Dërguar me email
në adresën e redaksisë
Duke admiruar angazhimin personal, kurajon dhe guximin prej “të çmenduri” të këtij Kryeministri, si dhe përgjegjshmërinë qytetare me të cilën përballet, jo vetëm me rrumpallën që gjeti në terren, por edhe me shkopat që mundohen t’i vënë nën rrotë krijuesit dhe ideatorët e asaj rrumpalle, nuk mund të rrish pa pasur druajtjen se edhe ky njeri, mund të arrijë në atë pikë sa që të mos ketë më energjinë e nevojshme për të vazhduar këtë rrugë të nisur, aq të nevojshme për vendin tonë.
Më kujtohet njëherë e një kohë, se si rrinim radhë para sporteleve, për të paguar energjinë elektrike që konsumonim. Edhe rrugët ku ecnim, ishin të pastra në atë kohë. Nuk njihnim cuba apo të fortë që të guxonin të sfidonin shtetin apo Bathore ilegale që ngriheshin kuturu në tokë të huaj. Ata që mendojnë se ky vend nuk bëhet, janë gabim. “Për t’u bërë”, ka nevojë për darën e ligjit dhe sistemin politik që e respekton atë. Atyre që janë lindur pas mbërritjes së Saliut para mikrofonave të politikes, do iu duket vërtetë çudi, që shqiptarët na paskan qenë dikur “njerëz të një vendi normal”.
Lufta e këtij Kryeministri sot, nuk është as më pak e as më shumë por lufta ndaj tradhtisë kombëtare dhe atentatorëve të rendit kushtetues në Shqipëri. Instalimi nga ana e tyre, e një sistemi kryekëput hajdutërie dhe primitivizmi harbut, ka bërë që shqiptarët të ndahen gjithmonë emocionalisht nga shteti i tyre. Pa përmendur vrasjet dhe vjedhjet që kanë bërë, ky është krimi më i madh, për të cilin këto vemje duhet të përgjigjen.
Të mësuar me hajdutërinë e Viçidolit, njerëzit mendojnë se çdokush që vjen në pushtet, ka ardhur për t’i vjedhur sërish, ndaj e kanë të vështirë të ndalin vjedhjet që kanë bërë vetë deri më sot. Suksesi i reformave të kësaj qeverie, nuk do vendosë vetëm fatin personal të Edi Ramës. Shumë më tepër, ai do vendosë rrjedhën e të ardhmes së këtij vendi dhe do i japë përgjigjen përfundimtare pyetjes, nëse ky vend “bëhet” apo nuk meriton më shumë se një ordiner plak si Berisha dhe hajdutët me bollëk që i shkojnë pas.
