga Bulqiza janë aksidente me pasojë vdekjen ose plagosje në minierën e këtij qyteti. Historitë që prodhohen në tokën e këtij vendi, e cila në syrin e gjeologëve është kthyer në një kullojse makaronash, janë bërë film, duke përfshirë jetën dhe dramën e familjeve që jetojnë në këto anë.

Filmi “Krom” i regjisorit Bujar Alimani, i cili po shfaqet këto ditë në kinema, rrëfen sesi një nënë memece, pas dy humbjeve të bashkëshortëve i duhet të vazhdojë të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë. Djali i saj, pesëmbëdhjetë vjeç që përpiqet të njohë vetveten, në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit, ndjehet keq kur një mashkull hyn në jetën e tij dhe të nënës. Ngjarjet marrin shtrirje në jetën e provincës ku ai krijon miqësi me mësuesen rock-ere që është rebeluar dhe ka ikur nga shtëpia. Për pak çaste, ajo i kthehet djalit në një engjëll që e ndihmon të gjejë rrugën e tij.

Personazhi i nënës është realizuar mjeshtërisht nga aktorja Klodiana Keco, e cila i transmeton shikuesit një personazh qendror, që nuk flet as dëgjon e që rrit dy fëmijë me mundim e sakrifica. Në rrjedhën e jetës problemet e fëmijëve dhe të bashkëjetesës me të dashurin, regjisori i “ka hequr fjalën”, por megjithatë autoriteti i saj merr një rëndësi të madhe në film. Edhe pse ka arritur të realizojë nëpërmjet fotografisë dhe efekteve të tjera figurative imazhin e qartë të peizazhit e punës që zhvillohet në jetën e Bulqizës, epiqendra e filmit është gruaja me sfidat e dashurisë për jetën dhe fëmijët.

Teksa e kemi përballë Klodianën, vazhdojmë të imagjinojmë nënën, së cilës, jeta i ka veshur nën lëkurë historinë dhe vuajtjet e përditshme. Por jo, Klodiana jashtë rolit është tjetër njeri, është një vajzë e qeshur dhe me humor.

“Ishte një shans i jashtëzakonshëm për mua, një rol që nuk e prisja, më erdhi si rrufe në qiell të hapur. Përtej rolit, që ishte shumë i mirë, përtej skenarit që ishte i përthithshëm që në momentin e parë që e lexon, ka dalë edhe një film shumë i mirë”, shprehur aktorja. Në një intervistë për Dita-n, Keco tregon më shumë rreth filmit, mësimet që ka nxjerrë prej tij dhe faktin që… jetojmë në një kohë të pasigurt.

 

-Klodiana, filmi “Krom” ku ju merrni pjesë është nominuar në disa festivale ndërkombëtare dhe këto ditë po shfaqet në kinematë e Tiranës. A ju ka bërë ekrani i madh më të njohur, e ndjeni këtë…?

Të them të drejtën nuk e kam ndjerë. Nuk është se unë jam si në film, kam një ndryshim. Jam shumë më e qeshur në jetën reale. Ndoshta shqiptarët janë indiferentë dhe nuk u intereson shumë… Por nuk është momenti të them që: Ndihem e bezdisur nga fama!

-Ju keni rolin kryesor në këtë film, rolin e një nëne me dy fëmijë, dy burra i janë larguar, ndërkohë po njeh një të tretë…

E konsiderova veten më fat që m’u dha ky rol pasi nuk i jepet gjithkujt. Në jetën reale jam ndryshe nga roli, jam e qeshur, flas shumë, nuk kam fëmijë. Ishin shumë gjëra që nuk kanë lidhje me mua… Por besoj se ia dola të futesha nën petkun e personazhit.

Vendimi për të qenë pjesë e filmit erdhi shumë natyrshëm dhe mua më duket sikur nuk e kalova dot atë fazën e entuziazmit, që kisha fituar një rol. Paralelisht Bujari (regjisori) kishte filluar të më ‘tresë’ te karakteri i nënës. Ishte si të thuash një zhytje e menjëhershme në punën krijuese. Ndërkohë u njoha edhe me Lidia Capën, pedagoge tek Instituti i Fëmijëve që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë, e cila edhe vetë është pjesë e këtij komuniteti. Le të themi që receptorët e mi u aktivizuan shumë shpejt dhe fillova punën pa e kuptuar. Impakti i parë me filmin “Krom” ka qenë pa dyshim skenari, të cilin e lexova dhe e përthitha me një frymë. U dashurova me atmosferën e atij skenari dhe sidomos me rolin e nënës. Ky karakter kishte që në të shkruar diçka të jashtëzakonshme, surreale që do të ishte fat i madh për këdo aktore që do ta luante.

