Të përbuzurit, të përjashtuarit…

redaktor

Po po, janë të përbuzur, pavarësisht lukut të shtrenjtë, orëve me çmime marramendëse, llogarive të majme, pushtetit të të pasurit që gëzojnë. Ata janë të përbuzurit e shoqërisë! Flas për gjyqtarët e korruptuar, të paskrupullt, të pamëshirshëm, që shesin shtrenjtë “vendime” pa dhënë kurrë drejtësi!

Ata janë të përbuzur nga shoqëria. Ata edhe në rrugë nuk ndihen mirë, nuk flenë as të qetë. Hija e mëkatit i ndjek kudo. Ndjenja e kusarit i shoqëron gjithandej. Sa herë shikojmë një gjyqtar me një makinë të shtrenjtë, me një orë të shtrenjtë, me pullat e xhaketës që kushtojnë aq sa kushton shtëpia ime, gjithmonë i shikojmë me përbuzje, edhe pse me dënesë, nuk e japim veten!

Ata ndofta nuk mund ta kuptojnë, se zullumi u ka zënë sytë, por duhet t’i bëjmë ne që ta kuptojnë, se nderimi i tyre në publik është i vjedhur, është i të tjerëve, është nderi im dhe i joti që na i kanë vjedhur bashkë me paratë. Sepse ligji i tyre është veç pagesa nën dorë, dhunimi i së drejtës së tjetrit. Janë ata të përjashtuarit nga ritmi normal i jetës. Janë “të përjashtuarit” edhe nga një vizë e thjeshtë që u duhet të marrin në një ambasadë. Ata jetojnë në botën e tyre të parasë së vjedhur dhe në delirin e të pasurit me pasuri të vjedhur. Ata janë në të njëjtën gjendje si tregtarët e drogës, që megjithëse kanë pasuri, nuk ndihen të qetë, nuk ndihen të sigurt! Dhe ju o njerëz, këtë bëni: PËRBUZNI të korruptuarit, shani dhe poshtëroni ashtu si ju kanë poshtëruar ata!

 

 

Letër e nënshkruar,

Partizan Cene

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *