Moikom Zeqo
Në Botën e Pasqyrave Liza e vogël përjeton shumëfishimin e aventurave mendore.
Fjalët e Lizës me të tjerët janë si lëvizjet e kombinuara shahistike.
Ose edhe si e pasqyrave që i përcjellin njëra tjetrës pasqyrimet por pa sensin e kujtesës.
“E sotmja nuk mund të jetë kurrë një ditë tjetër”, vërejti Mbretëresha.
“Nuk të kuptoj”, tha Liza. “Është një gjë që më ngatërron tmerrësisht”.
“Kjo është pasojë e së jetuarit së prapthi”, i tha me edukatë Mbretëresha: “kjo qe në fillim vështirëson pak gjërat”.
“Të jetosh së prapthi” përsëriti Liza shumë e çuditur. “Këtë shprehje nuk e kam dëgjuar ndonjëherë”.
“Po ka një përparësi të madhe” vërejti Mbretëresha, “sepse kujtesa punon në dy drejtime”.
Dialog i çuditshëm sa sinteza e qindra librave!
Kujtesa nuk punon në dy drejtime por në një pafundësi drejtimesh.
Të jetosh jetën së prapthi nuk është ndonjë zbulim i ri.
Nga librat e Levis Carroll-it dalin kështu tek Ungjilli Post-modernist.
A është kujtesa model çlirimi, apo strukture terapie mendore?
A janë fjalët e vërteta e sendeve, ose “fjala e bërë mish” siç thotë Gjoni i Patmosit?
A është e pandërgjegjshmja e strukturuar si një gjuhë më vete simbolike?
A është imagjinarja faza e thinjur e pasqyrave foshnja në epokën ose pas-epokën e imazheve universale?
A mund të jesh në histori dhe njëkohësisht jo në histori?
A është e shkruara e jashtëshkruara?
A është dikotomia vetëm metafizike?
A janë ëndrrat e shëmbëlltyrëzuara një hiper-realitet?
A është relativizmi i burimësuar nga teoria e kuanteve ai që shkatërron klishetë e historisë?
Ç’është pastërtia utopike e universeve të qelqta të ekraneve të kompjutrave në fakt modelimi i padukshëm i gjithçkaje?
A është ky modelim kompjuterik shumëfishimi i ngjashmërive dhe jo i dallimit?
A është Bota e Çudirave e Lizës realiteti i stimuluar i Disneyland-it?
Ç’është iluzioni perpetuum mobile i parqeve të lojërave elektronike?
A është Post-modernizmi i sotëm një guidë grafike e konceptit marrëzisht enigmatik?
A është karaoke arti “vox pox” i performancës?
Po Zamping-u si ndërgjegjja zero e padurimit pa thellësi?
A janë arti, feja, shkenca të avulluar nga kulti tiranik i parasë?
Vërtet stresi e menaxhon botën dhe kaosi rregullin?
A ekzistojnë dy të tashme: një reale dhe tjetra dematerializim i reales?
Sa pamundësi mënyrash ke të jetosh jetën së prapthi?
Të jesh Migjen dhe njëkohësisht Jezu Krisht?
Të jesh në Golgota e akoma më përpara saj në Hiroshimë?
Të jesh njëri pa qenë i detyruar biologjikisht të jesh më parë majmun antropomorf?
Të jesh metaforë pa qenë send apo qenie?
E pra çdo të thotë të jetosh së prapthi?
Të jesh edhe Liza edhe Mbretëresha njëkohësisht?
Si mund të gjurmojmë vragën e rrënjëve gjenealogjike të të jetuarit së prapthi?
Të të jetuarit së prapthi në art, në filozofi në kalendar?
Ç’janë këto labirinte plot pasqyra të panumërueshme dot?
A jemi ne këto pasqyra, apo pasqyrat janë ne?
A jemi kopje të vetvetes, apo thjesht kopje të të tjerëve?
Dhe ç’janë të tjerët?
Thjesht projektimi jonë i fragmentizuar?
A ekzistojnë më Rrëfimet e Mëdha të Historisë?
A jemi qytetarë të klonuar të virtuales absolute?
A është eskatalogjia “fundi i Historisë”?
A është trans-Historikja natyra e sterilizuar?
Kanë vdekur dyshimet?
Shpresat?
Poezia?
Apo jemi loja dhe rebusi i kibernetikës?
Instrumente të industrisë së Simulacrum-it?
A ka shpëtim?
Ah, përbindëshi kolosal, shumëkokësh i mediave HD , që na ka përpirë të tërëve!
Sa parake pasqyrat e Lizës!
Ç’kanibalizëm i përshpejtuar!
Aleluja!

moikom, te lexoj e me pelqen.,, por ketu po i hyn nje fushe qe nuk njeh mire. E para relativiteti nuk ka asnje fare lidhjeje me fiziken kuantike , vete ajnshtajni i kishte bezdi e nuk i besonte teorite e kuantit. Nga aty i doli dhe shprehja drejtuar Borit ,,,nuk besoj qe zoti luan me zare me gjithesine…Historia zakonisht ndalet ketu po pergjigjja e Borit eshte me e bukur…Leje zotin te luaje si te doje…E dyta , Lewis Carroll (Charles Lutwidge Dodgson) ishte nje matematicien i specializuar ne fushen e logjikes matematike, Nuk eshte e thjeshte te kuptosh gjeegjezat e tij te Alice ….ne kete rast ke ngaterruar rruge por jo per faj tend