Të përbuzur nga ata që na premtuan…

redaktor

Po ju shkruaj këtë postim pasi vetë jam i paaftë për të shkruar një artikull në gazetë, ndaj, po ju rendis disa fakte dhe ju si ta shikoni të arsyeshme. Jam një ish-ushtarak, ndaj më dhemb indiferentizmi dhe tallja që bëjnë pushtetarët me shtresën tonë. Është turp që ish-ushtarakët sot marrin një pension të parakohshëm qesharak fare prej 12.000 lekësh në muaj dhe më e keqja është se ata janë debitorë për kthim shumash për shkak të rillogaritjes sipas aktit normativ. Z.Rama në disa takime që ka marrë me ish-ushtarakët, pat thënë se unë nuk ju premtoj se do bëj “hatanë”, por do t’jua ngre dinjitetin lart. Unë nuk e kuptoj se për çfarë dinjiteti bën fjalë z.Rama, kur as sot e kësaj dite nuk ka një nismë për rregullimin ligjor të statusit të ushtarakut. Ai ekzistuesi është shumë i mirë, por e kanë katandisur në një copë paçavure. Ushtarakët ngelën dyerve të gjykatave për fitimin e të drejtës së tyre, por gjyqtarët tallen me ta, se nuk u bën syri tërr nga askush. Por të paktën ministria e Erion Veliajt, që e ka edhe nën juridiksion ISSH-ja, nuk ka mundësi që pasi të kenë mbaruar punë në shkallën e parë ish-ushtarakët, ata të mos e ankimojnë vendimin e gjykatës, por ta lënë ashtu keq për keq, si e ka vendosur shkalla e parë, vetëm e vetëm që ushtarakët të mos sorollaten edhe për nja 6-8 muaj në Apel? Nuk ka ngelur abrash dhe halabak që nën petkun e të përndjekurve kanë marrë një thes me para, kurse ish-ushtarakët si shtresa më e vuajtur, enden dyerve të gjykatave.

U fol e u përfol në kohën e vet përvetësimi i SHQUP-it, nga ana e PD-së. Nëse e mbani mend, socialistët të përdëllyer për hallet dhe denigrimin e ushtarakëve, u zotuan se do t’ua kthejnë ushtarakëve nderin e nëpërkëmbur. Po ç’ndodh sot? Jo vetëm që SHQUP-i nuk u rikthye, por me fondet e qeverisë, u rikonstruktua ish-hoteli i ushtarakëve, me qëllim që të bëhej një qendër kulturore për ta, por Rama po ua merr përsëri këtë ndërtesë për qëllimet e veta dhe përsëri ish-ushtarakët u gjendën të tallur e të denigruar.

Sivjet është 70 vjetori i hapjes së Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë rreth 35 mijë nxënës, të cilët përpos ushtrisë e gjetën veten edhe në shumë degë të tjera të ekonomisë. Nga shoqata e skënderbegasve, i është kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm që atë datë të bëhet një ditë përkujtimore në Shkollën e Bashkuar, ku ish-skënderbegasit të kalojnë e të respektohen nga pasardhësit e tyre ushtarakë. MM dhe SHP nuk japin as leje që ky tubim të mbahet në ish-sallën e kinemasë së shkollës… A ka turp më të madh për këtë Ministri të Mbrojtjes dhe Shtab të Përgjithshëm? A nuk ka përbuzje dhe tallje më të madhe?

Ja i nderuari Thano, këto shqetësime desha të të përcjell. Nuk di se sa i gjindshëm do të jeni ju për këto shqetësime dhe sa do të doni të përçoni këto shqetësimet tona. Me nderime!

 

Letër e nënshkruar

Gjergji Çela!

Share This Article
3 Comments
  • Qe nuk lejojne bejne gabim,Skenderbegasit nuk kane nevoje te meshirohen,te luten te qahen qe ti respektojne,jo respekti per te qenit Skenderbegas eshte i brendeshem .Respekt e mirenjohje per gjithe Skenderbegasit le te mblidhemi ne ish togat e kompanit tona ku te mundemi e ta festojme 70 vjetorin dhe ne maturantet e 65 te festojme 50 vjetorin e matures. .

  • Kini shumë të drejtë o i miri Gjergji Çela? Po për cilët veshë i bini kambanës? Për të majtën socialiste! Jini gabim sepse PS është e majtë vetëm kur është në opozitê! Kur vjen në pushtet,harroje miku im,nuk është asnjë ditë e majtë! Ajo të do ty dhe mua vetëm kur ka nevojë për vota. Pastaj harroje,as mos t’ju shkojë ndërmend se mendon për ty! Mendon për bunkart,për pedonale e për shtëpi me gjethe e pa gjethe por për ty ju siguroj se jo. As për mua,as për skënderbegasit,as për shqup-in, as për sakrificat e ushtarakëve, për asgjë të këtij lloji! PS është tradhëtare e jona! PS është tradhëtare e interesave të elektoratit të vet. PS është një shërbëtore e krijimit të borgjezisë së majtë siç kanë qënë historikisht dhe tradicionalisht socialdemokracia dhe socialoportunizmi. Vetë ju kujtoj si koleg një gjë,-sofistikimi i propagandës se saj në prag të fushatave zgjedhore është tepër i rafinuar për të na mashtruar! Nuk po vazhdoj më i dashur Gjergji. Po ju përcjell vetëm nderimin tim për ju dhe për atë që kini shkruar! Tung!

  • Skenderbegasit nuk jane dukur ka 23 vite me emrin e tyre. Kane kontribuar kudo si gjithnje ne heshtje.
    Ne rast se do vazhdojme te heshtim nuk do te kete as emer dhe as histori te skenderbegasit.
    Sa jemi gjalle te levizim.Shkolla nuk eshte me,por edukimi i asaj shkolle eshte i vlefshem edhe per brezat qe vijne,per atdhetari e shqiptarizem.
    Te falenderoj Gjergj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *