Një botë imagjinare zhvillohet brenda llambave dhe jo vetëm ku mund të gjesh: kulla, pemë, njerëz, zemra… Këto pamje të rralla i sjell nëpërmjet punës së tij, artisti Adrian Limani. Ky djalosh ka arritur që objektet më të famshme të qyteteve të botës në miniaturë, t’i fusë brenda një llambe.
Me prejardhje nga një vend i vogël siç është Presheva, qyteti i shqiptarëve në jug të Serbisë, Limani ka arritur ta kthejë vëmendjen tek vetja. “Daily Mail”, “The Sun”, “Telegraph, “The Australian”, i kanë kushtuar mjaft hapësirë punës së tij 6 muaj më parë. Normalisht që, kur një gazetë e njohur si “Daily Mail” ose “The Telegraph” publikon punën time dhe një intervistë që bën, atëherë normalisht njeriu ndihet shumë mirë”, thotë Limani. Adriani, ka edhe objektiva të tjera, përveç fotove. Ai studion në Tetovë për shkenca kompjuterike. “Kam dëshirë që të bëj një ekspozitë personale, qoftë në Prishtinë ose në Tiranë dhe shpresoj që kjo të realizohet”, thotë Limani. Ka ambicie dhe vlerësime për botën e tij imagjinare, por tani është i vetëm në botën e realitetit. Dita ka folur me të, për të na treguar më shumë për këtë pasion, për jetën e tij dhe për këto punë të rralla. Si është jeta e 21-vjeçarit Limani në Luginën e Preshevës.
Adrian, fotografitë tuaja të rralla kanë zënë faqet e medieve botërore, na tregoni diçka më shumë për këto punë?
Po, unë bëj fotografi të kategorive të ndryshme siç janë Landscape, Portrete, Kafshe, Arkitekturë etj..domethënë mundohem t’i përfshij pak a shumë kategoritë e ndryshme të fotografisë. Ndërsa sa i përket llojit të fotografisë që unë bëj më së shumti mund të them se është specifik dhe jo edhe shumë i lehtë për t’u realizuar. Bëj fotografi të kategorisë “FineArt/Surreal” duke u bazuar në fotot e mia. Duhet të kesh ide dhe imagjinatë po ashtu edhe aftësi e njohuri për t’i punuar ato. Jam autodidakt dhe kam filluar të merrem me dizajne të ndryshme që kur kam qenë në shkollën fillore. Ndërsa me këtë lloj të fotografisë kam filluar që nga mosha 17 vjeç. Si çdo fillim që është i vështirë edhe për mua ka qenë njësoj pasi qe ka kaluar kohë e gjatë deri sa kam mësuar dhe krijuar teknikat e mia gjë që mendoj se çdo fotograf ose artist i ka teknikat e tyre. Duke parë faktin që jetoj në një vend ku ky lloj arti nuk është i zhvilluar dhe i njohur shumë në shoqërinë tonë, qëllimi im ishte që të depërtoj jashtë kufijve atje ku edhe vlerësohet. Gjë që falë punës së pandalshme dhe talentit apo ideve që pata u bë realitet.
Çfarë të veçante kanë punimet tuaja?
Mënyra se si i realizoj, tematikat, idetë, objektet që përdor në kombinimin e tyre. Unë mundohem të jem sa më origjinal.
Do ta vazhdoni këtë projekt apo ide?
Punimet i bëj me shumë pasion dhe dashuri dhe besoj se ky është vetëm një fillim i mirë për mua. Natyrisht që do të vazhdoj.
Cila është gjëja më e bukur e të qenit fotograf?
Gjeja më e mirë e të qenit fotograf është se t’i mund ta kapësh një moment unik, një emocion të veçantë dhe mund ta ruash atë gjatë gjithë jetës. Të qenit fotograf është gjithashtu një hobi që më jep kënaqësi. Je emocionalisht i lidhur më shumë me gjithçka që të rrethon në botën reale, bëhesh pjesë e saj dhe mundohesh ta “ruash” atë dhe ta shpërndash më vonë.
Keni ju ambicie në lidhje me fotografinë apo do t’i përkushtoheni shkollës?
Të vazhdoj me fakultetin, por njëkohësisht edhe me punime të reja. Normalisht që, ne të gjithë kemi plane për të ardhmen mirëpo ato më pëlqejnë t’i shfaq pasi t’i realizoj.
Cila është përditshmëria juaj na tregoni pak për veten?
Bej një jetë normale. Më pëlqen thjeshtësia. Më pëlqen teknologjia gjë që jam i lidhur shumë me të dhe kalojë orë gjatë ditës. Po ashtu muzika, filmat po edhe librat me tema interesante. Dhe zakonisht kur punoj muzika çdoherë është e pranishme pasi edhe nga ajo inspirohem.
Në cilat vende ke udhëtuar për të fotografuar dhe çfarë të përbashkëte kanë shkencat kompjuterike me fotografin?
Zakonisht fotografitë i kam bërë në rrethinën e Preshevës, mirëpo kam udhëtuar në Gjermani, Shqipëri, Kosove. Shkencat kompjuterike dhe fotografia për mendimin tim në ditët e sotme janë të lidhura shumë njëra me tjetrën. Siç e dimë, sot jetojmë në një botë pothuajse e gjitha e digjitalizuar. Kudo që shkon ka kamera, smart phones të teknologjisë së lartë që vetë përmbajnë grafikë dhe rezolucione shumë të avancuara gjë që edhe fotografia çdo ditë e më shumë po merr kualitete fantastike. Dhe them se njëra pa tjetrën janë të varfëria në ditët e sotme.
Kur do të hapni një ekspozitë tuajën?
Kam dëshirë këtë vit. Por nuk mund të them definitivisht një datë. Të bësh parashikime është paska e vështirë, e veçanërisht për të ardhmen. Kështu që them se nuk i dihet.
Cilët kanë qenë faktorët që ju kanë nxitur për të ndjekur këtë zhanër fotografie?
Faktori kryesor që më nxit dhe më pëlqen të vazhdoj të punoj më shumë në këtë zhanër është vetë termi ‘Art’. Si çdo artist tjetër qoftë piktor, skulptor apo muzikant, që paraqesin frymëzimet e tyre nga zhanri që kanë, mua më ka pëlqyer gjithnjë arti dhe në këtë lëmi dhe zhanër kam gjetur veten për të shfaqur artin dhe frymëzimin që kam. Në vetvete, zhanri ‘FineArt’ të jep vërtet titullin e një artisti.
Çfarë e bën punën tuaj ndryshe nga tjerët? Çfarë aparati përdorni?
Unë bazohem në fotografitë e mia që bëj duke i kombinuar ato. Dhe kjo gjë të bën të jesh unik nga të tjerët. Aparati që përdor është Nikon D7000. Do të vazhdoj të bëj fotografi të ndryshme duke i bërë ato sa me interesante dhe tërheqëse…
Hëna
Në këtë set fotosh, shqiptari që jeton në Preshevë ka sjellë hënën, që ndodhet 400 mijë km larg tokës, pranë njeriut. Në fakt ka qenë vëllai i tij dhe hëna në fokus, por që vijnë aq reale, falë zgjuarsisë së Adrian Limanit. Hëna është një nga objektet më të përdoruar në fotografit e 21-vjeçarit Limani.
Aparati
Mjeti më i përdorur nga Limani është aparati. “Për mua fotografia është arti i vëzhgimit. Mund të gjesh diçka interesante në gjënë më të zakonshme. I bëj fotografitë me shumë dashuri, dhe dua t’i bëj objekt arti. Kur kam në duar një aparat nuk kam kurrë frikë”, thotë artisti i ri.
Në “Top 200 Best Digital Artists”
Në dhjetor të vitit 2012 fotografi nga Lugina e Preshevës, Adrian Limani, u përzgjedh për të qenë pjesë e librit/katalogut ndërkombëtar “Top 200 Best Digital Artists 2012/2013”, në të cilin u përfshinë artistët më të mirë që manipulojnë me fotografi nga tërë bota. Nga 3.000 kandidatët që u përzgjodhën vetëm 200, ndërsa Adriani është i më i riu (21 vjeç) në këtë përzgjedhje. Libri/katalogu u publikua në janar të këtij vitit të kaluar dhe shpërnda gjithandej në 72 shtete të botës. Në këtë kohë “The Telegraph”, “Daily Mail”, etj, kanë shkruar për të, madje edhe fotografitë e tij të jenë në faqen e parë të gazetave
Arti është mes nesh, duhet imagjinatë dhe talent
Prezantimi i tij është i thjeshtë: “Jetoj në Luginën e Preshevës me familjen time. Studioj për shkencat kompjuterike në “SEE University” në Tetovë. Dhe në kohën e lirë më pëlqen të merrem me fotografi pasi është hobi dhe pasioni im”. Duket e rrallë që një inxhinier të flasë me kaq pasion për artin. Por, ja që sipas Adrian Limanit, arti është mes nesh. “Arti na rrethon kudo. Duke filluar nga muzika, filmat, fotografitë etj. Në një farë mënyre, çdo ditë jetojmë me artin. Mirëpo, çfarë e lidh një inxhinier në ditët e sotme me artin? Mund të themi Teknologjia”. Për një ekspozitë të madhe? “Kam ide interesante të ndryshme mirëpo realizimi i tyre ndonjëherë është i pamundur për arsye të ndryshme. Kështu që ajo çfarë mund të them njëherë për njëherë është që në të ardhmen e afërt shpresoj të realizoj ekspozitën time të parë”.
Nuk është e vështirë të shkrepësh, të krijosh është e ndërlikuar
“Fillova të merrem me fotografi në moshën 17-vjeçare dhe ishte një ndjesi shumë e bukur. Koleksioni i parë i fotografive që kam bërë ka qenë një koleksion dimëror, ku përfshiheshin natyra dhe peizazhi”, tregon ai. Atij i pëlqen të bëjë fotografi të llojeve të ndryshme, mirëpo e veçon kategorinë ‘FineArt’ (Art i Bukur). Adriani shpreson që së shpejti të bëjë një ekspozitë personale me punimet e tij, duke kërkuar edhe mbështetjen e Ministrive të Kulturës, qoftë të Kosovës ose të Shqipërisë. “Arsyeja pse më pëlqen dhe jam fokusuar pikërisht në këtë rrymë, është sepse në të vërtetë mund të shprehësh atë çfarë ti ndjen. Sot, çdokush mund të jetë një fotograf i një rryme të caktuar dhe mund të kapë momente të bukura, mirëpo FineArt dallon nga të tjerat sepse, mendoj, jo çdokush mund të bëjë një gjë të tillë. Arsyeja pse e them këtë është se në rrymat tjera, ti bën fotografi, ndërsa në FineArt i krijon ato”, thotë Adriani.

Bravo Limani duhet te jesh shume krenar per veten tende.