Në 1937 Konica shkruan “Të riut i ndizet méndia me ëndërra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interes vetiak, është i zoti të vuajë për ideale, dridhet nga padrejtësia dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja; i riu di edhe gëzimin e zémërave të pastëra; të riut i qesh shpirti dhe i qesh buza. Në Shqipëri për kundrë shohim djem të ngrysur me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojtur dhe të thartë. Shqipëtari lint plak.”
Ajo që vërej si fenomenin më të përhapur në vendin tonë është ai i të vjetërve që nuk piqen, përkundrazi të cilët, sa më shumë u kalon mosha aq më shumë humbasin kontaktin me realitetin, që gjithnjë e më pak janë në gjendje të njohin limitet e tyre, që gjithnjë e më shumë thonë “vetëm unë” e që tek të rinjtë kërkojnë gjithnjë e më shumë nënshtrimin mu si kompensim të poshtërimeve që ata kanë pësuar në rininë e tyre nga më të rriturit. Dhe këto karakteristka i bëjnë të shëmbëllejnë gjithnjë e më shumë me të rinj të parritur që me sjelljen e tyre shkatërrojnë brezin që vjen pas. Janë fenomene tipike të një shoqërie sa autoritare aq edhe e traumatizuar nga autoritarizmi.
Letër e nënshkruar: Ilirjan Blloshmi, SHBA