Të mundësh kinezin me gurë natyralë

redaktor

 

Entela Resuli

Të punosh në imtësi, ndonjëherë është më e vështirë se sa të punosh në gjëra të mëdha. Edhe pse vitet e fundit ata që bëjnë punime dore nuk janë të shumtë, përsëri nuk mungojnë punimet e veçanta të cilat shkojnë paralel me tendencat e kohës.

Fjorza Mullaji ka studiuar Filologji Greke përkthim-interpretim, ndërsa tani është duke përfunduar studimet për Shkenca Politike, por ajo çka bën nuk ka lidhje me shkollën.

Një sy i vëmendshëm, një dorë e kujdesshme dhe estetike, flinte tek ajo, ndoshta e trashëguar nga babai, i cili sipas saj është një person më një imagjinatë të pakufizuar dhe i ka duart e arta. Fjorza nuk e la këtë dhunti në gjumë, prej disa vitesh realizon aksesorë të ndryshëm për vajza dhe djem.

Për të, asgjë nuk humbet, gjithçka transformohet nga një formë në tjetrën, ndaj aksesorë të vjetër ajo i kthen në të rinj dhe modernë, sigurisht, me ndërhyrjen e fantazisë së saj.

28-vjeçarja, nënë e një vajze 11-muajshe na tregon se punimet e para i ka nisur gjat

Fjorza Mullaji
Fjorza Mullaji

ë gjimnazit, përpara 9 viteve. Pas disa sprovave, ku klientët e parë ishin të afërmit dhe miqtë, sot Fjorza ka krijuar stilin e saj dhe rrethin e njerëzve që e pëlqejnë.

“Tashme punoj prej 9 vitesh me gurë natyralë, minerale dhe kristale. Punoj vetëm me çka gjendet në natyrë dhe çka nuk dëmton natyrën. Gurë natyralë të të gjitha cilësive, kristale, dru, argjend, dhe sigurisht metalin që nuk njihet shumë në Shqipëri që e quaj element FO”- tregon Fjorza për Dita-n.

“Në Shqipëri është e vështirë të jesh artizane sidomos bizhuterish, në një kohë që malli kinez ka mbytur tregjet dhe shumë pak njerëz kanë aftësinë për të bërë dallimin e cilësisë. Nëpër panaire të ndryshme ndesh shpesh individë që prezantohen si artizanë me produkte të blera me shumicë dhe gurë të ngjyrosur. Konsumatori blen produkte jo natyrore dhe sigurisht jo artizanale”- tregon artizania flokëkuqe.

14374797_10210533288426783_1575723497_o

Punime të personalizuara

“Është e vështirë të veçosh modelet që preferojnë shqiptarët, sepse nuk ka një ose dy të vetme. Deri përpara disa vitesh kisha kërkesa të tipit, bizhuteri të mëdha dhe me shumë shkëlqim, nga ato që bien në sy nga shumë kilometra larg. Fenomen që kohët e fundit është zbehur në masë, nuk është më i zakonshëm. Interesant më duket fakti që meshkujt së fundmi kanë filluar t’u bëjnë shumë dhurata të dashurave, madje edhe simbolike që nuk kushtojnë shtrenjtë”, shpjegon Fjorza, artizania që përgatit me dorë bizhuteri të ndryshme, me bazë llojet e gurëve natyralë, që lidhen ngushtë edhe me shenjat e horoskopit, për supersticiozët.

Për Fjorzën janë shtuar shumë edhe ata që duan punime të personalizuara, të cilat nuk gjenden rëndom në treg. “Edhe pse gjithmonë ekziston një pjesë e koleksionit e cila ndjek tendencat, unë pjesën më të madhe të tij e bëj me bizhuteri që nuk mund t’i gjesh kudo. Këtë vit xhufkat, bizhuteri fine dhe të holla, të mëdha rreth qafës në ngjyra pastel dhe të forta ku dominojnë nuanca të jeshiles dhe lejlasë, do jenë të domosdoshme për çdo gardërobë”.

1

Pavarësisht grupit të klientëve që ka krijuar, përsëri ka pakënaqësitë e saj në këtë drejtim. “Në Shqipëri nuk ka ardhur ende momenti për të kuptuar e vlerësuar punimet artizanale siç ndodh në vende të tjera të botës. Megjithatë, kam arritur në konkluzionin se po ia shpjegove klientit rëndësinë e asaj që ti po i shet, arrin të ndryshojë mendim. Kjo vlen për klientët që duan të të dëgjojnë e të mësojnë, sepse ka edhe nga ata që nuk duan ta besojnë atë që unë u shpjegoj në detaje, sepse jo shumë kush i njeh llojet e gurëve natyralë dhe vlerën e tyre. Për të qenë e sinqertë, shqiptarët në përgjithësi janë natyrë mosbesuese sidomos kur i them çmimin, sepse e krahasojnë me dyqanin me emër që i tregton pothuajse të njëjtat produkte me çmime shumë më të shtrenjta”, tregon Fjorza. Sipas saj, ky fenomen ndodh sepse një pjesë e konsiderueshme personash nuk janë njohës të gurëve natyralë apo të perlave të kultivuara, materialet që ajo përdor për punimet e bizhuterive artizanale. Artizania thotë se i vjen vërtet keq që ka një mungesë të thellë të njohjes së gurëve dhe punimeve artizanale. Sipas saj, kjo mungesë informacioni bën që kristalet Swarovski psh, të cilat janë thjesht qelq tepër i pastër, të tregtohen aq shtrenjtë, sa nuk e kanë vlerën në të vërtetë.

14408015_10210533286066724_681296269_o

“Mineralet janë magjepsëse dhe kanë shumë fuqi”

Për të qenë brenda kësaj “bote” por edhe për t’u informuar dhe frymëzuar, ajo merr pjesë në panaire si në Shqipëri dhe jashtë saj. Për të çmimi më i madh është ai që merr nga klientët kur mbeten të kënaqur, por sigurisht që edhe çmimet e marra nëpër evenimente të ndryshe si së fundmi në Bosnje janë të rëndësishme. Momente të tilla për të janë një shtysë për të bërë bizhuteri edhe më të bukura.

Nga vijnë kërkesat? “Nga kushdo, nuk mund të përjashtoj kërkesa specifike për nuse ose nga politikanë për evente speciale dhe me tematika të caktuara. Bizhuteri këto të fundit që punohen me shumë merak. Unë përdor bizhuteri të ndryshme gjatë periudhave të ndryshme. Këtë sezon jam e dhënë pas byzylykëve. Por gjithmonë bizhuterinë që më pëlqen më shumë nuk e nxjerr në shitje”.

Fjorza nuk bën vetëm këtë punë. Duket se riciklimi i objekteve dhe rikthimi i tyre në të reja është ajo që do më shumë. “Unë merrem me shumë gjera njëkohësish, por që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Mbledh mobilie të vjetra dhe i modifikoj, pas bizhuterive ky është aktiviteti që adhuroj më shumë. Kohët e fundit kam nisur një koleksion me çanta të pikturuara me dorë i cili do jetë gati për Krishtlindje. Gjithmonë kam qenë e kënaqur që puna ime është pasioni im”- thekson Fjorza.

2

Puna e saj nuk ka kohë e as vend. Gjithmonë, kudo që shkon ka me vete gurë dhe zbukurime për të bërë bizhuteri, si të paramenduara, si të çastit. Për të është puna që dëshiron, por kjo nuk do të thotë se është e thjeshtë. “Kjo që bëj nuk është e thjeshtë, do t’i kushtoj shumë kohë, duhet të udhëtoj që të gjej mineralet, dhe pa përmendur problemet me shtyllën kurrizore”.

3

Guri i preferuar? “Nuk kam një gur të preferuar, unë i dashuroj të gjithë, secilin për arsye të ndryshme. Mineralet janë magjepsëse dhe kanë shumë fuqi. Unë përqendrohem te çka ka nevojë klienti dhe atë i sugjeroj. Lëndën e parë e gjej qoftë nëpërmjet gjeologëve, qoftë në dyqane që kanë këtë profile. Varet se çfarë kërkoj gjatë periudhave të ndryshme. Materialet më të çuditshme… dru, pjesë nga kanoçe coca-cola, gur deti dhe produkte të tjera të natyrës”.

Ndodh shpesh që, pavarësisht orientimit dhe shkollimit që merr në jetë, të bësh punë të ndryshme. Si Fjorza ka edhe shumë të rinj, megjithatë përsëri, dija që merr e gjen gjithmonë rrugën se si të të ndihmojë.

14408984_10210533288066774_1484047099_n

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *