Nëse shkëmbehesh për një moment në rrugë me një grup nxënësish gjimnazistë, e sigurt që fjalori që mund të dëgjosh do të të lërë pa mend. Çfarë po ndodh? Për të kuptuar se si ishin adoleshentët dje dhe si janë ata sot, ne kemi shkuar në shkollën “Eqrem Çabej”, në Tiranë. Aty takojmë mësuese Margaritën, e cila jep lëndën e Informatikës në shkollë. Ky është viti i 31 i punës për të. Kohët kanë ndryshuar si nata me ditën. Ajo thekson herë pas here gjatë bisedës se mësuesit e sotëm janë heronj. Të japësh mësim në një klasë adoleshentësh këto kohë nuk është e thjeshtë. 31 vite eksperiencë punë, jetë aktive mes nxënësve dhe së fundmi mes studentëve e kanë bërë atë të arrij në këtë konkluzion. Vetë e fut veten tek ato mësuese që përshtaten më së miri me brezin e ri. Nuk krijon përplasje, madje klasat e saj në shumicën e rasteve janë të heshtura, aktive dhe të vëmendshme. Teksa flasim me zysh Margaritën, natyrshëm kthehemi në vitet e saj të gjimnazit. “Filmi” është krejt ndryshe: nxënës të përkushtuar, aksione dhe prioritet ishte të mësuarit. Sot? Droga, alkooli… duket sikur kanë marrë dhenë. Ndoshta është një bisedë e pazakontë me një mësuese, e cila flet pa dorashka, por është momenti që disa gjëra të thuhen në mënyrë që të merren masa e të rregullohen.
Mësuese Margarita, me cilat vite përkon mosha juaj e adoleshencës dhe si e kujtoni atë kohë?

Kam qenë adoleshente në vitet ’70, pasi studimet e larta i kam përfunduar në vitin 1983. Studiova Fizikë 5-vjeçare. Kam qenë nxënëse e gjimnazit “18 Nëntori”, në Lushnje. Isha nxënëse me të gjitha dhjeta, kam pasur vetëm një 9 në vitin e parë dhe më kujtohet që kam pasur frikë mos më prishej mesatarja. Fakultetin e kam përfunduar me mesataren 9.1. Kur shoh këta adoleshentë sot dhe kujtoj të njëjtën moshë timen, më duket sikur atëherë ne nuk kemi pasur adoleshencë. Kemi qenë më të qetë e shumë më pak të vrullshëm se sa sot. Ishim shumë të përkushtuar në drejtim të mësimeve. Kam ardhur në Tiranë të jap mësim në vitin 2005. Përpara këtyre viteve e kam ushtruar këtë profesion në Skrapar. Sigurisht edhe nxënësit në vende të ndryshme ndryshojnë.
Po sot, si ju duken adoleshentët?
Profesioni i arsimtares më ka bërë që personalisht të përshtatem me të gjitha moshat. E kam kuptuar që jemi në një kohë ndryshe dhe sjellja ime me adoleshentët ka ndryshuar. Këtë gjë e kam bërë edhe me fëmijët e mi dhe e kam parë te ata ndryshimin. Duhet ta pranojmë që jemi në një kohë ku edhe informacioni merret shumë vrullshëm. Nuk është libri i vetmi burim.
Mësuam se ju keni ardhur të jepni mësim në Tiranë në vitin 2005. Si ju janë dikur ditët e para të mësimit mes këtyre adoleshenteve në kryeqytet?
E drejtë. Dikur ka qenë ndryshe. Kur kam dhënë mësim për herë të parë, në vitin 1983, as nuk krahasohet panorama mes brezave dhe viteve. Në atë kohë kishte autoritet mësuesi. Ndërsa sot adoleshenti nuk druhet nga asgjë. Atë që ndien, e shpreh. Mua ndoshta më ndihmon edhe lënda që jap, sepse Informatika është një lëndë që ata e duan dhe arrij të marr vëmendjen e tyre. Por mund të them këtë, që konfliktin me adoleshentin mund ta krijosh kur të duash. Këtu duhet të hyjë në punë zgjuarsia e mësuesit për të zgjedhur rrugën më të mirë për të shuar konfliktin.
Sipas jush, cila janë problematikat që kanë adoleshentët sot?
Adoleshentët sot kanë goxha problematika. Pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë përkujdesjen e familjes, vijnë shumë të dhunshëm në shkollë. Këtë gjë e reflektojnë edhe me abuzimet që bëjnë në orën e mësimit. Por një mësues i mençur e kupton dhe duhet ta nuhasë se cili prej tyre ka një hall, cili prej tyre mund të ketë një problem të natyrave që i përkasin adoleshencës. Në këtë pikë bashkëpunimi nxënës-mësues duhet të jetë shumë i ngushtë. Ka nxënës problematikë. Kam një maturë që është shumë problematike. Aty kam mbi shtatë nxënës që kanë probleme ekstreme.
Çfarë nënkuptoni me ekstreme?
Po probleme të tipit që mund të jenë konsumatorë të drogës, të alkoolit, marrëdhëniet me shoqet në disa raste i tejkalojnë. Janë të ashpër, përdorin dhunë dhe kanë një fjalor tepër banal. Këta janë adoleshentët problematikë. Por gjithsesi duhet të gjesh momentin t’i ulësh ata. Është art edhe mësimdhënia. Por gjithsesi është një brez që ndonjëherë e tejkalon pozicionin e nxënësit. Ka nxënës shumë ekstremë, që e tejkalojnë shpesh aq shumë masën sa duhet të jesh me një zemër shumë të madhe e shumë tolerant dhe të fillosh e të ulesh me ta. Ka nxënës që nuk duhet të jenë në shkolla normale, por në shkolla riedukimi.
Mirë ju që keni vite në këtë profesion, por për një mësues të ri, a është e vështirë të nisë e të jap mësim në një klasë problematike siç e përshkruani ju?
Është shumë e vështirë, sepse vijnë nxënës që mbartin gjithë këto vese që përmenda unë. Mirëpo unë them që kjo nuk zgjidhet vetëm. Nuk e zgjidh asnjë kolektiv shkolle, nuk e zgjidh as drejtoria. Në radhë të parë duhet një bashkëpunim i ngushtë prindër-mësues, normalisht kjo gjë dhe ky bashkëpunim po zbehet. Vëmë re që ka shumë prindër indiferentë ndaj fëmijëve. Institucionet duhet të punojnë më shumë duke filluar që nga psikologia e shkollës. Duhet ndihma e policisë… Mos të krijohet ideja se kjo është vetëm puna e mësuesit dhe t’ia hedhim të gjitha atij në ngarkesë.
Ne patëm rastin e Durrësit, ku një nxënës gjeti vdekjen nga një bashkëmoshatar i tij. Po në shkollën tuaj, a ka dhunë, grindem adoleshentët me njëri-tjetrin?
Po, ka shumë, dhe jo vetëm në të tonën. Duhet një vigjilencë e paparë nga ana e mësuesit. Nxënësit mund të konfliktohen edhe për gjërat më koti. Të paktën brenda shkollës duhet mësuesi të luajë rol të rëndësishëm. Jashtë shkolle është familja ajo që luan rolin primar.
Keni pasur raste konkrete dhune?
Po, kemi pasur disa. Vitin e kaluar për shembull ka pasur goxha raste të tilla. Nëse konfliktin nuk e shuan dot mësuesi apo drejtori, atëherë lajmërohet rendi dhe aty hyn në punë policia. Në shkollën ku jap mësim ka shumë nxënës me probleme. Numri i nxënësve pa probleme është shumë i vogël. Tek kjo shkollë ku punoj momentalisht mësuesit janë heronj, sepse e mbajnë këtë numër adoleshentësh brenda në klasë, i detyrojnë të rrinë urtë.
Janë më problematikë femrat apo meshkujt?
Kryesisht meshkujt. Femrat janë më të pakta në numër.
Është kjo shkollë një nga më problematiket në Tiranë?
Nuk mund ta them këtë, por gjithsesi kjo shkollë është problematike që në regjistrim, pasi vijnë nxënës me mesatare të ulët. E theksoj, unë mësuesit i quaj heronj me këta adoleshentë që janë. Tani përveç se duhet të bësh pjesën tënde si mësues, ke edhe edukimin më të gjatë. Arsimi kërkon pasion, kërkon punë.
* * *
Situata më e rëndë në zonat periferike
Arlinda Selmani është psikologe. Në një bisedë me “Ditën”, ajo na bën një analizë psikologjike të gjendjes në shkolla, të adoleshentëve dhe sjelljes së tyre. Ajo jep alarmin…
Arlinda, pse njëri vrau tjetrin pikërisht në shkollë? Pse zgjodhën pikërisht këtë ambient? Mos ndoshta shkolla dhe rruga ishin e njëjta gjë?

Nuk mund të them se shkolla dhe rruga janë e njëjta gjë, por mund të them se ajo që nis në rrugë mund të mbyllet pa kurrfarë pengesash në shkollë. Kjo ngjarje nuk pasqyron thjesht dhunë se dhuna tashmë është bërë prezente në shkolla prej kohësh, sidomos nga media, por kjo është një ngjarje e cila shkon përtej dhunës, e cila të vë në dyshim çdo lloj sistemi të ngritur deri më sot. Për fat të keq më shumë studime kryhen nëse mësuesit ushtrojnë dhunë ndaj nxënësve dhe jo anasjelltas, kur situata në gjimnazet tona ka agravuar përtej normales. Sigurisht më të shqetësuarit në këtë histori janë prindërit, atyre u rëndon më shumë barra e edukimit, por dhe e sigurimit të të mirave materiale. Vrasja që ndodhi në ambientet e shkollës ishte një tragjedi, ishte një mësim i fortë për të gjithë institucionet të cilat unë uroj që të marrin masa të menjëhershme. U fol dhe u komentua shumë nga institucionet përkatëse se do punohet në mënyrë kombëtare me konceptin e dhunës, u komentua gjithashtu se shoqëria duhet të marrë masa, se shkollat duhet të jenë qendra komunitare e kështu me radhë. Po të thuash gjitha këto gjëra zëre se nuk ke thënë asgjë nëse nuk thua “Si?”. Si do bëhet kur do bëhet, para se të jetë përsëri vonë.
Ju si psikologe, çfarë problemesh shihni tek ky brez, në mënyrën e sjelljes dhe rritjes së tyre?
Adoleshenca në përgjithësi është një moshë e vështirë e njeriut në rritje. Është një moshë e paqartësive, një moshë e dilemave personale, një moshë me të cilën është e vështirë për të komunikuar. Megjithatë dua të theksoj se ky brez është më i ekspozuar ndaj stresit, ndaj modeleve të ndryshme, të cilat nuk arrijnë t’i filtrojnë dhe t’i selektojnë si duhet. Ndryshimet teknologjike gjithashtu kanë peshën e tyre, sidomos rrjetet virtuale të pambikëqyrura, por duhet theksuar fakti se mënyra e sjelljes së këtij brezi është shumë agresive, është e rrëmbyer, është sjellje e cila duhet patjetër të mbahet nën survejim nga familja dhe nga shkolla. Në rast të kundërt prodhohen pasoja, siç ishte dhe rasti i Durrësit, që unë uroj shumë që mos të përsëritet më. Duhet theksuar fakti se kultura të ndryshme prodhojnë fëmijë të ndryshme, sjellje të ndryshme e kështu me radhe. Më e rëndë akoma situata është në zonat periferike, larg syrit të shoqërisë, larg vëmendjes së institucioneve dhe më pranë dhunës edhe në familje, e cila për fat të keq në këto zona është më e shprehur. Dhe pasqyrimi i adoleshentit në këto zona është edhe më i errët. Por ky brez, i cili për shkak të mungesës së përvojës, shpeshherë dhe mungesës së modelit, nuk mund t’i përballojë i vetëm gjithë këto ndryshime që pasohen me probleme në jetën e tij, por jo vetëm dhe të shoqërisë. Prandaj prindërit që nuk i marrin seriozisht këto gjëra duke menduar se ndodhin larg shtëpisë së tyre, bëjnë një gabim shumë të madh.
Mund të bëjmë pyetjen, është faji i familjes apo i shkollës?
Të dyja kanë përgjegjësinë e tyre, si shkolla po ashtu dhe familja, të dyja duhet të jenë në koherencë të vazhdueshme. Pasi një adoleshent ndryshe sillet në familje ku merr dhe të mirat materiale dhe ndryshe sillet në shkollë me shokët dhe shoqet, ku do të tregojë se sa i fortë është, e ku dëshira për t’u dukur është dominante. Prindër të stresuar reflektojnë çdo gjë tek fëmija. Janë modeli i parë që i japin fëmijës, por fundja duhet kuptuar se dhe një prind për shkak të pasigurisë ekonomike në të cilën gjendet shpesh herë detyrohet të mos e gjejë këtë kohë për adoleshentin, i cili më shumë se kurrë ka nevojë për ndihmë. Prandaj prindi i vetëm nuk e përballon, ashtu sikurse dhe shkolla e vetme nuk e përballon dot këtë barrë. Shkolla nëpërmjet instrumenteve të saj duhet të marrë një rol aktiv dhe jo një rol pasiv siç është aktualisht, ku nxënësit shkojnë për të bërë mësim, mësuesit japin mësim dhe çdo gjë mbyllet këtu me një menefregizëm dhe indiferencë të madhe për problemet e tjera.
Shpesh mësuesi kapet mat në këto situata, cili është roli i tij?
Mësuesi ka një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në aspektin e mësimdhënies, por dhe të ndërmjetësimit të konflikteve mes nxënësve. Por jo vetëm mësuesi edhe psikologu, i cili së fundmi është bërë prezent në shkollat tona, pavarësisht se përgjegjësi marrin psikologët shkollorë kanë rol shumë të rëndësishëm në komunikimin me adoleshentin. Sidomos ky brez në mënyrë të posaçme ka shumë nevojë për psikologun, dhe unë shpresoj që ky i fundit të jetë sa më prezent në ambientet shkollore për të marrë përgjegjësitë dhe rolin që i takon. Asnjë situatë nuk është e pazgjidhshme, prandaj sa më shumë kohë t’u jepet adoleshentëve, sa më shumë të dëgjohen problemet e tyre aq më shumë fedback pozitiv do marrim. Nuk ka fëmijë dhe as adoleshentë të këqij, por ka prindër dhe mësues pasivë. Ka institucione të shurdhëta, të cilat duhet të marrin masa të menjëhershme para se të jetë vonë përsëri.
Vrasje në shkollë
“E vrava se më ofendonte”. Kështu e ka argumentuar para hetuesve krimin që ka kryer, 15-vjeçari i arrestuar për vrasjen e ndodhur në shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit. Ngjarja ndodhi një javë më parë ku një 16 vjeçar është vrarë me armë zjarri gjatë orës së mësimit nga shoku i tij i shkollës. Viktima e dy plumbave ka mbetur Adriatik Tota, nxënës i vitit të dytë në degën mekanike. Personi që qëlloi ka pranuar krimin dhe është Endrin Varaku, 15 vjeç. Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik. Ndërkohë mësohet se, si viktima ashtu edhe i arrestuari kanë qenë problematik. Mjafton t’i hedhësh një sy profileve të tyre në Facebook dhe kupton më shumë. Ata kanë të postuar, armë, para, flori… Kur e pyesim psikologen Selmani se si zgjidhet kjo situatw ajo pohon: “Ky problem është urgjent dhe duhet të zgjidhet sa më parë dhe konkretisht. Duhet të merren masa konkrete për të kthyer bindjen, besimin e qytetarëve te shkolla, në mënyrë që të mos fillojmë të besojmë se askush s’po merret me këtë punë sepse ata që duhet të merren me këtë punë, fëmijët e tyre i çojnë në shkolla private, ndërsa të tjerët le të bëjnë ç’të duan. Kjo është një çështje akoma dhe më sensitive që mundon më së shumti prindërit. Sa më shumë ndryshojnë brezat, aq më dinamike duhet të bëhet dhe shkolla, aq më shumë duhet t’u përshtatet këtyre brezave, në mënyrë që të mos prodhojë probleme kaq të mëdha”.

Shoqëria shqiptare ka kusuret e veta në formimin e adoleshentëve
…mbasi lexova lajmin e dhimbshëm: Gjimnazisti vret shokun e klasës në orën e mësimit, & “ rreth ngacmimeve (“bullying at school”)….”/
Opinion nga Raimonda MOISIU*/
Një nga temat dhe objektivat kryesore në një shoqëri të shëndoshë përkatësisht demokratike, është edukimi i brezit të ardhshëm, kontrolli dhe ndikimi që duhet ushtruar ndaj tyre me startin e adoleshencës, jo vetëm nga prindërit por edhe shoqëria. Kur them shoqëria nënkuptoj, ” mposhtjen e kulturës së dhunës psikologjike dhe për rizbuluar fuqinë e karakterit dhe ndjeshmërisë” rreth ngacmimeve (“bullying at school”), që na japin paraqitjen në incidente e ndodhi, deri në krime tragjike të tilla si “Gjimnazisti vret shokun e klasës në orën e mësimit…..” Gjë e trishtuar, tragjike tejet i dhimbshme është ky rast. Problemi është që duhet kërkuar më thellë në bashkërendimin e aktivitetit edukues e disiplinor të prindërve me shkollën e mësonjësit e tyre, veçanërisht kur ata janë në shkollën e mesme, dallueshėm për paragjykime kur është fjala për çdo histori me pasoja tragjike e kriminale. Është mosha më delikate që mund të bjerë pre e drogës, krimit, vjedhjes, prostitucionit, jetës së shthurur e fenomeneve të tjera, që ekzistojnë në shoqëritë përgjithësisht të shëndosha demokratike, por që janë të theksuara, të prekshme e të dhimbshme në shoqëritë e brishta të tranzicionit të kalimit nga një sistem në tjetrin, i gjatë e i ngadalshëm, ku ka pabarazi, padrejtësi, ligësi, injorancë, përçmim e indiferencë, dhe ata bëjnë ç’është e mundur për të mbijetuar. Shkolla e mesme është një mikrokozmos, botë e vogël, ku adoleshentët formulojnë vetëkopjen miniaturë të shoqërisë. Duke imituar botën e të rriturve, që së shpejti do të hyjnë, ata mësojnë se sa kritike janë marrëdhëniet ndërvetjake dhe ushtrojnë aftësinë për të ruajtur qëndrueshmërinë sociale. Një problemi i madh qëndron me këtë bashkësi informale, me mungesën e rregullave definitive, por për të shmangur kaosin social, adoleshentët kanë krijuar profilin e tyre. Këto rregulla ndryshojnë nga njëri grupim te tjetri dhe mbështeten nga anëtarët e saj, paçka se mund të jetë disi më i madh në numër nga njëri tjetri, apo një klasë më lart. Adoleshentët shfrytëzojnë çdo gjë, deri te edhe të gjitha llojet e presioneve fizike, simbolike dhe verbale, i detyrojnë bashkëmoshatarët e tyre në përputhje me identitetin e grupit, mbështesin forma të pazhvilluara të organizimit social brenda mureve të shkollave të mesme. Ndikimi mes bashkëmoshatarëve siguron strukturën sociale, formalitet që justifikon mungesën e rregullave, veçanërisht i përhapur në mesin e grupimeve naivë brenda llojit – adoleshentë të cilët kanë kapacitet të pranojnë e njohin nuancat e humorit delikat. Ata janë ekzekutorë fantastikë të dhunës, për shkak se ata kanë formimin dhe intelektin minimal për të krijuar një botë funksionale sociale. Gjithashtu, në anën tjetër, adoleshentët nuk kanë kapacitetin mendor, t’i kushtojnë vëmendje abstraksioneve, mbi të cilat marrëdhëniet ndërvetjake, mbështeten rëndom, ndërsa të rriturit të vetëdijshëm e kuptojnë se konformiteti nuk është esencial për lumturinë e tyre. Të rriturit bëjnë përpjekje të kujdesshme e të matura për të zvogëluar adhurimin që ata dikur kanë pasur për bashkëmoshatarët e tyre të inkriminuar. Natyrisht të gjitha grupmoshat influencojnë dhe janë të ndikuar nga moshatarët e tyre, por papjekuria e adoleshentëve mbetet gjithmonë e shoqëruar më ndërgjegjësimin e tyre akut dhe në varësi ekstreme të lidhjeve shoqërore, fisnore e gjaku, të cilat sigurojnë një “recetë të përsosur”, të një dhune të shfrenuar të grupmoshave, brenda llojit. Ndikimi i shokëve manifestohet në forma të shumta e të ndryshme; inkurajim, kompliment apo edhe më keq duke përdorur dhunën verbale, terrorin psikologjik komplimentues, delire madhështie, duke u hequr si miq që i duan të mirën njëri-tjetrit, forma të tilla bindëse; të ndezin cigare duhani apo hashashi, mënyra si e thithin e nxjerrin tymin, si ndjehen, të shijojnë alkolin apo drogën, duke u shndërruar në autorë të krimeve të ndryshme,deri edhe në vrasës me pagesë, largohen nga shkolla vend e pavend, hajdutë të dhunshëm deri sa edhe vrasin për sherre banale, komplekse këto të karakterit formues dhe trashëgues, fenomen që në shoqërinë shqiptare ka marrë përpjesëtime të frikshme e të dhimbshme. A nuk ishin adoleshentë ata, që në bashkëpunim dhe të mbështetur nga disa më të rritur se ata, vranë taksistin korçar Fredi Tarelli?? A nuk ishte adoleshent ai, që vrau rojen e shkollës së mesme me kaçavidë?? A nuk ishin adoleshentë ata që vranë nënën dhe motrën paradokohësh? A nuk ishte adoleshent, Aldo Hoxha, që vrau Fatbardha Tafën, për një varëse?? Për fat të keq edhe shembujt pozitivë, adoleshentë të edukuar e të sjellshëm, mund të kenë efekte të pafavorshme, veçanërisht ata që kanë një status të caktuar, i bën ata të jenë të nderuar dhe qëndrojnë larg tyre me qëllim për ta ruajtur atë statut. Implikimet e adoleshentit janë në varësi të situatës së krijuar, po ashtu si edhe personalitetit i miku/mikes të ngushtë. Kur adoleshencës i afrohet fundi, atyre u duhet të vendosin se si do të reagojnë më pas, për të dalë nga kjo kohë të paprekur dhe pa shenja. Disa prej tyre heqin dorë përfundimisht e fitojnë individualitetin, duke u bërë pjesë e grupit në identitetin e llojit të tyre. Në fakt duke u bërë pjesë e atij grupi, nuk nënkupton domosdoshmërinë në përputhje me kulturën e përgjithshme adoleshente. Megjithatë, së bashku me të mirat e adoleshentëve, shoqëria përballet me pasojat, luhatjet e vetërespektimit në bazë të pranimit në grup dhe ndjeshmërisë së lartë në sjelljet e tyre të dëmshme e të paligjshme, në të cilën ata do të angazhohen për të ruajtur gjendjen e tyre sociale. Gjithsesi duhet theksuar se veprimtaritë e dobishme për individin dhe shoqërinë, të tilla si; duke fituar rezultate të larta në mësime, apo në baza vullnetare, mund të jenë edhe rezultat i ndikimit pozitiv të bashkëmoshatarëve të tyre. Disa njerëz ndikojnë më lehtë te të tjerët. Adoleshentët i japin rëndësi jetës së tyre shoqërore, sepse marrëdhëniet mes tyre janë pjesa integrale dhe kryesore, duke mos përmendur këtu epërsinë e fatit të tyre. Miqtë janë bota e tyre, në thelb, dhe papranuar identitetin e tyre, ata janë të humbur. Adoleshentët formojnë identitetin e tyre mbi formën e miqësisë, të cilat arrijnë nivelet e intimitetit të pashembullt dhe jo paralel, nga ato të formuara gjatë një faze tjetër të jetës, dhe për këtë arsye janë çështje të ndjeshme dhe tejet delikate. Njerëzit që vuajnë nga formimi i ulët, grinden e urrejnë vetveten, mungesa adekuate e ngrohtësisë familjare, prindërve, kërkojnë miratimin dhe integrimin në mesin e këtyre grupeve të shoqërisë. Ky fenomen ka një shpjegim, pse ata tregojnë më shumë dashuri për miqtë e shokët se sa për familjen e tyre, ndërsa shokët e tyre më të rritur këtë nuk e bëjnë. Megjithë shkallën e ndikimit, padyshim shokët influencojnë ndaj njëri-tjetrit, dhe janë të rëndësishme në zhvillimin e identiteteve të tyre. Kjo është mënyra e evolucionit që fëmijët e shohin atë si një lidhje me njëri –tjetrin, të aftë që të mbijetojnë. Identifikimi me grupin e shokëve që ata i përkasin dhe jo me identifikimin e prindërve të tyre është çelësi për mbijetesën e tyre. Kjo perspektivë shkencore hedh dritë të re mbi idenë e gabuar se psikologjia e individit është faktori kryesor në lojë dhe mund të interpretohet si mbështetje për fenomenin, d.m.th. ndikimin e palëve në grup. Individualizmi dhe mospërshtatja është e keqja më e madhe e presionit të grupit, qëllimi i të cilit është pajtimi universal, pengon marrëveshjen e vet në idenë e utopisë adoleshente, e ngjashme ose të paktën e paparashikueshme, pasi ata janë vendosur në rolet e tyre sociale. Të jashtmit, – adoleshentët që janë jashtë shkollave të mesme, kërcënojnë rendin shoqëror, me vetëdije përballen me ndëshkimin dhe izolimin e tyre, shndërrohen viktima të flakura nga shoqëria, mbajnë personalitetin e tyre të vërtetë dhe mësojnë të nxitur nga momentet kritike, fitojnë pavarësinë nga autonomia e llojit brenda grupit, vetëmbështetjen, dy cilësi këto; maturohen dhe rriten para kohe. Kur adoleshentët largohen nga sfera e shkollës së mesme, ata i varin shpresat në udhëzimet e shokëve të tyre, për të ndrequr sjelljen e tyre në shoqëri. Komunikimi lirishëm me fjalë e nofka banale, replikat verbale, janë mënyrat kryesore që përcjellin miratimin apo refuzimin, aprovimin apo kundërshtimin, që qëndrojnë jashtë kontestit origjinal të kuptimit të tyre, por bëhen pjesë e kulturës së tyre brenda grupi. Një prej këtyre fjalëve apo shprehjeve është “Vari…..etj”, që nënkupton apatinë dhe indiferencën, dhe adoleshentët i përdorin ato në favor të tyre gjatë konteksteve të veçanta. ”Vari…etj”, apo “varja” është ndërhyrja indirekte dhe padëshirë ndaj argumentit e për pavlefshmërinë e argumentit të tij/saj dhe se i duhet dhënë fund diskutimit. Biles adoleshentët duke kopjuar nga më të rriturit arrijnë deri aty sa t’i thërrasin njëri tjetrit me nofka, me ngjyresa të rënda p.sh. emrat e organeve gjenitale, -duke e përjashtuar përdorimin e tyre origjinal. Më duhet të theksoj se në shoqërinë tonë ngacmimi (bullying) i parë vjen me zhargonin banal, “e shara” me libër shtëpie, vecmas për motrën apo nënën, si një e lëshuar në majë të gjuhës, në rrugë, ambiente publike, shkollë apo ambiente familjare, që padyshim vuajnë nga një kompleks inferioriteti. Mund të ketë shpjegime por jo justifikime. Janë llojet e pohimeve dramatike që e cojnë drejt aktit dramatik, është sulmi fizik, është akti që shkakton lëndime fizike, deri në vrasje .Fjalë të tilla nxitin dhunë verbale te bashkëmoshatarët brenda llojit. Ata mendojnë së duke e thirrur shokun apo shoqen me epitete të tilla, mendojnë se shprehin dashuri, përzemërsi, afrimitet. Por këto dërdëllisje shërbejnë për të demonstruar pajtueshmërinë gjuhësore në qarqet e duhura sociale dhe për t’i treguar se po sillet çuditshëm e pamend. Prindërit dhe mësonjësit në këtë aspekt duhet t’u tërheqin vëmendjen për të ndryshuar, tu paraqiten argumentet e pasojat, si deri në largim nga shkolla apo izolim. Ajo ç’ka unë dua të theksoj, edhe shoqëria shqiptare ka kusuret e veta në formimin e adoleshentëve. Ngacmimi (Bullying) cfaqet në forma nga më të rafinuarat, deri në më të frikëshmet, që përmendëm më lart. Cfaqet pra, edhe duke buzëqeshur, sic shfaqen në mes të rrugës lypsarët.Cfaqet në fytyrën e atij politikani, që për hir të kolltukut, të egos për pushtet, kapërdin fyerjet dhe poshtërimet prej bajraktari të shefit të tij, apo anasjelltas.Cfaqet në gjuhën e urrejtjes së politikanëve, teksa flasin nga ekranet TV-ve. Emisionet televizive politike, por edhe institucionet shtetërore sikundër Kuvendi i Shqipërisë është bërë disa herë arenë e gjuhës së urrejtjes , zhargonit bulevardesk dhe në gjendje të alkolizuar, duke u shprehur pa etikë respekti e kulture, vecmas deputët mes vedit. Por ky është një problem më i komplikuar se kaq, është ndikimi negativ i gjuhës së urrejtjes, natyra e saj abstrakte; është çrrënjosja e harmonisë, mirësisë, tolerancës e dashurisë, se si ata i drejtojmë në rrugën e adoleshencës, duke lënë vragën e urrejtjes në formimin e tyre, pasojë që do të ndjehet kur ata të rriten.Është koha për të lëvizur nga grija në të zezë dhe të bardhë , e drejtë dhe e gabuar . Të përpiqemi , t’ju mësojmë dhe edukojmë fëmijëve tanë ndjeshmërinë, respektin dhe përgjegjësinë për veprimet e tyre. T’i bindim ata se janë përgjegjës për to. Busulla morale dhe edukimi i adoleshentëve duhet të përballet me pasojat , që ata të mos mendojnë se askush nuk kujdeset sa duhet për të ndaluar aktivitetin e tyre ,- është akti dhe qëllimi që penalizohet nga ligji.Për ta materializuar këtë mendim, sot më shumë se kurrë shoqëria shqiptare duhet të ndikojë pozitivisht, të reduktojë zhargonin bulevardesk, gjuhën e urrejtjes në sallat e Kuvendit, në studiot televizive, në fushata elektorale, të heqin dorë nga kjo “luftë klasash” e tipi (bullying) tejet e vështirë por e papranueshme për një shoqëri demokratike, të gjejnë forma dhe metodat verbale dhe gjuhën simbolike të mirëkuptimit njerëzor e jetësor, t’i bëjnë të prekshme, për promovimin e produktivitetit e moralit njerëzor e social, të jemi shembulli model që të mos e “vrasim” të ardhmen e atdheut e mos të na mallkojë historia.
Raimonda MOISIU
Shkrimtare & Publiciste
SHBA
Adoleshentet sot jane te tmerrshem. Kam dhene 2 vite mesim dhe nuk kthehem me kurre. Ishte nje nga eksperiancat me te shemtuara.
Mesuese fizike qe jep informatiken ne shkolle te mesme. Vetem me kaq eshte vari leshte mesimit. Informatike the fizika jane dy gjera krejt te ndryshme.
Ka qene fat per mua dhe shoket e mi, qe me ka dhene kjo mesuese.
Mesuesja e fizikes ka kryer edhe degen e informatikes dhe eshte nderspecialistet e para ,qe ka dhene informatik, qe nga viti 1986.
E falenderoj mesuesen time, qe vazhdon te punoj me te njejtin pasion.
Mirenjohje dhe respekt per Mesuese Margariten.
Pse adoleshentet jane me te prirur ndaj pelqimeve te meshkujve?