Letër e nënshkruar,
Kol Rrudha
Pa shkuar te dukuria që bart dhe paqartësi, shpreh vlerësimin, duke besuar se është dhe vlerësim i mbi 80% të shqiptarëve që: Kryeqeveritari Edi Rama i erdhi Shqipërisë në çastet kur rrokullima zhbërëse, pa e ndalur kush, ecte, ndoshta drejt një fundi fatal. Më herët, si kryebashkiak, pat shkallmuar kioskëzimin katrahurë të Tiranës duke e kthyer në identitet, të gjelbëruar siç qe. Ajo vepër turpi e kryer prej të babëziturish të mëdhenj e të vegjël, shpejt do të dukej edhe në krejt qytetet, fshatra e kudo.
Ku po shkonim? Pak më vonë, i votuar masivisht edhe si kryeministër, pa hezituar korrigjoi disa nga mbrapshtitë e paraardhësit demokrat. Anuloi importet e plehrave nga bota e qytetëruar, kur ky vend edhe i pazhvilluar, edhe në rrëmujë po mbytej nga plehrat e tij. Ndërmori një reformim të domosdoshëm në fushën e arsimit, ku e keqja kish zënë rrënjë. Ndërkohë autorët e së keqes i ishin shmangur më thelbësores që bart misioni i shkollës: formimit qytetar të brezit të ri, të kulturuar e me dije reale të njehsuara me standardet e kohës. Veçanërisht në shkolla të larta private, ai mision i shenjtë, tashmë në “duar djajsh”, qe shndërruar në pazar vërtet fitimprurës, me shit-blerje diplomash sikur të qenë plaçkë si gjithë plaçkat. Janë të shumta mbrapshtitë e lëna në derë të qeverisë aktuale që presin radhën të korrigjohen. Fatkeqësisht të shumtë janë dhe politikanët, analistët e opinionistët e medias vizive e të shkruar, por dhe të huaj, rezident ose jo, të cilët naivisht apo djallëzisht, kanë zgjedhur kundërvënien dhe jo mbështetjen për kreun e saj. Sot për sot mbështetjen për Edi Ramën e konsideroj mbështetje për Shqipërinë, ndërsa kundërvënien, një parazitizëm që shërben interesa meskinësh e më keq, interesa politikë-bërësish të papërgjegjshëm për vendin e tyre.
