Ashtu siç pritej, rezultatet e censusit u pasuan me protesta nga grupe interesi si bashkësia ortodokse. Këto rezultate do vuajnë në besueshmëri edhe nga fakti se, siç vëren Ardian Vehbiu në një opinion në gazetën DITA në fund të dhjetorit: “Të dhënat komprometohen më tej edhe nga dy faktorë jostatistikorë: humbja dramatike e besueshmërisë së institucioneve publike të administratës Berisha nga njëra anë; dhe thirrjet e vazhdueshme të palëve të ndryshme për bojkotim të censusit…”[i] Të dhënat për bashkësinë ortodokse, të problematizuara më tej edhe nga rritja klimaterike e etheve kombtariste, janë ato që kanë ngjallur më shumë debat, por po kështu kanë ngjallur diskutime edhe të dhënat mbi bashkësinë myslimane.
Përpara censusit pati prej atyre që shkruajtën se një nga arsyet se pse pyetja rreth fesë duhet përfshirë në census është që të hiqet stigma se Shqipëria është një vend me shumicë myslimane. Një prej këtyre autorëve, Fatos Tarifa, në karierën e tij të mëpërparshme si ambasador i Shqipërisë kish nisur procesin e “rregullimit të biografisë” tonë kolektive duke shpallur numrin e myslimanëve shqiptarë në 30%. Përfaqsues të tjerë të shtetit shqiptar, si presidenti Moisiu, do deklaronin se të gjithë shqiptarët janë në thelb të krishterë dhe se Islami është një fe e mbivendosur. Këto qëndrime, dy ilustrime ndër shumë të tillë, i drejtoheshin audiencave jashtë vendit, po aq sa u tregonin shqiptarëve se çfarë pritej prej tyre që të ndreqej “aksidenti historik” (Kadare), i “tradhëtisë ndaj Jezu Krishtit” (Aurel Plasari – Drejtor i Bibliotekës Kombëtare), momenti nga nisi “zverdhja dhe nxirja e shqiptarëve” (Ledi Shamku – Shkreli, deputete e parlamentit shqiptar).
Sipas rezultateve të Censusit, myslimanët përbëjnë mbi 50% të popullsisë por kanë humbur 67% e dikurshëm. Vlen të vihet në dukje se kreu i Komunitetit Mysliman[ii] protestoi se askush nuk kish shkuar për ta regjistruar atë vetë dhe se kjo kish ndodhur edhe me anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj bashkësie. Por një koment i Ardian Vehbiut në vazhdën e debatit për censusin, më jep mundësinë të adresoj disa nga çështjet e ngritura dhe më parë rreth bashkësisë myslimane.
Ai shkruan: “Një regjistrim i mirë i popullsisë duhej së paku të dallonte midis myslimanëve besimtarë sunitë, bektashinjve, myslimanëve “deistë” si Berisha, që i referohen Zotit vend e pa vend në mënyrë abstrakte, por nuk është se i ndjekin ritualet; qytetarëve me prejardhje myslimane, që nuk ndihen se i përkasin kësaj feje, por megjithatë nuk janë konvertuar në ndonjë fe tjetër; dhe qytetarëve me prejardhje myslimane, që janë konvertuar në të krishterë.”[iii]
Ky sugjerim, i cili propozon për myslimanët kritere që nuk di të jenë ndjekur gjetkë e që nuk kërkohen për pasues të feve të tjera, vuan së paku nga fakti se nuk adreson debatin e pazgjidhur të sociologëve perëndimorë të Islamit se kush konsiderohet mysliman (shih për shembull Francois Burgat); a është islami një identitet kulturor e social apo ngushtësisht një qëndrim fetar? Kapërcimi kaq i kollajtë i këtij debati ka dhe handikapin tjetër sepse imponon qëndrime teologjike (ashtu siç bën përzgjedhje teologjike) brenda Islamit.
Ka një qëndrim të mirënjohur teologjik të Islamit, qysh nga shekujt e parë të tij dhe pjesë e kredos së shkollës tradicionale të Islamit në Shqipëri, që nuk kushtëzon besimin me devocionin apo ritualet, ashtu siç ka një qëndrim, më afër qëdrimit të shkollave fundamentaliste të sotme, por po aq i moçëm në origjinën e vet, që kushtëzon besimin me besnikërinë ndaj ritualeve dhe ligjit të fesë. Sipas shkollës tradicionale të Islamit në Shqipëri, ai që thotë se është mysliman, është i tillë. Sipas shkollave fundamentaliste, ai që deklarohet mysliman, por nuk pason obligimet e ligjit fetar, nuk është i tillë, pavarësisht deklarimit. Sipas cilit kriter një shtet sekular do përzgjidhte qëndrimin teologjik të duhur për censusin?
Një tjetër çështje që duhet adresuar është ajo e ‘ekskluzivitetit bektashi.’ Islami historikisht ka përfshirë një sërë tarikatesh, apo urdhërash mistikë – disa më ortodoksë e disa më heterotodoksë se të tjerë. Bektashizmi, me gjithë dallimet nga ortodoksia islame, njeh të njëjtin libër të shenjtë dhe të njëjtin burim profecie si shumica e myslimanëve në botë. Për më tepër, bektashizmi është pjesë e të njëjtave zhvillimeve historike, sociologjike dhe kulturore që sollën islamin në Ballkan.
Sipas cilave kritereve dallohet bektashizmi nga tarikate të tjera? Kreu i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar, i ndjeri Hafiz Sabri Koçi, për shembull, raportohet të ketë qenë pasues i tarikatit Tixhani, një urdhër mistik me origjinë nga veriu i Afrikës, themeluesi i së cilës është varrosur në Fez të Marokut. Vlen të shtohet se në kohën kur Shi’izmi konsiderohej armiku kryesor i perandorisë osmane, bektashinjtë nuk shiheshin si tradhëtarë apo si shi’a, siç ka një tendencë të prezantohen sot. Shkrimet e Sami Frashërit për “heronjtë e përhapjes së Islamit” pozicionojnë një nga figurat më të njohura të bektashizmit shqiptar si mysliman që nuk e dallon veten nga myslimanë të tjerë.
Nathalie Clayer ka shkruar rreth veshjes me mistikë të bektashizmit nga nacionalizmi shqiptar. Siç shihet tek romani “Të jetosh në ishull” i B. Blushit, Bektashizmi paraqitet si një lloj Islami për shqiptarët, Islam light, apo, sipas Della Rocca “një urë midis Lindjes e Perëndimit,” një refren ky i politizuar nga neo-konservatorë si Stephane Schëartz e gjer tek politikanë kosovarë si Veton Suroi.
Unë do sugjeroja se jo vetëm Bektashizmi si një bashkësi më vete fetare, por edhe vetë “Islami suni” është i manifakturuar, pasi identifikimi suni vlen vetëm në dallim nga Shi’izmi në një shoqëri ku jetojnë Shi’a, si në Liban. Kategorizimet në Shqipëri janë duke u kryer pa u bazuar në traditën fetare apo sociologjinë religjioze në Shqipëri, por sipas kriteresh të importuara e detyrimisht e rjedhimisht së fundmi të imponuara mbi njerëzit që shënojnë.
Së fundmi, A. Vehbiu bën thirje që censusi duhet ribërë, por kjo nuk na shpie asgjëkundi, për sa kohë që nuk janë trajtuar e zgjidhur çështjet që sollën thirrjet për bojkot e mungesën e kredibilitetit institucional. Por do shtoja këtu çfarë kam shkruar më parë tek Shekulli. Citoj: “Por sociologët e fesë na tërheqin vëmendjen dhe na kërkojnë të jemi skeptikë ndaj sondazheve që na informojnë rreth trendeve fetare. Jose Casanova, një nga sociologët më të njohur sot në studimin e sociologjisë së religjionit, shkruan në një artikull studimor (në Rethinking Secularism, Oxford University Press, 2011) se “ne dimë në mënyrë faktike se amerikanët ashtu si evropianët u gënjejnë mbledhësve të sondazheve [për fenë ]. Amerikanët egzagjerojnë religjiozitetin e tyre, duke pretenduar se shkojnë në kishë e falen më shpesh nga sa ndodh faktikisht… dhe se nuk duhet besuar religjioziteti i tyre i vetë-deklaruar.” Arsyeja e këtij ekzagjerimi, sipas Casanova, shpjegohet nga besimi i të pyeturve se të jesh amerikan modern përfshin, gjithashtu, të jesh fetar.
Evropianët e bëjnë këtë në drejtim të kundërt, duke u përpjekur të minimizojnë religjiozitetin e tyre. Kjo mospërputhje shpjegohet, sipas Casanova, me idenë se të qenit religjioz nuk shihet si një atribut pozitiv në një kulturë predominante sekulare, meqënëse në Evropë, në dallim nga ShBA, meret i mirëqënë identifikimi i të qenit modern dhe të qenit i sekularizuar dhe ku të qenit i sekularizuar kuptohet si të kesh lënë pas krahëve fenë.”[iv]
Elitat shqiptare kanë bërë të qartë se, në botëkuptimin e tyre, të qenit një shqiptar modern, i integruar në Evropë kërkon të lihet pas shpine tradita islame.
Të gjithë ata që flasin për rëndësinë e regjistrimit fetar nuk kanë dhënë, për mendimin tim, argumente bindëse se pse ky regjistrim është i nevojshëm e aq më pak të kenë adresuar skepticizmin për sondazhet fetare për të cilat flet Casanova. Së paku, për sa kohë që Shqipëria nuk ka ndërmend të organizojë përfaqësimin politik sipas përkatësive fetare – si në Liban, apo si shihet të sugjerohet nga ata që kërkojnë presidente katolike të përshtatshme për Evropën, atëherë kjo këmbëngulje nuk duket e justifikuar.
Personalisht nuk ka census të më mbushë mendjen se vetëm 6% e shqiptarëve janë të krishterë ortodoksë e as shifra e 57% myslimanë nuk më impresionon në asnjë lloj mënyre. Ata që shqetësohen për “damkën” mbi Shqipërinë duhet të jenë konseguentë e të sqarojnë nëse duan dhe gjer në çfarë mase do donin të kthenin identitetet fetare në shënues politikë. Ai do ishte një diskutim tjetër dhe ka me qindra raste nga bota përreth për të na treguar se në rastin kur flasim për të tilla identitete politike, besnikëria ndaj ritualeve e devocioni nuk janë detyrimisht të rëndësishme. Një boshnjak ishte një mysliman për një serb – e detyrimisht edhe për boshnjakun vet – pavarësisht sa gota raki pinte. Për t’ju kthyer shkrimit të A. Vehbiut, vlerësoj reagimet e tij kundra stigmatizimit të bashkësisë ortodokse dhe ndaj të njëjtin qëndrim. Në të njëjtën kohë, bashkësia ortodokse duhet të ngrejë një debat të brendshëm që adreson bojkotin. Me këtë nuk dua të sugjeroj se pjesëmarrja në deklarimin e fesë është e domosdoshme dhe personalisht, nëse do kisha qenë në Shqipëri, pyetjes për fenë do i isha përgjegjur: Zotërinj, kjo nuk është puna juaj.