Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi ka inauguruar një biznes fason, ku të pranishëm ishin edhe disa të rinj të suksesshëm në fushën e biznesit, me rastin e aktiviteteve “25 Ditë Aktivitete për 25 Vjetorin e Ditës së Rinisë”.
Bizneset e këtyre të rinjve nisin nga shërbimet, siç është nj bar në Tiranë, shumë i frekuentuar, apo një platformë online e cila mundëson dhurata të personalizuara dhe të punuara në mënyrë artizanale.
Të tjerë të rinj kanë paraqitur idetë dhe kanë nisur punën për kontretizimin e tyre, në mënyrë që në të ardhmen ta rendisin veten ndër biznesmenët e suksesshëm të këtij vendi.
“Të rinjtë tanë nuk duhet të jenë të orientuar vetëm kundrejt shembujve të huaj, si Mark Zuckenberg apo Cameron Johnson, por ne kemi shembujt tanë, historitë tona të suksesit. Të rinjtë duhet të njihen jo vetëm me këto tre sipërmarrës që janë sot prezent, por edhe me shumë të tjerë të cilët kanë zgjedhur këtë karrierë”, u shpreh ministri Klosi.
Ai garantoi për mbështetjen e padiskutueshme që ministria që ai drejton do tu ofrojë cdo të riu i cili ka një plan dhe një ide të qartë.
Çelësi i këtij suksesi, për ministrin Klosi është studimi dhe aftësia e tyre për tu orientuar tek nevojat e tregut të punës. /Dita/
