Të katandisesh në “Nishan”

redaktor

Edhe në qoftë hipokrite – gjë që nuk përbën ndonjë çudi – vizitat që bëjnë politikanët tanë në selitë e komuniteteve fetare në raste festash, e kanë anën e tyre të mirë, duke krijuar një tablo paqeje mes dy domeneve: politikës dhe besimit. Por ajo çfarë duhet rregulluar në këtë tablo, janë deklarimet e politikës tek dyert e selive. Ato janë aq të varfra, aq pak kuptim, aq parazite, aq pa lidhje, sa do ishte më mirë që të paktën vetë gazetarët të mos u drejtonin asnjë mikrofon, por thjesht të vilnin pamje, për t`i “amabalazhuar” në redaksitë përkatëse si ‘tekste me mbulim’, siç quhen në gjuhën profesionale. Për çdo rast, frazat e fjalët janë po ato, vetëm me ndonjë ndryshim vendi, të tipit: “ditë e madhe” (po pse?!), “ditë e sakrificës” (nga e di që është e sakrificës?!), “ditë e bamirësisë” (kush ta tha?!), (ditë kur gjithë shqiptarët….(mbi ç`sondazh bazohesh për këtë?!). Për të tilla raste, o të njiheshin paraprakisht me kuptimet dhe mesazhet e drejtpërdrejta të festave, ose, meqë nuk enden në ujrat e besimit, të mjaftohen me urime korteziale drejtuar klerikëve ose besimtarëve, pa tentuar të bëjnë të mençurin dhe në punët e fesë, që më pas të katandisen në “Nishan-ër”, që flasin e nuk dinë ç`thonë, ndryshe nga ligjërimet në politikë, ku flasin e dinë ç`thonë, por thonë gjithnjë atë që nuk e bëjnë!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *