Të shiturit dhe të blerët

redaktor

Siç ke shtruar, do të flesh. Sa i përket politikës shqiptare, nuk e ilustron më mirë këtë thënie të vjetër sesa zhvillimet e fundit. Një hidh-e prit rromuzesh mes disa deputetësh “luftarakë” evoluoi në një shkallë më të lartë komunikimi, grushta e shkelma. Më pas rrahja me rripin e mesit u përgënjeshtrua nga i dëmtuari, pasi kuptoi që megjithë aureolën e viktimës, dëmi në namuz ishte më i madh. Beteja e kryesisë së Kuvendit u zhvendos dy ditë në vonë në sallën e tij, por nuk ishte nevoja për grushte dhe rrip mesi. Rutina e së enjtes parlamentare parashikon për ndjekësit e politikës, e detyrimisht edhe për gazetarët, një konkurs të pandalshëm të logorroizmit, ku spikat kampioni shumëvjeçar Berisha. Në një gjendje akuzimi permanent ndaj kujtdo që i del përpara ose që nuk është i pranishëm, me tema dhe tituj që s’i lënë gjë mangut tabloidëve, si kur ishte në qeverisje edhe opozitë, padyshim që deputeti demokrat e ka të vështirë të ndërrojë kurs në këtë moshë. Të paktën kryeministri i sotëm pasi ra për të disatën herë në kurth, premtoi se nuk do merret më me të, le të thotë çfarë të dojë. Ndërkaq, diskutimi dhe votimi i ndonjë projektligji, debati për ndonjë nen a ngërç ligjor që meriton vëmendje, nuk paska fare lidhje me punimet e legjislativit shqiptar.

Dikusht mund të thotë se njerëzit shumë kollaj ndërrojnë kanalin e televizorit, apo merren me punët e tyre dhe historia mbyllet këtu. Problemi është se ata të cilëve ua ndërrojmë kanalin, janë në fakt “më të mirët mes nesh”, ata që kemi votuar për të na udhëhequr dhe zgjidhur hallet. Dhe rezulton që janë kapaku që i përshtatet kësaj tenxheres sonë. Sepse i kemi votuar, siç (ri)zbulon edhe sondazhi i fundit i institutit IDRA, duke u shitur. Po, një në tre votues shqiptarë pranon të ketë votuar ose për të mbajtur vendin e punës, ose për të gjetur punë, ose shkurt e shkoqur, me lekë në dorë. Prandaj kemi atë përbërje në parlament, që reflekton mot-a-mot të njëjtën formulë: Shumica e deputetëve sillen ashtu si sillen dhe flasin ashtu si flasin, për të ruajtur përfitimet që kanë kundrejt partisë-liderit, për të siguruar favore të reja ose dhe thjesht, shiten. Prandaj gjejmë e shohim gjithnjë e më pak individë që thonë të tyren, që ruajnë shtyllën kurrizore, që kanë integritet dhe u ka peshë fjala.

Por kështu kemi shtruar e kështu po flemë, jo vetëm me pushtetin qëndror, por edhe me drejtuesit e votuar lokalë. Ndaj dhe ata që dalin në krye, janë ata që kanë mundësi të blejnë, të ndihmuar nga krejt pjesa tjetër që zgjedh të shitet. Kusuri i historisë është thjesht çështje çmimi, i cili nis nga thesi i miellit dhe pesë mijë lekëshi i vjetër, deri tek milionat në valutë të huaj.

A nuk është, megjithatë, ky parimi i kapitalizmit, ku funksionon kërkesë-oferta? Ti ke diçka për të blerë, dhe gjen atë që dëshiron ta shesë? Po, për mallrat dhe shërbimet. Por kemi harruar se zgjedhje pas zgjedhjesh, gjatë këtyre viteve kemi shitur vetë të ardhmen tonë. Sigurisht, pa e kuptuar dhe pa u thelluar në “filozofira” të ngeshme, për të cilat familjari që lufton për bukën e gojës nuk ka kohë. Megjithatë, në pamje të parë ka ende shpresë, gjithmonë nëse i besojmë pa paragjykime sondazhit të IDRA-s. Sepse plot të tjerë votojnë për bindje dhe jo për t’u shitur.

Në fakt, si kanë votuar ato dy të tretat e zgjedhësve që nuk “janë shitur”, sipas sondazhit? Deri tani, demokracia e leqendisur që kemi ndërtuar na ka mundësuar vetëm një lloj vote me vullnet të lirë: Atë të protestës, votën kundër kur thika ka shkuar deri në palcë, dhe kur ka qenë kaq masive sa keqnumërimi dhe manipulimi nuk ka bërë fajde. Kjo është e vetmja formë “llogarie” që u kërkojmë atyre që kemi zgjedhur, apo më saktë, që na kanë blerë. Pastaj rikthehemi tek spektaklet parlamentare dhe llomotitjet e pafundme, deri në zhgënjimin e rradhës. Përgjatë kësaj kohe, blerësit tanë bëjnë hesapet dhe grumbullojnë thesaret, ca thërrime prej të cilave do t’i harxhojnë bujarisht për të na blerë përsëri.

 

*Revista KLAN

Share This Article
2 Comments
  • Ky popull nuk e meriton te kerkoje, te flase, te ankohet, vete i ka zgjedhur keta njerez per dekada me rradhe

  • O I mencuri A.Kociko ,a me lejohet te te pyes ty si I mencur qe je: cili krah I kuvendit ka me shume cifligare, dhe rrushfetcinj?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *