Trishtoi. Hapi çantën për së dyti, për së treti. Rrëmoi xhepat e palltos. Pastaj përsëri çantën, pastaj xhepat. Kështu ndodh me njeriun që ka humbur diçka… Na ka bërë vaki… Nuk bindemi kollaj për pakujdesinë, syleshësinë, miopinë, budallallëkun…
– Çfarë ke, e pyes i shqetësuar, e disi agnosticist, i merakosur.
– Po ja. Kisha celularin në çantë…ndoshta në xhep kur hypa në makinë. Ndoshta në çantë apo ku ta di unë se ku. Ishte çelular nga këto të fundit. Ma dhuroi vajza për ditëlindje… U ndala për disa minuta për të blerë diçka në dyqan. Ndoshta kur kam zbritur, kur kam hypur në makinë… Ndoshta… Më fal se jam e hutuar, e stresuar…
– Gjynah! Aq më tepër kur e ke kujtim…
– E po çfarë të bësh. Ku ta kesh mendjen më parë! Hallet, streset s`po na lënë rehat…Po do Zoti ka rënë në dorë të një njeriu të mirë dhe…
I bie numrit të celularit. Asnjë përgjigje. Këmbëngula përsëri, pastaj dhe njëherë, dhe njëherë, e për çudi:
– Alo?
– Ju lutem ky celular është…
– Po, e kam gjetur. E gjeta në çastin kur ra zilja. Mendova për keq… Në fakt dhe u tremba. Çfarë nuk po ndodh sot…! Ku jeni…? Ja për pak minuta erdha…
Ishte një burrë në mesmoshë. Dukej që në sy, në vështrim, në fytyrë që ish njeri fisnik, njeri i mirë. Tentova ta shpërblej, më tepër për mirënjohje, për atë që, në këtë botë, në këtë vend, komuniteti ku ne jetojmë të përditshmen, në punë, në udhë, në urban, në lagje, në pallat, ne fshat ka njerëz shumë të mirë. Por ishte e kotë. Ai nuk kërkonte shpërblim, ai kërkonte mirënjohje. U larguam nga ai njeri që do të desha ta bëja shok, mik të zemrës.
Me syrin e një qytetari vëzhgues, hulumtues kam dhjetra e dhjetra raste të tjera kur fëmijë, njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme, kanë treguar se, ndërmjet nesh, fryma e qytetarisë është e gjallë, e pranishme, në rinovim e në ngritje. E kam parë në trotuare, në vijat e bardha, në semaforë, në lulishte, në sportelet e pagesave të energjisë elektrike, në autobuzët urban ku qytetarët shqetësohen, revoltohen, i gjenden pranë një të moshuari, një invalidi, të sëmuri, një gruaje shtatzënë, një të dëmtuari nga vjedhësit e xhepave, të irrituar nga njerëz të pasjellshëm, antihuman e të vrazhdë…
Janë të shumta rastet kur humanizmi, dashuria e respekti i ndërsjelltë për njëri-tjetrin, janë të evidente në jetën tonë të përditshme, në ambjentet komunitare e në sportelet e shërbimet tona publike, në spitale e qendrat shëndetsore, në shërbimet bankare apo në dyqanet e shitjes…
-Ju lutem, mund të më lejoni të mbaroj punë jashtë rradhe sepse jam e pamundur të pres në këmbë?
-Sigurisht…
-Ju falenderoj bir!
I përmenda këto fakte të para ca ditëve, të të gjitha ditëve, për të thënë që, vlerat njerëzore në këtë tranzicion të vështirë e të lodhshëm, stresues e barihaj, e në përgjithësi, vlerat e shoqërisë shqiptare, nuk kanë janë zhbërë e aq më pak venitur e shuar, sic paraqitet ajo nga ekranet televizive, nga media e shkruar, nga njerëz skrupulozë e shpresëhumbur, të thëna e stërthëna nga pozitat e nihilizmit të skajshëm, për të mohuar të bukurën e së përditshmës njerëzore. Këto vlera janë në përpjekje të mundimshme për t`u riformatuar, duke u ngritur në nivele të reja, të natyrshme, jashtë diktatit, duke flakur tutje steriotipin, kornizën, njeriun stampë, manekin, plastelinë, që trashëguam në 50 vjetëshin e fundit të shekullit të kaluar.
Kur hedh këto radhë, më bie ndërmend ai kënd i çuditshëm në rajonet e policisë së diktaturës për sendet e gjetura. Më kujtohen ca çelësa të varur, ndonjë kuletë bosh, pasaportë, apo e shumta ndonjë doreshkë e shall leshi të humbur apo të harruar nga nxënësit e shkollave… Por propaganda në çerdhe, në kopësht, në shkolla, në shtyp e radio ngrinin në piedestal njeriun e ri, që në fakt nuk kishte asgjë të përbashkët me humanizmin, marrëdhëniet, ndihmën e përditshme, minijetën e rrugës, lagjes, urbanit, shkollës, familjes, komunitetit, njeriun e sëmurë e në hall, familjen pa strehë e pa ndihmë.
