Të lindurit në vitet ’80-’90, kush duhet të rivaksinohet për fruth-rubeolën

Ornela

 

Pranvera Kola  -DITA

Personat e lindur në vitet 1980-1990, si dhe personat e tjerë më të rritur, të cilët nuk janë vaksinuar, apo rivaksinuar për fruthin dhe rubeolën gjatë fushatave të vaksinimit të kryera në vitet 2001-2004, duhet të paraqiten pranë strukturave rajonale të shëndetit publik për të bërë këtë vaksinë.

Nëpërmjet një udhëzimi të shpërndarë në të gjitha poliklinikat dhe ambulancat e lagjeve, strukturat e Institutit të Shëndetit Publik kanë udhëzuar bluzat e bardha që për të gjithë personat që paraqiten pranë qendrave shëndetësore dhe i përkasin grupmoshës së përmendur, duhet të kontrollohen nëse e kanë kryer këtë vaksinë gjatë fushatave të përmendura.

Nëse personi nuk rezulton i vaksinuar, apo i rivaksinuar duhet të kryejë këtë vaksinë, e cila do të reflektohet edhe në kartelën përkatëse të individit. Sipas udhëzimit, drejtoritë rajonale të shëndetit publik, si dhe qendrat shëndetësore duhet që të raportojnë pranë këtij instituti çdo tre muaj për numrin e personave që kryejnë këtë vaksinë.

Nga ky proces përjashtohen të gjithë personat që e kanë kaluar fruthin dhe ata që kanë kryer vaksinën në fushatat e zhvilluara, e që më konkretisht janë: “Fëmijët 1-15 vjeç të datëlindjeve 1 nëntor 1985-1 nëntor 1999).

Fushata e vaksinimit për këtë kategori është zhvilluar në nëntor të vitit 2000. Po ashtu këtë vaksinë nuk duhet ta bëjnë as femrat e moshës riprodhuese që janë të datëlindjeve 1965-1985, pasi fushata e vaksinimit për to është realizuar përgjatë tetorit të vitit 2001, dhe ka vazhduar deri 2002”. Autoritetet e ISHP-së bëjnë me dije se të gjitha kategoritë e tjera duhet të bëjnë këto vaksina për shkak të ndërlikimeve që mund të mbartin këto dy sëmundje.

Kjo veçanërisht për personat që udhëtojnë në vendet ku ka pasur një riaktivizim të këtyre sëmundjeve. Kështu, bluzat e bardha duhet që të evidentojnë të gjithë personat ende të pavaksinuar me dozën bazale, apo dozën e dytë të fruth-rubeolës, të regjistruar në regjistrat themeltarë dhe që janë aktualisht banues në çdo qendër shëndetësore.

Për personat që nuk kanë të dokumentuar një dozë të dytë vaksinimi sipas fushatave, apo që paraqiten në qendër shëndetësore të ndryshme nga ajo ku janë të regjistruar, do t’ju ofrohet vaksinim në rast se janë të interesuar.

Në ditën e caktuar nga qendra shëndetësore duhet që të mbahen në gatishmëri të gjitha pikat vaksinale të përcaktuara nga drejtoria rajonale e shëndetit publik për vaksinim, ku do të hapet flakoni i vaksinës për të vaksinuar qoftë dhe një person të vetëm. “Dokumentimi i vaksinimit duhet bërë duke bashkangjitur në regjistrin themeltar një fletë të veçantë, ku regjistrohen emër mbiemër, datëlindja dhe data e vaksinimit.

Tashmë është shpërndarë vaksina e fruth rubeolës në të gjithë vendin, teksa ISHP do të vazhdojë të plotësojë nevojat e drejtorive rajonale për mbulimin e kësaj vaksine për kategoritë përkatëse. Raportimi i mbulesës vaksinale do të kryhet me një raportim të vetëm që do t’i bashkëngjitet raportimit vjetor deri në datë 15 tetor 2017”, bëjnë me dije autoritetet e ISHP-së. Nëse nuk trajtohen këto dy sëmundje mund të shkaktojnë probleme në shëndetin mendor, e mund të arrijnë deri në pasoja fatale për jetën.

Fruthi

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, fruthi është një sëmundje infektive e rrezikshme, e cila prek në masë të vegjlit, teksa mjaft e pranishme është edhe tek moshat e rritura. Të rriturit kalojnë forma më të rënda të fruthit që shkakton prapambetje mendore dhe vdekje.

Fruthi shkaktohet nga virusi “paramyxovirus”. Sëmundja transmetohet nëpërmjet teshtitjes, kollitjes dhe në raste të caktuara edhe nëpërmjet puthjes. Shfaqja e simptomave nuk është e menjëhershme. Çka do të thotë se shenjat klinike të fruthit bëhen të dukshme pas 10 ditëve nga marrja e infeksionit nga virusi përkatës.

Ndër simptomat e para që shfaqen tek pacienti janë temperatura, dobësi, kruajtje të syve, pakësim të oreksit, mund të shoqërohet me rrjedhje në hundë, kollë të thatë, më pas nis shfaqja e pikave të bardha, ose blu në brendësi të gjuhës.

Në vazhdimësi do të shfaqen skuqje të tjera në lëkurë, të cilat zakonisht fillojnë pas veshëve dhe përhapen në fytyrë, trup dhe më pas në krahë dhe këmbë. Duke qenë se është shkaktuar nga virus sëmundja nuk trajtohet me antibiotikë, përjashtuar këtu rastet në të cilat mund të mbivendosen infeksione të tjera bakteriale si rezultat i të pasurit të fruthit.

Rubeola

Rubeola është një sëmundje që dhe ajo mund të shkaktojë infeksione të trurit. Për femrat e moshës riprodhuese nëse je e infektuar me rubeolë mund të lindësh fëmijë me probleme kongjenitale. Rubeola është një sëmundje që është mjaft e shpeshtë tek fëmijët e vegjël.

Manifestohet me shenja të tilla si: “Temperaturë, dhimbje koke, rrjedhje të hundëve, ekzanteme makulopauloze, limfadenopati specifike”.

 

Sëmundjet që parandalohen nëpërmjet vaksinimit që në fëmijëri

Sëmundjet e parandalueshme me vaksinë mund të jenë të natyrës virale, si: “Poliomeliti, fruthi, rubeola, shytat, hepatit B, si dhe të natyrës bakteriale, siç janë : Kolla e mirë, difteria, tetanozi, infeksionet nga pneumokoku (meningjiti, pneumonia, infeksione të indeve të buta)”.

Në vijim gjenden të detajuara shenjat klinike që shfaqen në secilin rast. Shenjat tipke që shfaq një pacient i prekur nga poliomieliti përfshijnë: “Temperaturë e lartë, çrregullime gastrointestinale, paraliza motore-josimetrike”.

Ndërsa shenjat klinike të difterisë përfshijnë gjendje të tilla si: “Kollë, vështirësi në frymëmarrje dhe gëlltitje, temperaturë, prani të membranës në bajame, etj”. Tetanosi manifestohet me kontraktura të fuqishme dhe të dhimbshme muskulare në prani të ndërgjegjes së ruajtur, trismus, opsitotonus.

Gjithashtu një tjetër sëmundje e parandalueshme nëpërmjet kalendarit kombëtar të vaksinimit që në fëmijëri janë edhe shytat. Sipas ekspertëve të shëndetit publik duhet të dyshoni për praninë e shytave në rastet kur shfaqni simptoma të tilla si: “temperaturë, dhimbje të kokës dhe muskujve, lodhje, humbje oreksi, ënjtje të gjëndrave të pështymës apo gushës”.

Ndërsa infeksionet nga pneumokoku shoqërohen me simptoma dalluese që kanë të bëjnë me: “temperaturë, dhimbje dhe rrjedhje të veshit, dhimbje koke, kollë, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje fyti, në kuadër të meningjitit, pneumoni, otit, etj”.

Vaksinat ndihmojnë edhe në parandalimin e hepatitit B. Prania e këtij hepatit viral shoqërohet nga simptoma të tilla të dukshme, si: “të përziera, të vjella, diarre, zverdhje të lëkurës dhe syve, temperaturë subfebrile”. Në asnjë rast nuk duhet të neglizhohet në trajtim, pasi shkakton ndërlikime të rënda në mëlçi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *