Vizita e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga në Tiranë, e para zyrtare si e tillë, ndoshta la pas një “skandal mediatik” si mungesa e shumë ministrave dhe kryeministri në sallën e Parlamentit teksa ajo mbajti fjalën përshëndetëse. Por kjo më shumë është një “çështje” e kërkuar sesa reale. Vetë Rama pati një takim kokë më kokë me vizitoren e lartë, disa ministra të tjerë kishin axhendë të konfirmuar aktivitetesh të tjera. Padyshim që mund t’i kishin kolauduar më mirë oraret, sepse ishte vizita e kryetares së shtetit tjetër shqiptar në rajon. Por problematikat që la pas kjo vizitë nuk janë ceremoniale, as protokollare.
Historia e freskët Shqipëri-Kosovë flet për fjalime të zjarrta dhe afshe patriotike nga të dyja anët e kufirit, duarshtrëngime e përqafime para aparateve fotografike, por shumë pak përparim në atë që duhet të ishte fusha e vërtetë e afrimit mes dy vendeve dhe dy gjysmave të një populli: Ekonomia. Takimet e përbashkëta publike mes dy kabineteve qeveritare dhe firmosjet e marrëveshjeve mund të jetë një hap i mirë, i pari për imazh dhe i dyti për lehtësimin e burokracive. Por në terren jemi krejt ndryshe. Jo më larg se para pak ditësh kreu i Dhomës sonë të Tregtisë dhe Industrisë, z.Jaka theksonte në një intervistë për shtypin e Prishtinës se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe bizneseve të tyre është thjesht “frymë”, jo fakt konkret. Radhët e gjata në kufi, betejat e herëpashershme tregtare për patatet, çimenton, miellin etj, ankesat për doganën, ku mauneve të Kosovës u duhet të paguajnë taksë ekstra nëse kanë më shumë naftë në serbator sesa 100 apo 150 litra etj. Edhe kur bëhet tregti e këmbime tregtare, këto janë fryt lobimesh e klanesh në qeveritë e dy kryeqyteteve, sesa rrjedhim normal i konkurrencës së lirë dhe leverdisë dypalëshe.
Në takimin e tyre, dy ministrat e Bujqësisë Panariti e Krasniqi, nuk mund veçse ta pranonin se “duhen sheshuar ngërçet mes dy vendeve” dhe se “po punohet në këtë drejtim”. Por sa herë janë dëgjuar këto shprehje?
Kësisoj, pavarësisht se sa herë do vijë presidentja apo kryeministri i Kosovës në Tiranë dhe tanët në Prishtinë; pavarësisht se është apo jo gjithë ekipi qeveritar në Kuvend; pavarësisht nëse dremiti apo jo ndonjë nga krerët e lartë të shtetit gjatë fjalës së homologut; në jetën e përditshme të njerëzve fare pak gjëra kanë ndryshuar. Dhe kjo është mungesa e madhe në lidhjet mes nesh, jo prezenca e një ministri më pak a më shumë në ceremoni.

EDHE!?MBAS KETIJ ‘INFORMACIONI’QE SI 25 VJET ME PARE NUK THOTE ASGJE NE KAMENTUESIT IDJOTE NUK MUND TE BEJME GJE TJETER OSE SHAJME OSE LAVDEROJME TY OSE DO SHAJME NJERI TJETRIN!