Të pathënat e delegacionit kosovar në Rambuje

redaktor

(vijon nga numri i djeshëm)

 Faktorizimi i UÇK-së
Pikërisht mbi bazën e këtij përcaktimi do të paraqitej në Rambuje Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një forcë politike e cila e di se çfarë dëshiron, që e di se si mund ta kërkojë atë , jo vetëm në fushëbetejat e luftës, por edhe në dialogjet ndërkombëtare, që di të mbrojë kërkesat e saj, edhe në bisedimet politike dhe që e di se, herët a vonë, ajo edhe do i realizojë.

Lidhja e fuqishme që u krijua me diplomacinë perëndimore, sidomos amerikane, më ka kujtuar shpesh një fjalë të mënçur të banorëve të Dukagjinit, se “ kush ka Zotin dajë, nuk ka nevojë për ëngjëj”.

Rambujeja ishte pjesa tragjike, do të thoja, e Marrëveshjes Kalimtare për Kosovën.Për një periudhë të shkurtër kohe u kërkua të viheshin në vend 1oo vite padrejtësi. Parisi do të ishte thjeshtë pjesa ceremoniale, debatet do të shndrroheshin në kokteje, përplasjet do të ktheheshin në buzëqeshje, ankthi në pritje të këndshme, përplasjet në bisedime gazmore, netët pa gjumë pas diskutimeve pa fund do të jenë tashmë netë të shetitjeve të gjata, e fshehta e pas kangjellave të Kështjellës do të jetë tashmë e tejkaluar dhe në vend të saj, si pas një ankthi të gjatë, do të vinte çlirimi nga rëndesa.

Në të vërtetë ishte fituar më shumë nga sa ishte menduar, por edhe ishte humbur më shumë nga sa ishte shpresuar.

Mes së vërtetës dhe ëndrrës kishte mbërritur realiteti. Si do të ishte ai… për ata që kishin qenë brenda kështjellës do të ishte gjithnjë me të papritur e tij; ndërsa për ata që kishin “ jashtë” sallave, do të ishte një pritje e mëtejshme…e cila herë pas here do të shndërrohej në luftë të zgjatur, tashmë përmes plumbave, nganjëherë në përpjekje të jashtëzakonshme për forcimin e logjistikës, më të shumtën në sigurimin e mbijetesës së atyre që kishin filluar të mbijetonin…

Natyrisht ata që kishin qenë jashtë kështjellës e kishin pasur shumë më të lehtë se miqtë e tyre brenda Kështjellës. Por kishin pasur gjithnjë në vete ankthin e paditur të asaj që po ndodhte, dhe mes shpresës dhe dyshimit, ishin përpjekur të bënin detyrën e tyre. Këtyre kujtimeve i jam rikthyer shpesh herë, gjithnjë me dëshirën e thënë në fillimin e këtij tregimi, për të thënë një pjesë të atyre ngjarjeve që nuk janë bërë të ditura në kohën e tyre, kur edhe vetë koha nuk ishte e përshtatshme, pasi llava ishte ende në lëvizje. Gjithçka do të kërkonte kohën e vet. Vetë koha do të kërkonte gjithçka nga Lëvizja Çlirimtare. Në se nuk u bë e mundur që të ketë një përmbushje të ëndrrës që në Rambuje, për këtë nuk duhet fajësuar askush nga ata që shin brenda, e aq më pak liderët e Lëvizjes Çlirimtare. Prania e tyre kishte qenë jetike.

Headshot-of-some-members-of-the-Kosovo-Liberation-Army--KLA--near-Pristina--February-1999--AFP-Photo-Befasia e parë

Në kohën kur strukturat e luftës po bëheshin gati të përcaktonin radhën e punëve që duheshin ndjekur, jo krejt befasisht, erdhi lajmi se Demaçi ishte kundër Konferencës dhe shkuarjes atje. Fillimisht kishte pasur një marrëveshje gjysmë të heshtur e gjysmë të pranuar nga ai dhe nga perëndimorët, që në Delegacionin e UÇK-së, veç tij, të ishte edhe Albin Kurti, zëdhënësi i Demaçit, si shenjë e kompromisit mes tij dhe negociatorëve. Ishte pranuar gjysmë në heshtje që Delegacioni i UÇK-së të jetë i përbërë, fillimisht prej 3 vetëve, Demaçit, Hashim Thaçit dhe Bardhyl Mahmutit, duke shtuar, për hatër të Demaçit, edhe Albin Kurtin. Por, edhe sikur Demaçi të mos pranonte të merrte rrugën drejt Rambujesë, si syri e formëprania e tij, do të ishte Kurti.

Diplomatët perëndimorë, në ditët e para të Paramarrëveshjes, kishin mendimin se do të ishin tri figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa të cilat do të ishte tepër e vështirë të mendohej përfaqësimi i saj në Konferencë. Adem Demaçi do të ishte figura simbol, si një personalitet përbashkues dhe i njohur, figurë , e cila kishte bartur në vete aspirata të jashtëzakonshme në 28 vitet e burgimit të tij, por edhe sepse, në Prishtinë, ai konsiderohej si porta kryesore e UÇK-së.

Hashim Thaçi, në mendimin e diplomacisë perëndimore ishte njeriu i cili, dukshëm dhe pa asnjë mëdyshje, në mendimin e tyre përfaqësonte luftëtarët, njerëzit që po luftonin, ai do të ishte domosdo zëri dhe mendimi i tyre, por edhe njeriu, përmes të cilit mund të përcilleshin më lehtësisht vendimet e Konferencës, edhe në se ndonjëri prej tyre nuk do të ishte në përputhje me aspiratat e ëndërruara. Thaçi, për to, do të bënte të mundur që paraqitja e Konferencës të bëhej më e besuar, më e prekshme dhe më e realizueshme, aq më tepër kur në projekt-draftin e parë ishte parashikuar shuarja ose zhbërja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një periudhë tremujore pas Konferencës. Ky do të ishte njëri nga mendimet më të gabuara dhe më të paragjykuara të parapërgatitjes së Konferencës. Me natyrën e tij flegmatike dhe të heshtur, megjithëse mes tij dhe diplomacisë perëndimore ishin vendosur prej disa kohësh urat e kontaktit, ata nuk kishin arritur të njihnin figurën, përmes të cilit mendonin të depërtonin më lehtë në zonat e luftës.

Personi i tretë, për të cilin ata mendonin se ishte i domosdoshëm, quhej Bardhyl Mahmuti, njëri ndër drejtuesit kryesorë të Organizatës, ish i burgosur politik, njeri me virtyte të jashtëzakonshme, energjik deri në shpërthim, por njëkohësisht , ai do të ishte edhe mendimi e përfaqësuesi i diasporës shqiptare, veçanërisht i atyre që kishin meritën e jashtëzakonshme, jo vetëm të mbështetjes financiare e politike të UÇK-së, apo përmes të cilëve ishin vendosur kontaktet e para me diplomacinë perëndimore; por edhe nga që prej kësaj diaspore, po vërshonte një lum me vullnetarë, të cilët braktisnin gjithçka dhe shkonin në zonat e luftës. Në një hark kohor prej më pak se shtatë muajsh , më shumë se 10 mijë shqiptarë do të lënë vendet perëndimore, ku jetonin prej vitesh, dhe më shpejt nga sa kishin ardhur, do të merrnin rrugën e kthimit drejt Kosovës, në radhët e UÇK-së. Ishte një forcë , që jo vetëm nuk mund të mohohej, por edhe duhej respektuar.

Kur atyre ditëve, përmes kanaleve të komunikimit që kishim vendosur me diplomatë perëndimorë, na u dha mendimi për Konferencën dhe pjesëmarrësit e saj nga radhët e UÇK-së, ishim të një mendje, por , në se në Rambuje do të shkonin 12 përfaqësues të Kosovës, si mendohej fillimisht, dhe prej tyre do të ishin vetëm tre vetë nga UÇK-ja, kjo do të mund të krijonte probleme. Së dyti, ishte e arsyeshme që në përbërje të Delegacionit, veç Thaçit, i cili ishte më se i domosdoshëm, do të duhej të ishin edhe figura të tjera të njohura të lëvizjes çlirimtare.

 

Nga “palët” e tjera, si nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte ende një mishmash fjalësh e gjurulldie, ende nuk dihej se kush do të ishte pjesë e konferencës, kishte një ngulfatje pas emrave të partizave politike, të cilët, si shtojca të saj, jo vetëm nuk kishin asnjë lloj autoriteti në Kosovë, por vetë pjesëmaerrja e tyre do të krijonte një gjendje amullie, sepse thjeshtë nuk dihej pse duhej të ishin.

 

 

 

Pas deklarimit të Demaçit për mospjesëmarrje në Konferencë u krijua hutia e parë, e cila nuk zgjati shumë. Rexhep Qosja, Mehmet Hajrizi dhe Hydajet Hyseni, në emër të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, deklaruan se, në se UÇK nuk është në Konferencë, as ata nuk do të merrnin pjesë. Krijohej kështu rrethi i mbyllur, i cili, në të vërtetë ishte më shumë iluzor, se sa i vërtetë.

 

 

Deri asaj dite, kur për herë të parë filloi të flitej për një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kishte pasur edhe herë të tjera ftesa të ndryshme, mendime rreth një takimi apo një marrëveshje, ishin hedhur ide e projekte të ndryshme, të cilat, aq shpejt sa hidheshin, po aq shpejt, edhe do të shkriheshin. Por, dashje pa dashje , kishin krijuar mendimin se edhe kësaj radhe mund të kishte një shkrirje, dhe në se nuk shpejtohej me ecurinë e ngjarjeve, mund të kishte një ngecje të madhe. Por, sinqerisht, pak kush ishte i bindur se kjo do të ishte Konferenca e parë dhe e fundit për Kosovën. Kishim mendimin se kjo ishte e para, ndoshta tepër e rëndësishme, por vështirë se gjithçka mund të përmbyllej këtu.

 

 

Një ditë më parë se Jakup Krasniqi, zëdhënësi i UÇK-së, të bënte të njohur vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për të shkuar në Rambuje, u lidha në telefon me Azem Sylën, i cili ishte në Drenicë. Lidhjet e mia me „Dajen e vogël“ nuk kishin qenë të shpeshta, ishim takuar disa herë në Zvicër apo në Mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, ndonjëherë ishim takuar në Tiranë, kishim biseduar disa herë në telefon, nganjëherë i kisha telefonuar unë e herë pas here edhe ai, gjithnjë për gjëra që ishin të lidhura me organizatën dhe për luftën. Ishim mirëkuptuar gjithnjë, unë e respektoja atë për vlerat që kishte, sidomos për ndershmërinë që mbarte. „Daja i vogël“ ( gabimisht , herë pas here, në shtypin e ditës ose në intervista të ndryshme është dhënë emëri i luftës i Azem Sylës si „ Daja i madh“, gjë që i takonte Faslli Veliut, ish drejtues i organizatës, LPK, ndërsa dokumentat e luftës ai i ka firmosur, në të shumtën e rasteve, me nofkën „Antoni“), më tregoi se në bisedën e bërë me drejtues të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, ishte vendosur që të shkonin figura të merituara, nga themeluesit e strukturave të luftës dhe të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ai do të ishte mes tyre. Për Azem Sylën unë kam pasur gjithnjë mendimin se përsonaliteti i tij shtrihej mes dy poleve, sinqeritetit dhe enigmës. Zakonisht ishte i sinqertë, por enigmatik në punët e luftës, ai i bënte të gjitha punët në heshtje, dhe do ishte e vështirë të mendohej, se pas heshtjes së tij, fshihej njeriu që kishte marrë përsipër drejtimin ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së bashku me të do të ishin edhe Hashim Thaçi, si figura më prominente e Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm, Xhavit Haliti, antar i Shtabit të Përgjithshëm, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, përfaqësuesi i saj në Shqiperi, Ramë Buja dhe Jakup Krasniqi.

 

Organizimi i përfaqësisë

 

Shkuarja e UÇK-së në Rambuje do të ishte njëri ndër vendimet me të rëndësishme të Shtabit të Përgjithshëm. Fizionomia që krijonte grupi përfaqësues ishte po ashtu tepër domethënës. Që të pestë, në kohë të ndryshme , kishin qenë të dënuar politik të pushtetit serb të vendosur dhunëisht në Kosovë, ata i takonin lëvizjeve ilegale, nga të hershmet e deri në ditët që ishim, ishin figura të njohura politike e publike, në një mënyrë ose në një tjetër, ata ishin figura përcaktuese në zhvillimet që ndodhnin në Kosovë dhe jashtë saj.

Kush do të shkonte në Rambuje, në se nuk do të shkonte grupi përfaqësues i UÇK-së? Në janarin dhe shkurtin e vitit 1999, askush tjetër nuk do të kishte vlerë, askush nuk do të ishte në gjendje të nënshkruante çfarëdo lloj marrëveshje, rreth askujt tjetër nuk do të përqendrohej vëmendja, si ndaj këtij grupi.

Në të vërtetë , edhe diplomatët perëndimorë, më shumë se për çdo gjë tjetër, e kishin përqendruar vëmendjen e tyre pikërisht në përbërjen e grupit negociator nga radhët e UÇK-së, sepse për grupet e tjera, nga rradhët e LDK-së dhe të LBD-së, nuk kishte asnjë lloj enigme. Kërkesa e Rugovës, që grupi i tij negociator, të kishte numrin më të madh në 16-en kosovare , kaloi pa asnjë lloj emocioni. Pesëshja lëdëkëiste do të paraqitej fund e krye si institucionaliste, megjithëse ende asnjë institucion nuk funksiononte në Kosovë.

E premtja e 5 shkurtit do të ishte dita e tentimit të parë të fluturimit të delegacionit të Kosovës drejt Parisit. Tre nga pjesëtarët e tij do të ishin të armatosur, Ramë Buja, Jakup Krasniqi dhe Azem Syla, me mendimin e vetëm, që, nëse bien në pritën serbe, të mos dorëzoheshin të gjallë. Jo çuditërisht, ndoshta për herë të parë, do të pranoheshin të fluturonin tre udhëtarë të armatosur, armët e të cilëve do të merreshin në dorëzim në portat e Rambujesë, për t’u rikthyer në fundin e punimeve të saj. Ishte një pragnisje e pazakontë, asnjëherë nuk ishte parë një fillesë e tillë. Të dukej sikur përcillnin mesazhin e parë për Konferencën, që nëse kërkesa për mëvetësi nuk zgjidhej në tryezat e bisedimeve, mund të vazhdohej të kërkohej zgjidhja me luftë. Meraku për udhëtimin e tyre, aq sa ishte në kujdesin e ndërkombëtarëve, aq ishte dhe një shqetësim i jashtëzakonshëm për strukturat e luftës, brenda e jashtë Kosovës. Do të udhëtonin të nesërmen 13 vetë, në dy avionë të vegjël francezë. Ishte 6 shkurt, ftohtë, dëbornat kishin mbuluar gjithçka.

Kishte filluar rënia e mbrëmjes, e ftohtë deri në akullim, kur delegacioni do të arrinte në Kështjellën e Rambujesë. Errësira që po binte sillte edhe enigmën: çfarë do të ndodhte në ditët e ardhshme. Në fakt, grupi negociator nga radhët e UÇK-së e dinte se, çfarëdo që të ndodhte, nga kjo Konferencë nuk do të humbej asgjë, në se do të fitohej, qoftë edhe njohja zyrtare, e shpallur publikisht, e UÇK-së, në kancelaritë më të ndjeshme, çfarë edhe po ndodhte, kjo do të ishte një ngjarje e bekuar.

 

 

Nuk jam i bindur nëse gjithësecili nga ata që përbënin delegacionin shqiptar në Rambuje ishte i mendimit se nga qëndrimi i përbashkët do të varej në një shkallë të ndjeshme fati i njerëzve që jetonin në Kosovë. Nuk jam i bindur, pasi, nga të dhënat dhe qëndrimet që dolën më pas, nga deklaratat që u bënë edhe brenda sallave, sidomos për stacionet radiotelevizive që ishin shumë të dëgjuara në Kosovë, herë pas here, të krijohej mendimi se, dikush kishte shkuar edhe për një rimatje forcash, për të strukturuar një të ardhme politike në brazdën e saj që kishte qenë deri asaj dite, për të larë hesape të vjetra ose për të shfryrë zemërime të shkuara.

 

Në një hotel pranë Parisit, adresën nuk e mësuam kurrë, kishin zënë vend struktura, të cilat, vendosën çuditërisht shpejt kufirin e rindarjes, të psikozës se shqiptarët janë dy palë, se me ata që po luftonin ishte e vështirë të kuptoheshe e jo më të ndërtoje kontakte të sigurta, se në rradhët e UÇK-së dhe të LPK-së ishte ende vizioni dhe mendimi enverist, se në fakt, nëse Nato apo dikush tjetër do të përforconte ushtarakisht UÇK-në, kjo do të ishte njëlloj si të forconte një lëvizje kastriste në mesin e Evropës. Bujar Bukoshi do e ruante këtë mendim deri në fund. Nuk e dija përse, për më tepër ai mund të ishte njeriu që më shumë se të tjerët kishte pasur rastin të takohej me njerëzit e Lëvizjes, megjithëse nuk kishin arritur të kishin të njëjtin mendim. Si do të bënte të njohur më vonë për të gjithë, Shaban Muja, njëri nga të dërguarit e Organizatës pranë “qeverisë Bukoshi”, halli i këtij të fundit, të quajtur edhe kryeministër, nuk kishte qenë asnjëherë ndihmesa e rezistencës së armatosur, por, duke dashur të jetë pjesë e ndihmës edhe eleminimi i Rugovës. Këtë ai e kishte kërkuar haptas, dhe nuk e kishte ditur se brenda Organizatës kishte aq njerëz të mençur sa që të mos lejonin përsëritjen e precedentit Fikret Abdiq, kolaboracionisit boshnjak, edhe në luftën në Kosovë. E dinim se marrëdhëniet mes Rugovës dhe Bukoshit ishin të akulluara, ashtu si edhe mes Rugovës dhe Berishës në Shqipëri, ajo që nuk kuptoja dot ishte se si ky njeri nuk i merrte seriozisht ofertat e socialistëve në pushtet, të cilët, edhe në shkurtin e vitit 1998, një javë para fillimit të Luftës, në takimin e posaçëm me to, do të na e bënin të qartë se ata, më shumë se të tjerët, ishin “rugovistë”. Jam i bindur se shumë prej pjesëtarëve të Delegacionit më shumë e kishin marrë  seriozisht si një akt , prej të cilit mund të mbetnin në histori, se sa një akt që mund të bëjë historinë e një kombi. I shikoja herë pas here ndërsa bridhnin nëpër rrugët e akullta të Kështjellës, seriozë, të menduar, ballin gjithë rrudha, por e dija fare mirë se shumë prej tyre ende nuk kishin çelur as gojën për të thënë një fjalëz të vetme.Por kjo do të ndodhte në ditët e mëpasme.Përpara ishte enigma: do të ishte një ardhje e frytshme apo një dështim i zakonshëm. Kumti i parë erdhi prej larg, nuk do të largohet askush nga kjo Kështjellë nëse gjërat nuk do të zgjidhen.

 

Regresi ishte në grahmat e fundit.

 

Kishte filluar të binte nata e errët e 6 shkurtit 1998, kur anëtarët e delegacionit shqiptar po kalonin portat e  hekurta të kështjellës. Ishte organizuar që disa qindra vetë, shqiptarë nga të gjitha viset, të ndodheshin në përcjelljen e tyre, si shenjë mbështetëse. Nëpër terrin që po vinte shpejt mbi të gjitha hapësirën, vetëm blicat e aparateve fotografike, tek shkrepnin pa ndaluar, të jepnin një përshtypje të vakët të gjurmëve të plumbave.

Ata po hynin njëri pas tjetrit, me vete do të merrnin enigmën se çfarë do të mund të ndodhte në ditët e ardhshme. Si për të dhënë sinjalin se asgjë nuk do të ishte e qetë, se gjërat do të shkonin vrullshëm, pa pritur rendin e gjërave, pesëmbëdhjetë minuta , pasi ata kishin kaluar pragun e Kështjellës, do të jenë në hapjen solemne të Konferencës për Kosovën.

Kishte filluar më në fund të jepej një dritë shprese. Do të shuhej ajo apo do të rritej. Askush nuk e dinte në natën e 6 shkurtit 1998, as ata që sapo kishin ardhur nga Kosova, të lodhur, të stresuar dhe rrezikshëm; por as ata që i kishin pritur; nuk e dinin as luftëtarët ,deri atë ditë të panjohur ose pak të njohur për botën; por as të njohurit e botës, presidentë si Kryetari i Francës, Jasque Chirak, ministri i jashtëm francez Hubert Vedrine , sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe Robin Cook , diplomatë me stazhe të gjatë pune, askush.

Dihej vetëm se kishte filluar, se përfaqësuesit e dy shteteve, që deri atëherë dhunisht kishin qenë një e kurrë më nuk do të ishin, tashmë ishin nën dritën e llampadarëve, duke rifilluar matjen e forcave.

Kur terri i madh ra mbi Kështjellën e vjetër, njerëzit që ishin mbështetur pas kangjellave të vjetra, u larguan në heshtje…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *