1-Trembëdhjetë vjet më parë, qarkulloi një video që tregonte kryebashkiakun e Bulqizës duke thithur një pluhur të bardhë në një banak lokali.
Dje policia shkencore nxorri rezultatet e testit, që tregonin se ajo që po thithte kryetari nuk ishte kokainë, por pluhur kromi.
Gjithashtu, policia shkencore sqaroi se rastet e infeksioneve të vitit 1994 në Kuçovë nuk ishin kolerë, siç u përfol asokohe.
Kështu pra, coronavirusi na marrtë të keqen.
2-Lajmi se paniku nga coronavirusi ka bërë që shqiptarët të blejnë gjithë stokun e maskave nëpër farmaci, është i vërtetë. Po kjo gjendje do të jetë e përkohshme, thonë burime për Gojët e Liga.
Arsyeja është se pas alarmit fillestar, shumë shqiptarë kanë kuptuar se nuk kanë nevojë për maska, pasi kanë maskat e tyre natyrale.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë mjaft efikase maskat permanente të liderëve politikë dhe eksponentëve të partive, deputetëve, ministrave, drejtorëve, shefave të policisë, komisionerëve të zgjedhjeve, gjykatësve e prokurorëve etj.
Por po ashtu me përqindje të lartë mbrojtjeje janë edhe maskat e mjekëve që marrin para në spitalin publik ose të çojnë te spitali privat pastaj t’i marrin lekët; farmacistëve që shesin barna të 79-ës, pedagogëve që e japin notën për para ose seks, studentëve që e japin seksin dhe/ose lekun për notë; policëve që e fikin kamerën për të marrë lekë dhe atyre që e ndezin kamerën kur u duken pak lekët; e deri tek ata që e japin votën për 3 mijë lekë.
Prandaj dhe përbën çudi paniku dhe vrapi për të blerë maska farmacie.
Por sipas ekspertit të OBSH-së, mjekut indian Suma Ramabundra, shqiptarët kanë shprehjen “dy të rrahura të bëjnë keq; dy të ngrëna mirë të bëjnë”, të cilën në rrethanat e reja e kanë përshtatur: “Një maskë mbron tjetrën, të dyja mbulojnë surranë”.
3-Pati një skandal, që në fakt nuk ishte ndonjë hata lidhur me Policinë e Shtetit. U mësua se për të qetësuar protestuesit e opozitës vitin e kaluar – të cilët ndryshe nga çdo protestues në këtë dynja, ishin të irrituar – Ministria e Brendshme kishte marrë gaz lotsjellës shtesë nga Kosova.
“E morëm për ta patur gjendje, por nuk e përdorëm”, tha ministri Sandro Di Lana, “madje e kthyem mbrapsht, se ishim brenda garancisë”.
Lajmet e fundit nga kjo ministri bëjnë me dije se në protestat dhe tubimet e ardhshme, në vend të gazit lotsjellës forcat e rendit do të përdorin lot gazsjellës.
Kjo substancë e fundit, që do t’i hidhet çdo protestuesi me pikatore në sy, pritet të shkaktojë gaz dhe hare, duke e shndërruar protestën në një panair të madh agro-ushqimor me produkte bio.
*****
SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike anti-virus

Hahaaa
Ata t dy në foto jane Lulja me Edushkën?
Që na kanë turrur së fundmi Metën që këta të dy të na duken lule para tij?
🙂 🙂
Indiani suma ramabundraaaaaaaa. E forte