“Veriu ka epizmin e mrekullueshëm, Jugu ka detin, rivierën, ndërsa Shqipëria e Mesme ka harmoninë e kodrave të buta; gjithçka në Shqipërinë e Mesme është në harmoni me natyrën, folklorin, njerëzit”, na thotë piktori Buron Kaceli.
Ai e gjen më mirë veten tek portreti, por thotë se peizazhi i krijon një ndjesi shumë të bukur. Ndërsa e ka shijuar udhëtimin me miqtë e tij piktorë nga i gjithë vendi nëpër peizazhet e pjesës më të madhe të Shqipërisë.
Ekspozita që ata donin të hapnin tashmë është duke pritur vizitorë.
Të gjitha nuancat e grisë në Gjirokastër, Dhërmiu i vjetër, ku puqen bluja e Jonit dhe e detit, Saranda, Tirana, Valbona, Rugova, gryka e Shkumbinit, Jala…
Thuajse e gjithë Shqipëria në tablo, herë me ngjyra pranvere e herë vjeshte. Si pjesë e një grupimi të quajtur “Plain Air”, piktorët Agron Dine, Agron Polovina, Arsen Kurti, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Qamil Prizreni, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili dhe Xheneta Kadillari hapën në datën 6 shtator një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar.
Një aktivitet i organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe MHK, në të cilin piktorët sjellin tablo të realizuara në dy vitet e fundit. Ajo çka i bashkon të gjithë është peizazhi, natyra, të cilën ata e sjellin përmes individualitetit dhe ndjeshmërisë së tyre. “Natura umanum est”, thoshin latinët, natyra është njerëzore.
“Natyra ka qenë dhe do të mbesë përherë objekt i artit dhe artisti si subjekt nuk është gjë tjetër veçse një pjesëz e saj. Të kuptuarit dhe të zbërthyerit e gjuhës së natyrës në kompleksitetin e saj ka qenë dhe do të mbetet objektiv e pikësynim edhe i artistëve për risitë që kanë sjellë dhe do sjellin në art”, thotë Buron Kaceli, kryetar i grupimit të artistëve “Plain Air”, teksa shton se veprat që prezantohen në këtë ekspozitë do të mbesin si një pasuri e vlefshme në kuadrin e zhvillimeve artistike në vend dhe do të zënë një vend të rëndësishëm në panoramën e gjerë të artit tonë bashkëkohor kombëtar.
Ekspozita, e cila shoqërohet edhe me një katalog me punët dhe biografitë e artistëve pjesëmarrës do të qëndrojë e hapur deri më datën 13 tetor. Organizatorët shpresojnë që ky aktivitet të kthehet në një ngjarje të përvitshme, jo vetëm për të ekspozuar veprat më të fundit të piktorëve të “Plain Air”, por edhe për ta sjellë publikun më afër pikturës dhe pse jo bukurive të natyrës shqiptare, që ata promovojnë në veprat e tyre.
Në një intervistë për gazetën Dita, piktori Buron Kaceli, njëherësh dhe kryetar i grupimit të artistëve “Plain Air”, tregon më shumë për këtë mbledhje bashkë të artistëve, por edhe për aktivitetin e tij si piktor. Ai është i biri i Sadik Kacelit dhe duke i ndenjur pas të atit që fëmijë, “vodhi” nga ai talentin e të pikturuarit. Por nuk mund të thotë të njëjtën gjë për dy djemtë e tij. Do të dëshironte që njeri prej tyre t’i përkushtohej ca më shumë pikturës, por duket se ata ka zgjedhur drejtime të tjera në jetë. Edhe sipas Kacelit, ndoshta më mirë kështu, është e vështirë t’ia dalësh si artistë në një vend ku arti vlerësohet pak.
Buron, si u bëtë bashkë për të hapur këtë ekspozitë?
Në njëfarë mënyre ne bashkë kemi qenë, sepse ne dalim pikturojmë të gjithë nga dashuria që kemi për natyrën. këtë herë menduam të hapim një ekspozitë, dhe si fillim hapëm një shoqatë, në mënyrë që kur duam të realizojmë një aktivitet, të kërkojmë mbështetje në emër të shoqatës.
Pse zgjodhët si temë peizazhin?

Ne i trajtojmë të gjitha gjinitë e artit, kompozimin, portretin, grafikën, pastelin, vizatimin e lirë, por te peizazhi jemi bashkuar sepse jemi takuar nëpër peizazhe. Dëshirojë të them që ne po vazhdojmë një traditë shumë të mirë të artit shqiptar. Arti ynë kombëtar, duke filluar me Mion, Kacelin, Shijakun, etj, e kanë trajtuar peizazhin mjaft bukur, pra në po vazhdojmë traditën e këtyre artistëve të mëdhenj, që nuk është vetëm traditë shqiptare, por këtë artistë e kanë punuar shumë mirë atë.
Është kjo lloj pikture më e dashur për masën, më gjithëpërfshirëse?
Në njëfarë mënyre po. Po edhe ata që janë njohës të mirë të pikturës, e njerëz me shije të hollë, e pëlqejnë po ashtu peizazhin.
Ku kanë udhëtuar piktorët për të sjellë këtë ekspozitë?
Për fat, vizitorët do të shohin në ketë ekspozitë, peizazhe nga hapësira mbarëshqiptare. Kemi shkuar që në Preshevë, Ulqin, Kalabri… do të gjenden pamje nga e gjithë Shqipëria. Janë punime në tablo pikture të reja, janë realizuar gjatë viteve të fundit. Veprat që prezantohen në ekspozitë janë përzgjedhje sipas dëshirës së vetë artistëve pjesëmarrës. Ka qenë një zgjedhje e lirë, nuk ka një komision për të hequr apo të vendosë për punët, gjithçka ka qenë zgjedhje e vetë piktorëve. Secili prej nesh në ekspozitën “Plain Air” ka ekspozuar deri në 5-6 punë.
Kaceli, ju vetë, sa ju frymëzon natyra?
Mua natyra më frymëzon shumë. Im at, piktori Sadik Kaceli, Artist i Popullit, e ka trajtuar peizazhin shumë në atë kohë, edhe për t’iu shmangur pak tematikës që kërkohej atëherë, por ka qenë i dashuruar me natyrën shqiptare dhe unë jam rritur pas tij, ndaj edhe mua është futur në gjak peizazhi, dhe e bëj me shumë dëshirë.
Ke të drejtë, se ka artistë që marrin një foto dhe fillojmë pikturojmë duke parë atë, nuk bëhet ashtu. Sepse një fotografi sado e mirë dhe e fuqishme të jetë, në funksion të asaj që përçon ajo, në studio është një pjesëz e asaj natyre. Ndërsa kur artisti është në natyrë, kur ai ndjen erën, ndoshta edhe një mizë që e bezdis, ai interpreton duke parë qoftë majtas apo djathtas. Fut aty gjithçka. Kjo është karakteristikë e artit në natyrë. Edhe nëpërmjet fotos funksionon, por nuk është kjo rruga e punës që bëjmë ne, pasi atë që të jep natyra nuk ta jep dot mendja.
Sa të vlerësuar ndihen artistët e artit pamor në këtë kohë?
Gjykoj që ka shumë probleme për artistët, nuk është treguar kujdesi i duhur për zhvillimin e artit pamor në vend. Për këto probleme unë kam shkruar dhe më parë, por sërish po ju them që ka shumë probleme, që vijnë nga politikat e munguara të ministrisë apo dhe bashkive. Shteti që ka mundësi për të financuar artistët me projektet e tyre, përgjithësisht nuk e ka realizuar këtë detyrë për artin pamor. Ne themi do të zhvillojë turizmin në vend, duhet të ketë hotele të mira, etj, po arti ku do të jetë? Ne si vend kemi një natyrë të bukur mesdhetare, shumë të veçantë, kemi artistë shumë potencialë, artistë mirë, por a duhen stimuluar ata? Sigurisht që po. Shikojmë sot që në spitalet tona nuk ka një vepër arti, zyrat në shumë institucione nuk kanë një vepër arti. Çfarë tregon kjo?! Sigurisht, varfëri mendimi. Ne artistët jemi më të sakrifikuarit, të bësh art, të bësh peizazhet që ne paraqesim në këtë ekspozitë, sigurisht që ka një kosto. Telajot kushtojnë, ngjyrat po ashtu, kornizat kushtojnë, udhëtimet shpenzojnë, dhe gjithçka ne e bëjmë me zemër, por kemi nevojë për ndihmë dhe financime.


