Mark Kenedi, ish-agjenti që kryente misione për llogari të shërbimeve sekrete britanike, për vite me radhë jetoi me femra të ndryshme, me të cilat lidhej për t’u marrë informacione. Pasi u zbulua identiteti i vërtetë i Kenedit, ish-partneret e tij paditën policinë britanike për dhunim të privatësisë
Opinioni publik në Mbretërinë e Bashkuar ka muaj që debaton për rastin e Mark Kenedit, agjentit të fshehtë të shërbimeve të inteligjencës britanike, i cili ka jetuar për shumë kohë si i infiltruar në lëvizjen ambientaliste britanike. Për të kuptuar më mirë planet dhe sekretet e kësaj lëvizjeje, Kenedi kishte krijuar raporte intime me aktivistet e saj në disa qytete të Anglisë. Por rasti i Kenedit nuk është i vetmi: bëhej fjalë për një taktikë të vënë në qarkullim nga shërbimet sekrete, me qëllim krijimin e një varësie emocionale me “të survejuarat”, që duke iu fituar besimin, arrinin gradualisht të informoheshin mbi detajet e nevojshme për hetimet. Një jetë paralele e organizuar në mënyrë perfekte, një ‘aktrim’ i vazhdueshëm për të mbrojtur një imazh të sajuar.
Denoncimi
Kur u zbulua se kush fshihej në të vërtetë mbas burrit dhe kolegëve të tij të infiltruar në lëvizje, viktimat ndërmorën veprime ligjore kundër forcave të rendit, duke i akuzuar për “dhunim të rëndë të privatësisë”. Më shumë se 12 persona kanë bërë kallëzim penal kundër policisë angleze për çështjen që tani njihet si “çështja Kenedi” dhe midis grave të shumta është edhe një burrë. “BBC” ka publikuar pjesë të deponimeve të disa prej grave që kanë pasur marrëdhënie intime me Kenedin, të gjitha gra që me të kanë ndarë disa vite të jetës së tyre. Emrat e tyre nuk janë dhënë të plota me qëllim ruajtjen e privatësisë së tyre.
Liza
“Ndihesha e shokuar dhe e shkatërruar”, tregon Liza, një ambientaliste që kishte kaluar 6 vite të jetës së saj me Kenedin. “Një gjë është të marrësh vesh që ke qenë në përgjim, por një tjetër është të zbulosh se personi me të cilin ke ndarë shtratin për gjashtë vjet dhe që e konsideroje pjesë tënden, është një spiun. Kur e zbulova, bota më ra përsipër. Edhe tani, për mua është e vështirë të mos ndiej gjë për atë person, jam një qenie njerëzore, por e vërteta është se njeriu pas të cilit u dashurova, nuk ekziston”, shton Liza.
Elison
“Nuk ishim të martuar, por jetonim bashkë. Ishte pjesë e jetës sime, ka qenë për 5 vite me radhë. Pastaj, një ditë u zhduk. Kjo përvojë më la me shumë pyetje pa përgjigje dhe mbi të gjitha më ka kushtëzuar në raportet me personat e tjerë, më uli aftësinë për të besuar sërish. Nuk është e njëjta gjë me tradhtinë. Mendoj që është më e rëndë. Shteti krijon një personazh të tillë dhe e paguan me taksat tona për të na shkatërruar”, thotë ndër të tjera Elison.
Kler
“Nuk e di më se kujt t’i besoj. Shkatërroi çdo gjë”, thotë Kler, e cila ende nuk i ka kapërcyer momentet e vështira kur zbuloi se burri me të cilin jetonte e që pretendonte të ishte Xhon Barker, në realitet nuk ekzistonte. Një ditë, pas dy vitesh marrëdhënie, burri u zhduk. Ajo shkoi të vizitonte shtëpinë ku Kenedi kishte banuar që fëmijë: “Asgjë nuk kishte kuptim nga çdo gjë që kishte ndodhur dhe kështu e dëshpëruar vendosa të shkoja, duke menduar se ndoshta disa anëtarë të tjerë të familjes mund të jetonin ende atje dhe mund të më tregonin se ku ndodhej ai”. E vendosur për ta gjetur, ajo bëri hetime personale dhe u ndesh me certifikatën e vdekjes së një fëmije që kishte të njëjtat të dhëna me ato të Xhonit, një fëmijë që kishte vdekur nga leucemia, të cilit Kenedi i kishte vjedhur identitetin.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
Kujdes shoqja Liri Sllobodanka, Sali Berisha ne te vertete eshte Sllobodan Milloshevic.
Nga ana psikollogjike te tere ne fleme me te panjohur. Sa dime ne per bashkeshortet tane kur martohemi? Asgje! Dhe duhen vite te mesojme se me ke jemi martuar vertet. Dhe kesaj i thone te flesh me nje te panjohur!!!!!