TIRANË – Zbardhen kriteret e reja që familjet e pastreha të kryeqytetit duhet të përmbushin që të përfitojnë kredi të lehtësuar nga shteti, banesë sociale me qera, apo dhe bonusin e strehimit. Në mbledhjen e ditës së martë (20 nëntor), Këshilli Bashkiak i Tiranës do të marrë në shqyrtim projektvendimin e ri për “Miratimin sistemit të Pikëzimit për programin e subvencionit të familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, sistemin e pikëzimit për programin banesave sociale me qira, dhe sistemin e pikëzimit për bonusin e strehimit”.
Sipas përcaktimeve të bëra në vendim, bëhet me dije se sistemi i pikëzimit favorizon të gjitha ato familje që nuk disponojnë banesë në pronësi, ata që banojnë në banesa me rrezik shembje, apo me banesa të mbipopulluara sipas rregullave dhe normave në fuqi. Pjesë e përfitimit të njërit prej tre programeve sociale të strehimit janë edhe familjet që kanë ngelur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore ose i zbatimit të ndonjë vendimi gjyqësor.
Gjithashtu, sipas ligjit të strehimit, janë shtuar edhe kategori të tjera prioritare përveç atyre ekzistuese, si: emigrantët e kthyer, punëtorët emigrant, familjet e policëve të rënë në detyrë, viktimat e dhunës në familje, etj. Në vendim detajohet më tej se “në sistemin e vlerësimit të aplikimeve sipas programeve në zbatim, kushtet ekonomike dhe të ardhurat e deklaruara nga familjet do të jenë kriter vlerësimi sipas sistemit të pikëzimit, ku pesha dhe pikëzimi që vendoset për këto familje varet nga numri i aplikantëve dhe prioritetet që vendosin njësitë e qeverisjes vendore”.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, si dhe për të nxitur një ndarje sa më të drejtë të familjeve në nevojë që duhet të përfitojnë nga strehimi, nisur dhe nga numri i aplikimeve dhe bazuar në ligjin e strehimit për kategoritë që përbëjnë prioritet, janë detajuar edhe një sërë kategorish të reja që do të bëhen pjesë e skemës së përfitimit.
“Duke pasur parasysh se komuniteti rom dhe egjiptian është prioritet i politikave vendore për strehim, kjo kategori është vlerësuar e rëndësishme që të përfshihet në sistemin e pikëzimit. Po ashtu nisur nga problematika e strehimit për familjet të cilat mund të jenë të pastreha për shkak të shembjes së banesave informale, nevojës për lirim objektesh me funksione publike për shkak të ndërtimit të veprave me interes publik, si dhe familjeve me aktmarrveshje të pazbatuar, sektori i menaxhimit të strehimit vlerëson se është e nevojshme përfshirja e kategorive të mësipërme në sistemin e pikëzimit që do të kalojë për shqyrtim dhe miratim në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak”, citohet në relacionin shoqërues të projektvendimit.
Si aplikohet për t’u trajtuar me strehim pranë Bashkisë së Tiranës
Aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari që tërhiqet në Njësinë Bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular plotësohet me vërtetësi dhe më pas noterizohet. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në bazën e të dhënave elektronike të drejtorisë.
Më pas, dosjet e grumbulluara i kalojnë komisionit të strehimit i cili verifikon në mënyrë të detajur të gjitha kriteret që plotësojnë familjet aplikuese. Në rastet kur përmbushen kriteret e detajuara, mblidhen pikët e secilës kategori dhe përcaktohet nëse familja do të përfitojë duke u përfshirë në listën që i dërgohet më pas për miratim këshillit Bashkiak të Tiranës në një nga mbledhjet e radhës.
Bazuar në kuadrin ligjor të mësipërm, me Vendim të Këshillit Bashkiak pranë Bashkisë Tiranë është ngritur një Komision Strehimi si organ këshillimor për të gjitha problemet dhe veçantitë që paraqet kjo fushë. Bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar edhe listën e plotë të dokumenteve që aplikuesi duhet të depozitojë pranë komisionit në mënyrë që të mos përjashtohet nga gara e përfitimit.