Në këtë drejtim mendoj se shoqëria, shkolla, komuniteti, grupi apo individi e sidomos familja, ende nuk jemi të shkëputur nga ndikimi vlerësues i sjelljes me parametrat e së kaluarës, kur shoqëria, e tërë lëndëshafti i jetës në një kolektiv, nën e për diktaturën, mbartte vlerësime të një sjelljeje stampë, të mohimit të vlerave të vërteta shpirtërore, duke paraqitur e ndërtuar modelin e njeriut të nënshtruar, të bindjes së verbër, të qëndrimeve e veprimeve brenda kornizës…
Këtu nuk do të ndalem në atë që ç`duhet bërë se sa në atë që se çfarë po bëjmë.
Ah këta fëmijët e sotëm! Ah këta të rinjtë e sotëm! Shfryrje dhe mosbesim në vlerat e reja, nihilizëm e mohim të së bukurës, fisnikes, së resë që çdo ditë e më tepër po gjen terren në shtrirje e po shëndoshët në konstruktin shpirtëror. Sigurisht që liritë e të drejtat e njeriut, në sistemin demokratik kanë dhe prurje vesesh të panjohura më parë, gjallërim të krimit, të mbylljes në jetën individuale, indiferentizmit, dasitë regjionale, fetare, disnivelet kulturore, arsimore e pasurore…
Unë jam nga ata të shumtët që besoj në mbizotërimin e sistemit të vlerave, duke menduar i bindur se sot, se shoqëria jonë po merr vlera të reja të së përditshmës në sjellje, në qëndrime ndaj vetes, ndaj jetës, në qëndrimin ndaj punës e në fund të fundit në qendrimet e në respektin ndaj njëri-tjetrit; jam me atë që besoj e çmoj faktin, që në drejtimin e punëve të këtij shteti kanë ardhur djem e vajza plot energji, që dinë të mbajnë e përgjegjësi, që kërkojnë të bëjnë shtet e jo të mbajnë pushtet, që kanë vizionin e së nesërmes, që mbështeten pikërisht në sistemin e vlerave, jashtë e në luftë me të keqen, me korrupsionin, hajdutërinë e makutërinë. Ka mote që aftësië e njeriut të shtetit (nënkupto: pusht-etit) maten me aftësitë e tij për të zhvatur, për të bërë pasuri, për të marrë të pamerituarën, djersën dhe kontributin tonë për të bërë shtet.
-I zoti filani, thonë. Sa ishte në karrike e shfrytëzoi, krijoi pasuri, jo vetëm për fëmijët e tij por dhe për fëmijët e fëmijve… duke harruar se ajo “pasuri”, (nëse mund t`a quajmë kështu në vend të makutërisë), është vënë me djersën, mundin, sakrificat e përpjekjet tona të përbashkëta për më shumë mirëqënie e dinjitet njerëzor. Këto njerëz të “zotë” janë nga ato që të vdekurin e nxjerrin nga varri e të gjallin e lenë pavarrosur, e pos të tjerave, zhbëjnë vlerat dhe dinjitetin njerëzor. Mesazhi i “zotësisë” në të tilla raste është dëmi më i madh që i bëjmë vetës, të ardhmes, fëmijëve tanë.
Përkundruall kësaj, janë të shumta rastet kur shoqëria jonë, njerëzit e thjeshtë, përfaqësuesit e bisnesit, shoqëria civile, strukturat shtetërore, ashtu, pa shumë bujë e me shumë duk, gjenden pranë njerëzve në nevojë ekonomike, në pa mundësi për t`u kuruar; njerëzve me aftësi të kufizuar, hallexhinjve të shumtë e fakirëve fatkeq, familjeve në nevojë, pakicave komunitare të diskriminuar, besimeve të ndryshme e marrëdhënieve gjinore.
Rasti që përmendëm në krye të herës nuk është ndonjë ngjarje spektakolare e vlerave, por ama nuk mund të mos pohojmë se ky fakt, e qindra të tjera, janë pjesëza të obeliskut të vlerave që mbart shoqëria jonë në këtë kapërcyell tranzicioni. Këto pjesëza përbëjnë atë risi të thjeshtë njerëzore që ti i has kudo në jetën e përditshme, që kalojnë pa u vënë re, ama të falin një kënaqësi e të forcojnë një bindje që të mirët e kësaj ane nuk janë sosur, nuk janë shuar e faruar.

BUKUR !!
nen kete ritem frenetik dhe demagogjik ,kenaqesi te lexosh artikuj te tille .
Shkrim i mire, ne fakt jashte ka ne postat e policise nje kend te sendeve te gjetura. Me pak Love prej verteti mund ta bejme jeten me te jetueshme.
Shume shume shume shume………………………
………………………….MIRE! E jo si parlamenti , gjykata ,Arjan Cani etj. etj. qe vetem cedukojen