Studentet e mbijetuara nga aksidenti i Himarës nuk kanë marrë ende paratë e sigurimit të shëndetit që kompania siguruese iu detyrohet pasi pësuan dëmtime të ndryshme në trup nga rrëzimi i autobusit. Ato kanë paralajmëruar se do të nisin një protestë dhe për këtë kanë kërkuar mbështetjen e të gjithë studentëve. Madje studentet që tashmë vazhdojnë masterin, me shenjat në trup thonë se mund të shkojnë deri në grevë urie.
Kaltra Pollozhani deklaron se “ne ende nuk jemi dëmshpërblyer. Kompania “Sigma” ka thënë se “edhe pse ishit tek autobusi, nuk do të thotë që ju duhet të dëmshpërbleheni”, thotë Pollozhani. “Kemi shkuar më shumë se dhjetë herë pranë zyrave të kësaj kompanie që nga muaj shtator kur kemi dorëzuar dosjet deri më tani. Ato na thonë që ka ardhur fondi, por do të na prisni deri javën tjetër, e kështu na thotë gjithmonë. Vetëm një javë më parë ka qenë hera e fundit që kemi shkuar, dhe na tha që keni mangësi në dosje dhe duhet që të bëni dhe vizita të tjera mjeko ligjore. Ndërkohë që dosjet tona janë të gjitha të kompletuara me të gjithë dokumentacionin që duhet, dhe dësmshpërblimi duhet të bëhet në bazë të ekspertizave të asaj dite që ka ndodhur aksidenti”, ka thënë Kaltra Pollozhani, studentja që i mbijetoi aksidentit tragjik.
Një tjetër studente nga grupi i të mbijetuarave Alma Deda, shprehet se së fundi kompania i ka kërkuar të bëjë një skaner. “Herën e fundit që isha pranë zyrave të kompanisë së sigurimeve, më kërkuan që të bëja dhe një vizitë tek mjeku ligjor me skaner, ndërkohë që mua ma kanë ndaluar mjekët që të bëjë vizita me skaner, pasi rrezet e skanerit më shkaktojnë probleme, sepse e kam kaluar numrin e rekomanduar për të bërë vizita me rreze”.
Deda gjithashtu deklaron se zyrtarë të kompanisë i kanë thënë se ata nuk e njohin dëmin psikologjik që u është shkaktuar, për ta nuk ka vlerë. Vajzat e aksidentit deklarojnë se kërkojnë mbështetje nga të gjitha institucionet që e drejta e tyre të vihet në vend. “Ne kërkojmë të drejtën tonë, dhe nëse ata nuk do të na japin zgjidhje, do të shkojmë deri në protesta, duke mos përjashtuar edhe mundësinë për të shkuar në grevë urie” është shprehur Adiola Musaku.
Vajzat e aksidentit kërkojnë nga Avokati i Popullit dhe nga Kryeministri i vendit, që ta marrin në konsideratë kërkesën e tyre. “Ne kërkojmë që ju ta ndihmoni për një çështje kaq madhore që i mori 13 jetë njerëzish, si dhe ne na la me pasoja të rënda për shëndetin”, deklarojnë ato ndërsa paralajmërojnë se në ditët në vazhdim do të përshkallëzojnë hapat duke nisur grevën. Ato kanë kërkuar edhe mbështetjen e studentëve të Universitetit të Elbasanit për këtë protestë.