Të shtunën mësuesit testohen për rritjen e pagës, gabimet që nuk duhet të bëni

Pranvera Kola

Janë me mijëra arsimtarët që do i nënshtrohen të shtunën (21 prill) testimit për të fituar shkallën e kualifikimit. Rezultatet e këtij provimi janë vendimtare për të fituar edhe rritjen e pagës, diferencimi i të cilës përcaktohet nga kategoria në të cilën mësuesit do i nënshtrohen shkallës së kualifikimit.

Për të shmangur penalizimet e mundshme, autoritetet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë bëjnë me dije se testimi për të gjithë mësuesit do të zhvillohet në Tiranë në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”. Ditën e testimit mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm, jo vetëm që të paraqiten në orarin e përcaktuar, por edhe të kenë me vete dokumentin e identifikimit.

“Provimi zhvillohet në datën 21 prill. Çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e përcaktuara të shkollës “Vasil Shanto” detyrimisht në orën 8:30-9:00. Testimi do të fillojë në orën 10.00. Dokumenti që duhet të keni me vete është Karta e identitetit, ose Pasaporta. Në mungesë të këtij dokumenti asnjë mësues nuk do të lejohet që të hyjë në ambientet e provimit. Ndalohet rreptësisht mbajtja e celularëve në mjedisin e testimit”, sqarojnë specialistët e MASR.

Teza e provimit të kualifikimit përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet rreth njohjes së dokumenteve zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Ndërsa pjesa e dytë do të përfshijë pyetjet rreth përmbajtjes shkencore të lëndës që mësuesi zhvillon në shkollë me nxënësit e tij. Krahas përmbajtjes specifike të lëndës që është e detajuar në mënyrë specifike sipas llojit të lëndës që mësuesi jep, njohja e dokumenteve zyrtare është shumë e rëndësishme.

Sikundër u theksua edhe më lart, një pjesë e konsiderueshme e pyetjeve të testit kanë të bëjnë me njohjen e urdhrave, udhëzimeve, ligjeve dhe dokumenteve të tjera ligjore në funksion të veprimtarisë mësimore.

Sa i takon gramatikës, mësuesi duhet të dëshmojë në test njohjen e rregullave të drejtshkrimit të standardit të gjuhës shqipe.

Ndërsa në pyetjet rreth etikës mësuesi duhet të dijë si të përshkruajë parimet themelore mbi të cilat është hartuar Kodi i Etikës së Mësuesit, të dallojë sjelljet e mësuesit që burojnë nga parimet themelore, të hartojë vetë një kod të thjeshtë sjelljeje që bazohet në parimet dhe standardet e Kodit të Etikës, të përshkruajë sjelljet model që duhet ta karakterizojnë, në varësi të funksionit që ka në komunitetin e shkollës, si dhe të dijë të sillet në përputhje me rregullat e etikës dhe të sjelljes në marrëdhënie me drejtuesit, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin gjatë punës së tij brenda dhe jashtë institucionit arsimor.

 

Sigurimi i rritjes së pagës nga 5-20 për qind

  • Rritja e pagës së mësuesit përcaktohet nga shkalla e kualifikimit që ai fiton. Në këto kushte, mësuesi përfiton 5 për qind të pagës së grupit pasi fiton shkallën e tretë si: “Mësues i kualifikuar”.
  • Rritja do  të jetë në masën 10 për qind për të gjithë mësuesit që nëpërmjet këtij testimi do të fitojnë shkallën e dytë të kualifikimit që është “Mësues specialist”.
  • Ndërsa rritja maksimale, që do të jetë në masën 20 për qind, do ta fitojnë të gjithë arsimtarët që fitojnë shkallën e parë të kualifikimit që është: “Mësues mjeshtër”.
  • Rritja e pagës për të gjithë mësuesit që do të marrin vlerësimet pozitive në testimin e ditës së shtunë do të zbatohet duke nisur nga data 1 korrik e këtij viti.
  • Arsimtarët që nuk arrijnë të sigurojnë pikët kaluese përgjatë këtij viti, kanë të drejtë që të testohen sërish për të fituar shkallën përkatëse të kualifikimit përgjatë vitit 2019. / DITA

 

p.k/dita 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *