Të jetuarit së prapthi (Sinopse dhe skica)

redaktor

Në Botën e Pasqyrave, Liza e vogël përjeton shumëfishimin e aventurave mendore.

Fjalët e Lizës me të tjerët janë si lëvizjet e kombinuara shahistike.

Ose edhe si lëvizja e pasqyrave që i përcjellin njëra tjetrës pasqyrimet, por pa sensin e kujtesës.

“E sotmja nuk mund të jetë kurrë një ditë tjetër”, vërejti Mbretëresha.

“Nuk të kuptoj”, tha Liza. “Është një gjë që më ngatërron tmerrësisht”.

“Kjo është pasojë e së jetuarit së prapthi”, i tha me edukatë Mbretëresha: “kjo që në fillim, i vështirëson pak gjërat”.

“Të jetosh së prapthi” përsëriti Liza shumë e çuditur.

“Këtë shprehje nuk e kam dëgjuar ndonjëherë”.

“Po ka një përparësi të madhe”- vërejti Mbretëresha, “sepse kujtesa punon në dy drejtime”.

Dialog i çuditshëm sa sinteza e qindra librave!

Kujtesa nuk punon në dy drejtime por në një pafundësi drejtimesh. Të jetosh jetën së prapthi nuk është ndonjë zbulim i ri.

Nga librat e Levis Carroll-it dalim kështu tek Ungjilli Post-modernist.

A është kujtesa model çlirimi, apo strukture terapie mendore?

A janë fjalët, e vërteta e sendeve, ose “fjala e bërë mish”- siç thotë Gjoni i Patmosit?

A është e pandërgjegjshmja e strukturuar si një gjuhë më vete simbolike? A është imagjinarja faza e thinjur e pasqyrave foshnja në epokën ose pas-epokën e imazheve universale?

A mund të jesh në histori dhe njëkohësisht jo në histori? A është e shkruara e jashtëshkruara? A është dikotomia vetëm metafizike? A janë ëndrrat e shëmbëlltyrëzuara një hiper-realitet?

A është relativizmi i burimësuar nga teoria e kuanteve, ai që shkatërron klishetë e historisë?

Ç’është pastërtia utopike e universeve të qelqta të ekraneve të kompjutrave- në fakt modelimi i padukshëm i gjithçkaje?

A është ky modelim kompjuterik shumëfishimi i ngjashmërive dhe jo i dallimit?

A është Bota e Çudirave e Lizës, realiteti i stimuluar i Disneyland-it? Ç’është iluzioni perpetuum mobile i parqeve të lojërave elektronike?

A është Post-modernizmi i sotëm një guidë grafike e konceptit marrëzisht enigmatik? A është karaoke arti “vox pop” i performancës? Po Zampping-u, ndërgjegjja zero e padurimit pa thellësi?

A janë arti, feja, shkenca të avulluar nga kulti tiranik i parasë?

Vërtet stresi e menaxhon botën, dhe kaosi menaxhon rregullin?

A ekzistojnë dy të tashme: një reale dhe tjetra dematerializim i reales?

Sa pamundësi mënyrash ke të jetosh jetën së prapthi?

Të jesh Migjen dhe njëkohësisht Jezu Krisht?

Të jesh në Golgota e akoma më përpara saj në Hiroshimë?

Të jesh njeri, pa qenë i detyruar biologjikisht të jesh më parë majmun antropomorf? Të jesh metaforë, pa qenë send apo qenie?

E pra çdo të thotë të jetosh së prapthi?

Të jesh edhe Liza edhe Mbretëresha njëkohësisht? Si mund të gjurmojmë vragën e rrënjëve gjenealogjike të të jetuarit së prapthi?

Të të jetuarit së prapthi në art, në filozofi, në kalendar? Ç’janë këto labirinte plot pasqyra të panumërueshme dot? A jemi ne këto pasqyra, apo pasqyrat janë ne?

A jemi kopje të vetvetes, apo thjesht kopje të të tjerëve? Dhe ç’janë të tjerët? Thjesht projektimi jonë i fragmentizuar?

A ekzistojnë ende rrëfimet e mëdha të historisë?

A jemi qytetarë të klonuar të virtuales absolute?

A është eskatalogjia “fundi i historisë”? A është trans-historikja natyra e sterilizuar?

Kanë vdekur dyshimet? Shpresat? Poezia?

A ka shpëtim?

Ah, përbindëshi kolosal, shumëkokësh i mediave HD që na ka përpirë të tërëve!

Sa parake pasqyrat e Lizës!

Ç’kanibalizëm i përshpejtuar! Aleluja!

 

ORIHALLKU

Në Bibël përmendet një metal më i çmuar se ari, i quajtur Orihallk.

Nuk dihet se ç’ka qenë ky metal kaq i rrallë dhe kaq i pazakontë.

Megjithatë ari është në krye të të gjitha elementeve të çmuara nga njeriu.

alikimisti david teniers 1600Kjo është arsyeja që profeti poet, po aq i talentuar sa Shekspiri dhe Dantja, hebreu Isaia (13-12) do të thonte: “Do ta bëj njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar”.

Ndihet në këtë ide të skajshme katastrofa ekologjike e fundit të mijëvjeçarit të dytë, koncepti i zhdukjes së njerëzimit për shkak të mëkateve ndaj Zotit, që përgatitet nga katastrofa morale dhe mosrespektimi i vetë natyrës dhe i planetit.

Le të themi se Orihallku, më i rrallë dhe më i çmuar se ari, ka ekzistuar, por tashmë nuk ekziston më. Ky është një konvencion drithërues, epistemologjik.

Isaia do të refuzonte përvujtërisht, profetikisht, por jo dhe aq poetikisht të thoshte se njeriu i vdekshëm, që ende mëton të jetojë si qenie autentike njerëzore të jetë më i rrallë, pra edhe më i pagjetshëm se Orihallku

Kjo do të thotë të përdorësh në arsyetim një gjë të panjohur (dikur të njohur) në afërsi me një gjë të njohur (ende të njohur).

Orihallku nuk shënohet në Tabelën e Elementeve të Mendelejevit. Por kjo s’ka rëndësi substanciale.

Orihallku ka ekzistuar si Atlantida që s’ekziston më.

Një shpatë prej Orihallku do të ishte shpata e simbolikës të shumëfishtë të tërë shpatave të heronjve dhe vrasësve të pamëshirshëm.

Një raketë kozmike e bërë me metalin Orihallk do të arrinte (mbase) infinitin.

Një majë stilografi prej Orihallku do të tejkalonte në shkrim tekstet fantazmagorike të Jonathan Swiftit, ose të Migjenit (pa harruar Daniel Arnaut-in dhe Georg Trakli-n).

Kurse një kompjuter me Orihallk mundet të qe i parealizueshëm dot, ndonëse i hamendësuar.

Orihallku. Metal biblik? Atë që e di Jahovai, nuk e di Ajnshtajni?

Metal përrallor? Realitet apo shpikje e tij?

Referencë apo mungesë e pranisë?

Njeriu midis Orihallkut dhe arit është (apo nuk është?) përsëri njeriu? Njerëzimi shtohet. Individi bëhet përherë e më i vetmuar.

A do të jetë historia e re negativi i historisë së vjetër? A do të jetë pasardhësja e kundërta e paraardhëses?

A do të kemi një estetikë të vdekjes së individit dhe jo një biografi reale të tij? Qielli i ideve duket i zbrazët.

Bioteknika është simulacrum.

Koha e plogët e polemikave po bëhet sterile.

Ka një paradoks: dekreti i vdekjes së njeriut shoqërohet (paraprihet) me kërkesën e pavarësisë së tij absolute.

Duke vdekur njeriu, a nuk vdes dhe Zoti?

Profeti Isaia a mund të jetë kështu kipci i Fridrih Niçes përpara 26 shekujve?

Ari është kulti tiranik i botës së sotme post-moderne, ose post-teknologjike.

Ari është ende, por Orihallku nuk është.

NASA nuk interesohet për Orihallkun.

As poetët, as filozofët! Politikanët jo e jo!

Orihallku është utopia për të qenë më shumë se të rrallë, pra edhe më shumë të çmuar në pambarim.

Ajme!

 

KIBERNETIKA SAMURAJASE

Në tekstin sumer të Eposit të Gilgameshit ka disa befasira.

Heroi Gilgamesh u përball me Hyjneshën Inanna.

Në tekst thuhet se hyjneshën e shoqëronin disa qenie “që nuk e njihnin as ushqimin, as ujin dhe as bukën”.

Një nga këto qenie me pamje njeriu i doli Gilgameshit të pafrikshëm.

Gilgameshi atëherë klithi: “Para se ta vras këtë burrë, po të jetë burrë, para se ta vras këtë Hyjni, po të jetë Hyjni, nuk dua të hyj në tempulYoshitsune-Benkei_paintingl. Ai që nuk e ka parë këtë qenie është trim, por kur e sheh dridhet nga frika!”

Gilgameshi, ndonëse i pavdekshëm, e përjetoi frikën.

Ç’duhet të ndodhte ahere me vdekatarët e brishtë?

Bëhet fjalë për robotët humanoidë në lashtësinë më të hershme?

Arkiti i Tarantos që jetoi në vitet 400 dhe 365 para Krishtit prodhoi (e përshkruan historiani Aulo Gellio) , një pëllumb vigan druri që ishte në gjendje të fluturonte.

Në romanin “Satyricon” të Petronit në kohën e perandorit Neron dhe të filozofit stoik Seneka flitet për një figurë argjendi të sjellë në banketin e kryepersonazhit Trimalkon “të krijuar në mënyrë të tillë që po të lëvizje disa fije, gjymtyrët dhe vertebrat lëviznin, duke marrë figura- pozicione të ndryshme.”

Akoma më herët faraonët egjiptianë kishin lodra fëmijësh vetëlëvizëse, madje edhe mace mekanike.

Në Amsterdam të Holandës në një Muze, ruhet ende sot një njeri mekanik egjiptian që i takon viteve 1300-1200 para Krishtit, që me lëvizjet e tij gatuan brumin e bukës.

Mitet greke flasin për qen molosë floriri dhe argjendi, të pavdekshëm dhe pa moshë, që ruanin pallatin e Alkinoit dhe kopshtet e tij përrallore në Kërkyrë.

Në shekullin XIII, Alberti i Madh, filozof, dijetar alkimist për 30 vjet rresht, e bëri një krijesë në trup njeriu, me metale të çmuara “të ndikuara nga lëvizjet e trupave qiellorë”, pra sipas ndikimeve të veçanta astrologjike, që e përdorte si një shërbëtor të devotshëm, i cili u hapte portën vizitorëve, përkulej para tyre dhe u thonte fjalë përshëndetëse.

Tregohet se një ditë Shën Thoma Akuini, teologu erudit dhe i rreptë shkoi në pallatin e Albertit të Madh, duke mos ditur asgjë më parë për këtë krijesë artificiale, u tremb shumë kur e pa befas përballë dhe shqiptoi fjalët eksorciste “Vade retro Satana!”

Shenjtori i përkorë e goditi atë me shkopin e tij dhe e thau, kjo gjë u quajt si një metaforë e inkuizicionit të bekuar dhe të dlirë.

Më 1509 Leonardo Da Vinçi e bëri për mbretin francez Luigji XII i Francës një luan metalik, që përshkonte sallën ku ndodhej froni mbretëror, ulej përpara mbretit, hapte gjoksin me putrën e majtë, duke nxjerrë një pëlhurë me vizatime dhe piktura të armatave franceze.

Një italian tjetër Juanelo Turriano nga Verona ndërtoi për Karlin V të Austrisë një ushtri të tërë me robotë, me kavaleri, këmbësori e deri dhe anije vetëlëvizëse.

Në shekullin XVIII një farë inxhinieri Wolfgang Von Kemplen ndërtoi një manekin, Turkun e Shahut. Ky robot qe lojtar shahu i shkathët dhe fitimtar.

Ishte në gjendje të mundte çdo njeri.

Shpenzimet për këtë robot u hoqën nga Napoleoni dhe Frederiku II, i Prusisë.

Faktet e mësipërme duken anekdotike, por e kapërcejnë çdo nënvleftësim skeptik.

Të gjitha këto janë një rikthim tek Gilgameshi.

Një lëvizje mbrapsht në kohë në emër të së ardhmes së pasigurtë.

Për të mbërritur në lëvizjen parambrapa në epokën delirante dhe të sofistikuar të kompjuterëve dhe të fantazisë kibernetike, tek koncepti “Cyborg”

Post-Modernizmi na trishton.

Ky zhgënjim është frika gilgameshase. Peizazhe të kulturizuara nga virtualja. Ku bukuritë natyrore janë të përjashtuara.

Pushteti mitik i kompjutrave, sterilizon imagjinatat rebele. Primitivja, parakja janë të pakapshme. Janë mungesë.

Universi ngjan teatral, por prej strukture interneti.

Ka estetikë të dekorit, por jo më natyrë të egër. Kuptimet i braktisin sendet dhe koncentrohen, mërgohen tek simbolet.

S’ekziston më dallimi kritik midis natyrës dhe kulturës.

Transcendentalja humbet në humbëtirë. Hapësirat janë qerthullore dhe të puthitura, stoli luksoze, pa brenga, pa joshje, pa shqetësim.

Janë neutralitet pa objekt, palëvizshmëri në lëvizje.

Kompjutrat administrojnë mendjet. Krenaria e poetikës është numerizuar.

Utopia grishëse është kthyer në formula pa shpirt.

Who knows?

Ngjarjet artificiale kanë amuluar historinë.

Nostalgjia është një relike e subkoshiencës dhe instinktet janë skandale. Kjo është pafuqia e fuqisë.

Gilgameshi përjeton parajsat artificiale por s’bëhet dot Bodler.

Shenjtorët janë protagonistët e harruar të një Apokalipsi të ngadalësuar.

Çdo gjë është ç’materializim optik, stereokulturë narciziste, sekretim i duplave pafund, mjedis fluoreshent, xixëllues, efekte digjitale të ekranit, por jo të shpirtit.

Po Gilgameshi? Ah, Gilgameshi!

Ne jemi Gilgameshi, mutantë të tij mosbesues dhe të sfilitur.

Jetojmë biologjikisht vetëvrasjet tona mendore.

Blasfemojmë për të qenë akoma më imagjinarë, pra më fantazmorë.

Kalendarin e kompjuterëve e kemi skenarin tonë të Armagjedonit.

Jemi megjithatë neutrone vezulluese, por pa arsyetime në betejë.

Jemi mizanskena të futurologjisë, por jo subjekti i saj.

Stimulojmë zanafillat me qeniet që na ngjajnë, por që s’janë ne.

Share This Article
4 Comments
  • Me erdhi per te qeshur kur verejta se deri me tani, ora 23.00 e dates 11 shtator, nuk ka asnje koment per keto sofizma te Mojkomit. Lexuesit ose nuk kane kuptuar asgje nga vagezimet e Mojkomit ose kane thene me vete:”Paska ikur i shkreti”. Ne tevertete ky shkrim eshte plot me haperdime fillozofike jo shume te tretshme.

  • Pyetjet qe lindin prej sjelljes njerezore dhe mbi te gjitha metafizika, perbejne nje tematike qe prek persiatjet e shume pak njerzve ne rang boteror. Profesori deshmon nje nivel shume te larte epistemologjik. Duhet falenderuar ekzistenca e nje dijetari te tille. Pak njerez e kuptojne sec thote, megjithate, ata qe se kuptojne skane pse merziten sepse mjafton ta shajne mendimin superior te profesorit dhe ja ku e lartesuan veten.

  • Lexova pak mbi epistemologjine
    ne te vertete interpretohet si teoria e njohjes, por e perkthyer nga greqishtja duhet te jete teoria e besimit, ose arsyetimi mbi besimin jo fetar, por te krahasimit te dy grupeve,
    te vertetes, dhe asaj qe besojme ne qe ndodh.
    Eshte interesante, po e kalon dimensionin ose hapesiren e nje komenti.
    Prandaj dhe komentet jane te rralla se kerkojne nje mendin te qarte filozofik, dhe aq me teper original, ose te pakten gjykimi ndaj tij te jete original.
    Po kjo nuk behet me njohje te siperfaqshme qe besoj eshte dhe tema e diskutimit te profesorit.
    I perket nje sfere tjeter mendimi- orihallkut te enderave te cdo personi: Persosmerise

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *