Një nga arsyet se pse krimet në Shqipëri janë të larta është edhe prania e armëve në duart e njerëzve të shpërndara që nga viti 1997.
Megjithëse më herët ka pasur një ligj për dorëzimin e armëve, deputetët kërkojnë sërish hartimin e një ligji të posaçëm që ofron amnisti për të gjithë ata që mbajnë armë. Deputeti i LSI-së, Shkëlqim Selami mendon se qeveria dhe Kuvendi duhet të mundësojë hartimin e një ligji që ofron amnisti dhe pas mbarimit të saj, ligji të bëhet më i ashpër.
Deputeti i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, shprehet se shqiptarët sot po vriten nga gjaknxehtësia dhe kudondodhja e armëve, pas çdo sherri banal. Selami propozon që pas përfundimit të kësaj amnistie, Kodi Penal të ashpërsohet, që personat të cilët kapen me armë, të shkojnë menjëherë në burg për 3 vjet, pa pasur mundësi të kalojnë në gjykim, për t’u shmangur nga drejtësia.
“E para, duhet bërë një amnisti për mbledhjen e armëve, sepse pas vitit 1997, armët ranë të gjitha në duart e qytetarëve, – shprehet Selami në një intervistë për Shqiptarja.com. – Ne duhet të parandalojmë ngjarjet. Jemi qytete me një rrugë kryesore ku na duhet të parandalojmë atë që quhet “5-minutshi” i shqiptarëve. Nëse tjetri e ka armën në shtëpi, e bën krimin. Nëse nuk e ka, nuk e bën atë”.
“Ndaj duhet që patjetër të bëjmë një amnisti për një afat kohor 2-3 muaj që qytetarët të dorëzojnë të gjitha armët.
Kjo pastaj të shoqërohet edhe me një ndërhyrje në Kodin Penal, që ai që kapet me armë të mos kalojë më në gjykata a prokurori, ku loz ping-pong me Policinë e të gjitha, por menjëhërë pas verifikimit nga specialist, nëse arma është plastike a luftarake, mbajtësi i saj të shkojë menjëherë në burg nëse është luftarake.
Duhet pastaj parë me specialistët që dënimi të jetë sa më i vogël, psh. 3 vjet të menjëhershëm. Por kjo është për t’u parë.”
