Ishte një ditë e ftohtë fillim shkurti, sapo kishte arritur në qytetin e e vogël të Rambujesë dhe gjëja e parë që më bëri përshtypje ishin trëndafilat, që edhe në atë ngricë të brymtë, në mëngjezin e herët të dukej sikur ishin veshur me mjegull të bardhë, ishin të çelur. Ndryshe nga trëndafilat në vendlindjen time , të këtushmit, nuk kishin asnjë lloj ere, të dukeshin më shumë si jo prej vërteti, dhe e gjithë ajo që më kishte sjellë në këtë qytet ishte , po ashtu, e bukur të merrej me mend, por e ftohtë deri në thellësi. Pas saj ishte enigma..si do të jenë ditët e ardhshme dhe çfarë do të kishin me vete.
Kështjella e Rambujesë, e vendosur thuajse në sheshin qendror të qytetit të lashtë, rrethuar me kangjella të hekurta, ndërtuar në një mënyrë , që edhe nga jashtë të zgjonte ndjenjën e misterit, do të mbetet gjithnjë në kujtesën e njerëzve. Janë shumë shkaqe për këtë, më i rëndësishmi nga të cilët lidhet me faktin se filloi të ketë një trasim të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Kosovë. Tashmë shumë gjëra janë thënë, shumë të fshehta janë bërë publike, janë shkruar kujtimet e atyre që ishin të pranishëm, por edhe të tjerëve që shkruan më pas, dhe të duket sikur nuk mund të thuhet asgjë tjetër.
Mund të jetë edhe kështu, mirëpo ka gjithnjë një pjesë që qëndron në hije, është ndoshta jo shumë e dukshme, sepse duke mos qenë në qendrën e njohur të ngjarjeve, nuk ka dashur ose nuk ka mundur të bëhet e njohur.
Kjo është një përpjekje, ndoshta tepër modeste, për të bërë të njohur atë që ishte e panjohur, atë që nuk ndodhte në dhomat, sallat, koridoret apo rruginat e Kështjellës, por jashtë saj ; është një dëshmi e shtrirjes së hapësirës së Rambujesë jashtë përmasave të saj, është për ata njerëz e ngjarje, të cilët, edhe pa qenë brenda saj, e ndjenin veten si të ishin të pranishëm.
Këto njerëz mund të ndodheshin edhe mbështetur pas kangjellave të Kështjellës, por edhe mijra kilometra larg saj; mund të ndodheshin duke pushuar në një hotel aty pranë, por edhe në fushëbetejat e Kosovës. Mund të ishin njerëz të zakonshëm, që kishin ardhur për të qenë pranë historisë, si të thuash, për ta prekur atë; por edhe njerëz që në dekada e vite të shumta kishin qenë, në të vërtetë, parapërgatitësit e saj. Ajo që ndodhte në bisedimet e gjata, tepër të tensionuara , nuk ishte thjeshtë një ngjarje për ata që ishin „ brenda“, por edhe një tendosje për ata që ishin „ jashtë“. Shpesh herë nuk dihej se ku mbaronte kufiri mes njerës palë dhe tjetrës, në se mund të quheshin palë, sepse në më të shumtën e rasteve ata ishin të njëllojtë, kishin bërë rrugëtim të njëjtë dhe kishin aspirata të njëjta. Ata që ishin „ brenda“ nuk do të bënin asgjë tjetër , veçse do të merrnin me vete edhe përkushtimin e atyre që ishin „ jashtë“.
Kishte edhe të tjerë që qëndronin mes atyre që ishin „brenda“ dhe atyre që ishin „ jashtë“. Ishin , si të thuash, pjesë e mendimit të pjesëtarëve të Konferencës dhe njëkohësisht edhe zëdhënës të atyre që ishin në vijën e frontit. Sepse, jo rastësisht, pikërisht në këtë kohë, kur kishin filluar punimet e Konferencës, një makineri e tërë serbe e luftës ishte vënë në lëvizje, për të zgjidhur në fushëbetejë atë që do të humbisnin në bisedime.
Në fakt kishte ndodhur ndryshe, pikërisht sepse kishin humbur në fushëbeteja, ata do të ishin të detyruar të vinin në këtë Konferencë, të hallakatur, me një shpresë të fundit për të gjetur zgjidhje, ose përmes forcës, ose përmes dredhisë.
Kumti i parë i konferencës
Në të vërtetë, fillesa e Konferencës së Rambujesë do të jetë në zyrat e sekretares së shtetit amerikan, zonjës së nderuar Albright. Gjithçka që ka ndodhur më pas, që nga bisedimet, draftet e hedhura mbi tavolinë, projektet e një pas njëshme, zemërimi me aleatët e saj, planet për ndërhyrjen e fuqishme të NATO-s, bombardimet, projekti për futjen e trupave tokësore, e deri tek gjunjëzimi i Millosheviqit, të gjitha do të kenë lidhje me të dhe stafin e saj.
Kishte kohë që zyra e saj kërkonte një rrugëzgjidhje të shpejtë, për të mos lejuar bosnjëzimin e Kosovës. Ndërsa nga njëra anë, në palën serbe, ajo e dinte krejt mirë se kujt i duhej drejtuar, në kahun tjetër të ballancës, në shqiptarët e Kosovës, ende nuk kishin gjetur tribunët që mund të merrnin përsipër përmbylljen e luftimeve dhe garantimin e paqes, qoftë edhe e dhimbshme ajo. Si do të shkruante James Rubin, “ I vetmi lider që njihnim, dr. Ibrahim Rugova, ishte i pëlqyeshëm dhe i matur, mirëpo mënyra e tij e të udhëhequrit, e heshtur dhe me rezerva, vështirë se mund të ishte inspiruese”.
Të shtunën, me 15 janar 1999, zonja Albright u zgjua me lajmin e radios, se në një fshat të Kosovës, të quajtur Reçak, ishin masakruar shqiptarët. Pamjet rrënqethëse të kufomave të shtrirë në një hendek të thellë, ende mbuluar nga bora dhe përgjakur gjithandej, të mbeteshin gjatë në mendje. Si dukej kupa ishte mbushur e po derdhej, ajo që kishte ndodhur deri me 15 janar , nuk do të ishte tjetër veçse parathënia e tragjedisë së tmerrshme që ishte përpara.
12 ditë pas kësaj ngjarje, në teatrin Bolshoi të Mokës, Zonja e Hekurt do të hapë të gjithe letrat para ministrit të jashtëm rus, Igor Ivanov. Përgjigjja e tij do të ishte e menjëhershme:
-“ Rusia kurrë nuk do të pajtohej që forca e NATO-s të përdoret kundër serbëve”.
Do të marrë edhe reagimin e menjëhershëm të zonjës Albright :
-Ne nuk kërkojmë nga ju që të përkrahni përdorimin e forcës. Për këtë vendos NATO, jo Rusia. ..Dhe ju e dini se, nëse kemi ndër mend të zgjidhim çështjen e Kosovës, për këtë nevoitet një kërcënim real për përdorimin e forcës, përndryshe Millosheviqi kurrë nuk do të përgjigjet”.
Ishte dhënë sinjali ose kumti i parë i Konferencës së ardhshme.
Përfaqësia politike e Kosovës
Bardhyl Mahmuti, përfaqësues politik i UÇK-së dhe nënkryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, në fundin e janarit 1998, më thirri në telefon dhe më tregoi se nga kontaktet e fundit që kishte pasur me diplomatët perëndimorë ( Bardhyli kishte kontakte të rregullta, sidomos me diplomatët amerikanë,francezë dhe austriakë), ishte menduar që pas pak ditësh të bëhej një konferencë e jashtëzakonshme për Kosovën. Ky do të ishte edhe lajmi i parë që do të merrja për Rambujenë. Por nuk do të ishte edhe i fundit. Në ditët që pasuan, me një ritëm të jashtëzakonshëm, ngjarjet shkuan nga njëri pol në tjetrin, duke u zhvendosur në hapësira të ndryshme. Ndërsa njëra pjesë zhvillohej në Kosovë, dhe kjo ishte pjesa më e rëndësishme, në dy polet e saj, në Prishtinë ku ishte Adem Demaçi dhe në Likovc , ku ndodhej një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesa tjetër zhvillohej jashtë Kosovës, në Shqipëri dhe në Perëndim. Natyrisht Kosova do të ishte epiqendra, dhe kjo epiqendër e kishte një sy zhvillimi të domosdoshëm, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Natyrisht, tani do të ishte utopike të mendohej një Konferencë për Kosovën pa qenë e pranishme UÇK-ja. Këtë e kishin të qartë që të gjithë, ata që ishin miq, ata që heshtnin në pritje të situatave, dhe ata që kishin qenë e do të ishin kundër. Kishte qenë një kohë, jo fort e largët, kur për UÇK-në mund të flisje me sarkazëm,zakonisht kjo ndodhte në Shqipëri, mund të përdorje gjithëfarë etiketimesh, zakonisht kjo ndodhte në Kosovë; ishte, deri diku e natyrshme të ishe skeptik ndaj saj dhe mosbesues. Mirëpo gjërat kishin ndryshuar rrënjësisht. Në janarin e vitit 1999 ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte në rradhët e saj 17 mijë e 600 luftëtarë, por kjo është shifra e atyre që ishin përditshmërisht aktivë, pa folur për të tjerët që qëndronin në pritje ose që mund të quheshin forcat reservë të saj. Në pothuajse 10 muaj ajo ishte rritur, kishte fizionominë e saj politike, profilin ushtarak, ishte strukturuar mrekullisht shpejt, dhe megjithë pengesat apo njohuritë e pakta të fillimit, tashmë , në pragun e pranverës së vitit 1999, ajo do të ishte krejt ndryshe.
Pra, askush nuk mund të bënte një Konferencë për të ardhmen e Kosovës , pa llogaritur si forcë kryesore UÇK-në. Tashmë për të nuk mund të vendosej as në zyrat e Prishtinës, cilatdo qofshin ato, ( koha tregoi se nuk mund të vendosnin as zyrat e Rugovës ( kurrësesi), por as zyrat e Demaçit) ; nuk mund të vendosej as në Tiranë, kur në të vërtetë ishte ngritur një strukturë mrekullisht e organizuar shpejt, aq më pak nuk mund të vendosej në perëndim nga ajo që quhej “qeveria Bukoshi”.
Nga ana tjetër, një mendim i tillë, që asgjë nuk mund të zgjidhej pa qenë e pranishme Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e më tepër se kaq, pa qenë ajo forca vendosëse , ishte pjekur dhe kishte marrë formë të përcaktuar, edhe në kancelaritë perëndimore. Përmes kontakteve që kishte vendosur prej disa kohe Grupi Politik i Marëdhenieve me Jashtë pranë Drejtorisë Politike të UÇK-së, gjërat ishin qartësuar, tashmë diplomacia perëndimore kishte një vizion më të qartë për kryengritësit në Kosovë ( nga përcaktimi i parë si forca ekstremiste, ishte kaluar më pas në guerilët, pastaj në luftëtarët, për të pasur përcaktimin më të saktë në forcat çlirimtare).
Fillimisht në Grupin Politik për Marëdhënie me Jashtë do të jenë Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti dhe Ramadan Avdiu, që të tre nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Më pas në përbërje të tij do të jenë edhe Jashar Salihu, Sabri Kiçmari, Pleurat Sejdiu, Bilall Sherifi, Ibrahim Kelmendi, Rexhë Ibërdemaj, Xhevat Bislimi, Agush Buja, që të gjithë antarë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Që diplomacia perëndimore të vinte në Rambuje dhe të përgatiste atë me një mendim domethënës për UÇK-në, është dashur që pikërisht ky Grup Politik të kishte një shpërndarje të ndjeshme të punës së tij, por edhe përcaktim të qartë, paraqitje të dinjitetshme, si mënyra më e saktë për të bërë të mundur hapjen dhe shtrirjen e mendimit të saj politik.
Takimi i parë, dhe më i rëndësishmi, që ishte si një parafjalë e herëshme për Konferencën e Rambujesë, do të bëhet në Zvicër, me ndërmjetësimin e Xhavit Halitit, drejtues i sektorit të veçantë pranë UÇK-së, njëherësh ishte ,si të thuash, boshti kurrizor i shtrirjes së saj. Takimi do të zhvillohet me një Delegacion të SHBA-së, në përbërje të së cilit do të jetë edhe një i dërguar i posaçëm i Presidentit Amerikan, Bill Klinton. Synimi i takimit do të ishte njohja me qëllimet, platformën dhe mendimin politik të UÇK-së. Biseda do të zgjasë më shumë se katër orë, kjo do të ishte paraqitja e parë publike e UÇK-së në botën e jashtme dhe do të hapë rrugën e takimeve të tjera me ambasadorët Gellbard dhe Houllbrouke.
Në fund të takimit, i dërguari i presidentit amerikan do u thote përfaqësuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se :
“ Ishte kënaqësi që patëm rastin të bisedojmë me ju kaq gjatë dhe kaq hollësisht. Mund të ju themi se jemi shumë të kënaqur, që më në fund, takuam dikë nga Kosova që e di se çfarë do, që di si ta kërkojë, di të mbrojë kërkesën e vet dhe njëkohsisht e di se si ta realizojë atë”.
(vijon nesër…)