Para se Doktori të fliste në parlament për arritjet e qeverisë këtë vit dhe renditjen ndërkombëtare të Shqipërisë sa i takon mirëqenies, thirri Tan Hoxhën që merret me studime bashkëkohore për t’i treguar se si llogaritet rankimi i mirëqenies në botë.
-Është shumë e thjeshtë, i tha Tani. Merret një familje në Shqipëri dhe një familje në botë. Duhet të jenë të njëjtin rang, së paku personat që krahasohen. Krahasohen të katërt rastet, përpjesëtohen me 4 dhe del një koeficient, i cili pastaj vendoset në një tabelë ku janë dhe vendet e tjera dhe aty del koeficienti.
-Ashtu, tha Doktori. Po si i bëhet për rastin tonë, që ta bëj sa më bindës?
-Po ja, unë kam marrë për shembull familjen tuaj se zakonisht zgjidhen familje të njohura. Kam krahasuar të ardhurat e tua me të Obamës, të ardhurat e Argitës, meqë quhet si zëvendësja jote, me të zëvendëspresidentit Xho Bajden, të ardhurat e gruas tuaj me Mishel Obamën dhe të ardhurat e Zenit me të Çelsi Klintonit se kanë një moshë. Atëherë çfarë rezulton. Rezulton se ti kursen në një vit më shumë se Obama nga paga jote, biles tek ky rast ka një fenomen pozitiv pasi ti kursen në fund të vitit më shumë se sa merr pagë, çka do të thotë që në vend koeficienti i mirëqenies është shumë i lartë pasi investimet tek ty prodhojnë më shumë mirëqenie dhe kursim se sa shpenzime. Pastaj vjen Argita. Ajo është pedagogia më e paguar në botë kështu që krahasimi me pedagogë të Harvardit nuk vlen. Atëherë morëm anën e saj politike. Meqë ajo përflitet si mëkëmbësja jote, e krahasuam me Xho Bajden. Janë njësoj në të ardhura, por Argita kursen më shumë në fund të vitit. Dhe kjo është një shenjë se këtu mirëqenia është e lartë dhe të ardhurat prodhojnë aq shumë mirëqenie sa të ngelen shumica e tyre pa harxhuar. Pastaj morëm Lilin. Kjo ishte e pakrahasueshme me Mishelën, pasi aq të ardhura sa merr Mishela, kjo i mbledh në një ballo bamirësie. D.m.th nuk mund të krahasohen dhe kjo e rrit koeficientin. I fundit, Zeni. Këtë e krahasuam me Çelsi Klinton se Obama i ka fëmijët e vegjël. Meqë janë një moshë, koeficienti rritet shumë pasi Çelsi fiton me punë të rregullt më pak se Zeni, i cili konsumon disa telefona në ditë dhe mbledh nja 200 mijë euro. Tani vihen njëri mbi tjetrin këto, të ardhurat përpjesëtohen, del një shifër, e mbledh atë me njëra- tjetrën dhe i pjesëton me katër dhe del një koeficient. Ne e lëmë mbrapa SHBA në këtë pikë. Para nesh është vetëm Suedia, Norvegjia dhe Zvicra.
-Paskemi ecur shumë, i tha Doktori shumë entuziast. Ky vend ka ecur Artan. Shiko, më kujtohet kur ky vend nuk kishte më shumë se gjashtë ditë bukë se duket sikur ka gënjyer ai Ylli Bufi, po ka thënë të vërtetën. Pas 22 vitesh tani jemi të katërtit në botë. Kjo asht arritje historike. Jo, duhet me e thënë me të madhe këtë kudo. Do ta them në parlament.
-Thuaje Doktor, por shmangi këto metodat e llogaritjes se mos e marrin për ters. Ne e kemi marrë rastin e Familjes se ajo na nderon si komb.
-Patjetër do t’i heq. Sqaroj vetëm pjesën teknike. Po shiko…, dëgjo, kjo është një arritje e madhe. Këtu ka vërtet njerëz që nuk duan të shikojnë dhe vesh që nuk duan të dëgjojnë, po kjo është një arritje. Ma thoshte shpesh bija, babi ne po ia kalojmë gjithë botës nga mirëqenia, por mendoja se e kishte nga entuziazmi si tifoz e imja. Qenkemi vërtet në krye të listës. Të përshëndes.
Humor nga rubrika:
Antena brenda Familjes