-Sa e keni njohur Bulqizën, gjatë qëndrimit aty?

Qytetin e Bulqizës nuk e njihja më parë. Unë jam nga Devolli dhe nuk kisha shkuar ndonjëherë në këtë qytet, fatkeqësisht. Mendoj së është në të njëjtin gjendje si shumë qytet në Shqipëri. Aty gjen histori të ngjashme si në të gjitha qytet e vogla të vendit.

Klodjana Keco, aktore
Klodjana Keco, aktore

Megjithatë, më kujtohet që kur po xhironim filmin dhe ishim në orë pune, pata një moment pushimi dhe përfitova për të shkuar në market, të blija diçka. U afrova me një shitëse të një dyqani dhe fillova ta pyesja se si jetohet aty. Dhe ajo më tregoi se çfarë ankthi përjetonin ato çdo ditë për të afërmit e tyre që punonin nën tokë. Më tha shprehimisht se: “Ne jetojmë me frikën se burrat apo djemtë tanë mund të vdesin nesër”. Ky është ndryshimi në këtë qytet, që nuk është i pakët. E vetmja mundësi punësimi për ata banorë është miniera, e cila edhe pse mund të përbëjë rrezik për jetën, përsëri, uria për bukën e përditshme e mposht frikën nga ky rrezik.

-Ju pëlqen më shumë teatri apo filmi…?

Kur mbarova xhirimet e filmit, u ktheva në Teatrin Eksperimental ku punojë dhe u thashë kolegëve: Mua më vjen keq, por teatri sapo e humbi një aktore. Teatri është magjik, fantastik dhe i drejtpërdrejtë, por natyrshmëria me të cilën përcjell filmi ndjesitë e aktorit, është i jashtëzakonshëm. Gjatë viteve të studimeve mendoja se isha e prerë për dramë, por me kalimin e viteve dhe eksperiencave që kam pasur, jam përmbysur në këtë dilemë dhe them që aktori duhet t’i bëjë të dyja.

-Momentalisht, a keni ndonjë projekt në dorë?

Aktualisht, asgjë. Nuk mund të shtirem dhe të them, kam këtë apo atë në dorë. E vërteta është që jetojmë në një kohë shumë të pasigurtë, jemi të gjithë ‘asgjëkund’. Sot kemi punë, nesër nuk kemi punë. Sot jam në maja më filmin “Krom”, pas një dy muajsh, mund të mos ta di ku jam…

– Si e shikon të ardhmen tënde si aktore në Shqipëri?

Pavarësisht terrenit ku jetojmë, kam disa vite që kam vendosur të mendoj pozitivisht dhe se ç’duhet të bëj për ta rregulluar situatën time, jo për të vajtuar pamundësitë. Sigurisht që mundësitë janë të kufizuara. Sigurisht që do të doja të isha pjesë e Teatrit Kombëtar dhe të kisha siguri absolute financiare, por jam e bindur që gjërat me punë, herët a vonë fitohen. Unë kam qenë emigrante për disa vite jashtë Shqipërie me familjen time. Ajo që di të them është se çdo fjalë shqip më mbushte sytë me lot, dëgjoja për arritjet, apo problemet në lajme dhe e ndieja veten jashtë folesë sime. Pa dyshim që jam shqiptare, dua të jetoj dhe të punoj për kombin tim, të ndërtojmë diçka të bukur këtu, por së ardhmes kurrë nuk i dihet. E megjithatë për diçka jam e sigurt: Kur vitet të kalojnë dhe unë të kujtoj vitet e mia të investimit dhe punës në këtë Shqipëri të bukur, por disi të çoroditur nuk do të kem asnjë peng. Do jem me ndërgjegjen e qetë se kam bërë më të mirën e mundshme brenda rrethanave të ofruara.

Ne rolin e nenes
Ne rolin e nenes
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *