Shumëkush nga qytetarët e këtij vendi e kuptoi rrënimin e plotë ekonomik që qeveria e sotme në ikje serviri, sidomos në këtë katërvjeçar të fundit. Me një politikë fiskale dhe financiare krejtësisht të papërgjegjshme. Me shpërdorimin e tejskajshëm të fondeve publike për blerje votash, me investime gati faraonike që dobësuan dukshëm Buxhetin e Shtetit dhe rritën borxhin publik në nivelin më të lartë të të gjithë Ballkanit.
Qytetarët shqiptare e kuptuan, edhe pa qenë ekonomistë, këtë shpërdorim dhe keqmenaxhim të ekonomisë publike të vendit dhe e shprehën kundërshtimin e tij me votën e dy ditëve më parë. Tani është koha e mbajtjes nën tension të qeverisë që do të dorëzojë çelësat në shtator 2013, që këto dy muaj e pak të jenë të përgjegjshëm nga ana e saj. Qeveria në ikje duhet të ruhet dhe vëzhgohet trefish. Nga forcat politike fituese të zgjedhjeve (në mes të tyre ka plot ekonomistë të aftë), nga specialistët e ekonomisë dhe shoqëria civile e angazhuar në studime ekonomike, si dhe nga mediat. Nuk duhet të ketë një çast të lirë për të marrë vendime anti-kombëtare për ekonominë tonë(sikurse shumë syresh i ka marrë në këto tetë vjet). Qeveria duhet ta ndjejë për herë të parë veten të përgjegjshme. Të monitohet dhe këqyret shumë fort. Pse sfidat e qeverise që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë serioze dhe do të kërkojnë një përgjegjshmëri të lartë në raport me interesin publik. Nuk mund të mbështeten më mbi terrenin e djegur të lënë nga kjo qeveri. Duhet rikonsideruar dhe një herë në themel sistemin e taksimit, jo duke bërë si kalin e betejës zëvendësimin e taksës së sheshtë me taksën progresive, por duke gjetur burime të reja të ardhurash nga tatimet indirekte dhe direkte (për shembull taksat e trashëgimisë). Dhe sidomos e para se gjithash, duke luftuar evazionin fiskal nëpërmjet modernizimit të menaxhimit të sistemit tatimor të vendit.
Arritja e objektivave politikë të zbutjes se pabarazisë dhe të varfërisë nuk është një rrugë aq e lehtë sa të arrihet me një hap të vetëm të kalimit nga një taksim si taksa e sheshtë, drejt një taksimi progresiv. Shume industri ende të pazhvilluara mirë të vendit mund të dëmtohen rëndë, për shembull, nëse që në fillim taksohen fort progresivisht. Ndërsa krahas një politike fiskale me këmbë në toke dhe drejt rritjes së të vjelave, të ardhurave publike, prioriteti absolut i politikave financiare të vendit është mbajtja e borxhit publik brenda një limiti tavan dhe ndërtimi i një kalendari kohor për reduktimin e vazhdueshem të këtij borxhi të paktën nën 55 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Kjo është alternativa e vetme që siguron një rritje ekonomike dhe prosperitet. Të ngadaltë, por më të sigurt dhe të qëndrueshëm, ama. Ruajtja e një shkalle shpenzimi publik në jo më shumë se 30 përqind të të Produktit të Brendshëm Bruto duket se mbetet receta kryesore për politikëbërjen e tashme dhe të ardhshme të Shqipërisë. Kjo do t’i lejonte vendit të ruante një shkallë taksimi të moderuar dhe, nga ana tjetër, do të çlironte më shumë burime financiare për rritjen dhe zgjerimin e sektorit privat. Sigurisht që kjo të krijonte në aspektin filozofik edhe më shumë hapësira për lirinë e individit, duke mundësuar zhvillimin dhe afirmimin individual në kushtet e një ekonomie individuale të lirë e të pacenueshme.
