Email në adresën
Do ishte tretur në harresë sikur të mos na e kishte gërvishtur kujtesën Ilir Meta, me një precedent politik të fundit të vitit 1998. Është fjala për bojkotin total që PD-ja e e asaj kohe i bëri referendumit për Kushtetutën. Meta e solli si kujtesë këtë preçedent në funksion të një apeli drejtuar opozitës, sipas së cilit, në të njëjtën mënyrë po sillet dhe me reformën territoriale. Ka paralajmëruar se do e bojkotojë, siç bëri dhe me Kushtetutën, por që vite më pas e në të tashmen ku jemi, bërtet e çirret në emër të dokumentit themeltar të shtetit, që njëherë e një kohë, jo vetëm e ka shpërfillur dhe injoruar, por që e ka quajtur dhe të “kallashit”, ngjashëm siç etiketoi Parlamentin e pas 97-ës. Hartimi i Kushtetutës, ishte ndër aksionet e para politike të mazhorancës së dalë nga zgjedhjet e qershorit të vitit 1997. Për këtë u krijua një komision me dy bashkëkryetarë: Sabri Godon dhe Arben Imamin. Opozita e atëhershme e bojkotoi proçesin dhe u bëri thirrje anëtarëve e përkrahësve të saj që mos shkonin në votimin referendar për miratimin e Kushtetutës. Rezultati me shumicë ishte pro. Do ishte i tillë në çfarëdo variant, pasi PD-ja ishte katandisur si Tirana e tanishme në futboll që e rreh dhe Kukësi. Refuzimi dhe bojkoti nga ana e opozitës, nuk kishte ndonjë arsye konkrete e të shoqëruar me ankesë për ndonjë çështje të caktuar; më tepër ishte një formë reaguese nga nervozizmi e kaotizimi në radhët e saj, pas humbjes së pushtetit një vit më parë. Të njëjtën simptomë ka dhe sot. 6 muaj pasi ka dorëzuar çelësat e qeverisjes, opozita po e përjeton humbjen e pushtetit si një goditje që ka marrë në kokë, për shkak të të së cilës i merren këmbët, flet përçart e ndodh të shkumëzojë dhe nga goja.
