Studentët e infermierisë që vinin nga universitet private filluan një protestë e cila ka shkuar deri në grevë urie sepse askush nuk po merrte parasysh kërkesat e tyre. Deri këtu është gjithçka në rregull, pasi nëse disa persona protestojnë për një të drejtë të mohuar sipas tyre dhe askush nuk i dëgjon, ato mund të shkojnë deri tek greva e urisë si një mënyrë ekstreme që kërkesat e tyre të dëgjohen. Nuk do merrem të analizoj nëse kanë të drejtë studentët apo jo, pasi është fakt që kostot e fakultetit janë më të mëdha me ardhjen e këtyre studentëve, po ashtu është fakt që pagesa e tyre është disa herë më e lartë se e kolegëve të tyre. Vështirë të besohet se kjo pagesë kaq e lartë e justifikon koston e rritur, por këtë duhet ta argumentojë ministria. Pjesa shqetësuese është fakti se në portalet online filluan të qarkullonin lajmet se një pjesë e këtyre studentëve ishin në forumet rinore të PD-së, nga verifikimet rezulton një lajm i vërtetë. Menjëherë pas këtij fakti forumi rinor i PS-së gjeti një mënyrë tjetër për t’u bërë pjesëmarrës në këtë protestë, dërgoi aty disa studentë që kërkonin lirimin e ambienteve sepse dëshironin të zhvillonin mësim. Kjo është pjesa më e keqe e kësaj proteste, përdorimi i protestave për qëllime tërësisht politike. Për të qenë realist, këtë lojë e filloi PD-ja dhe më pas e ndoqi PS-ja me forumet rinore respektive. Do ishte shumë herë më e ndershme dhe do kishte më shumë efekt nëse forumi rinor apo ish-ministri i arsimit i PD-së do të dilnin në deklaratë për shtyp në mbështetje të kërkesave të këtyre studentëve dhe më pas t’i bashkëngjiteshin asaj. Do ishte një gjë krejt normale për një parti opozitare. Por mënyra e zgjedhur nga PD-ja është një tjetër dhe e gabuar, ajo i çoi mbështetësit e saj më parë aty dhe ndoshta ato i shtyn dhe më shumë studentët drejt grevës së urisë. A thua sikur në këtë vend kaq të vogël lajmi nuk qarkullon shpejt dhe a thua sikur nuk kuptohet qëllimi i vërtetë. Duke bërë këtë gjë, PD-ja i humbi dhe rëndësinë që mund të kishte një proteste të tillë nga ana e studentëve.
Letër e nënshkruar,
Muhamet Hajdari
