Policia e Durrësit ka identifikuar autorin e plagosjes së 4 personave, mbrëmjen e djeshme në hyrje të qytetit bregdetar.
Burime nga policia bëjnë me dije se është shpallur në kërkim 30-vjeçari Agim Shurdha i cili dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në drejtim të një lokali dhe për pasojë janë plagosur 4 persona.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme, në afërsi të stacionit të trenit të qytetit të Durrësit ndërsa të plagosur kanë mbetur shtetasit Ilia Plaku 65 vjeç, Bujar Luku 55 vjeç, Tasim Hallulli 50 vjeç dhe Hamdi Lama 55 vjeç.
Të plagosurit ndodhen në spitalin e Durrësit dhe sipas mjekëve ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Nuk dihet ende se cili prej të plagosurve ka qënë objektiv i sulmit dhe motive e ngjarjes por policia po vijon kërkimet për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
****
Të shtëna me armë zjarri në Durrës, plagosen 4 persona
Katër persona janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur tek stacioni i trenit, rreth orës 21:30, ku një person ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti i tij, në drejtim të një lokali, për arsye ende të panjohura.
Për pasojë katër persona janë plagosur, ndërsa krismat kanë shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë që ndodheshin në lokalet përreth, apo duke shëtitur në rrugë në ato momente.
Të plagosurit, janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit. Fatmirësisht, sipas mjekëve ata janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia bëjnë të ditur se të plagosurit, H.Lama 55 vjeç, Bujar Luku 55 vjeç, Ilia Plaku 66 vjeç dhe T. Hallulli ishin klientë të rastësishëm në lokal dhe nuk njiheshin me njëri-tjetrin.
Dëshmitarët në vendin e ngjarjes tregojnë se një person ka shtënë me armë në drejtim të lokalit, ndërsa nuk dihet se cili ka qenë objektivi i tij.
“Autori ka qëlluar në drejtim të lokalit, plumbi ka kapur vëllain tim në këmbë. Nuk dihet cili ka qenë objektivi i tij. Jemi shtrirë të gjithë barkas në lulishte, kur është qëlluar me armë. Autori është larguar më pas me makinë.”- shprehet vëllai i njërit prej të plagosurve.
Ndërkohë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.