Kohët e fundit është botuar në shqip nga shkrimtari i madh grek, Nikos Kazantzaki, “Udhëtim nëpër Itali, Egjipt, Jerusalem, Qipro, More”, përkthyer nga Maklena Nika, Botimet “Toena”.
Nëse do të kishim parasysh atë që është shprehur vetë shkrimtari se: “Idealja për mua do të ishte tetë muaj udhëtime dhe katër muaj vetmi”, do të justifikonim çdo përpjekje të tij për të realizuar sa më shumë udhëtime në jetën e tij. Nëpërmjet shënimeve të tij të udhëtimeve, që përbëhen nga “Udhëtoj nëpër Kinë dhe Japoni”, “Udhëtoj në Itali, Egjipt, Sinai, Jerusalem, Qipro, More, “Udhëtim në Malin e Shenjtë” “Udhëtim në Rusi”, “Udhëtim në Spanjë” dhe “Udhëtim në Angli”, lexuesi i afrohet disi botëkuptimit të shkrimtarit të madh grek, por edhe të filozofit të kohërave.
Ai nuk udhëton vetëm nga një vend në tjetrin, por edhe nga një ide në tjetrën, duke krijuar në këtë mënyrë edhe kundërshti, pasi ai kalon nga një teori në tjetrën, duke i besuar të gjitha në një moment të caktuar. Ai vetë shprehet se “Rrugëtimi u jep trajta të reja shqisave, dhe gjëra të thëna me mijëra herë të habisin sikur i sheh për herë të parë…”
Të udhëtosh me Kazantzakin, do të thotë të udhëtosh me veten, të jesh në kërkim të vetes dhe kohës së humbur të Marcel Proust-it. Do të thotë të gjesh tigrin tënd, dhe të udhëtosh me të ngado, sa të mundesh e sa të marrësh frymë “Ky zë i pamëshirshëm – bashkërrugëtari im Tigri – më shoqëronte, edhe pse më urrente, në të gjitha udhëtimet e mia. Gjithçka e pamë bashkë. Hëngrëm dhe pimë të dy në tryezat e mërgimit, u lënduam të dy, të dy shijuam male, gra, ide. Dhe kur të ngarkuar me trofe, e të mbushur me plagë, kthehemi në qelinë tonë të freskët, të qetë, në mendjen time ky tigër i heshtur kthehet në gjigant. Atje është strofka e tij. Mbështillet rreth kafkës sime, i fut thonjtë e tij në mendjen time dhe reflektojmë për ato që pamë dhe që kemi ende për të parë. Gëzohemi të dy që kjo botë, e dukshme dhe e padukshme, është një mister i patjerrshëm; i thellë, i pakuptueshëm, përtej mendjes, dëshirës, sigurisë. Bisedojmë të dy – Bashkërrugëtari im Tigri dhe unë – dhe qeshim që jemi kaq të fortë, të dashur dhe të pangopur dhe që sigurisht, një mbrëmje, do të hamë një grusht dhé për t’u ngopur. Dhe kur jemi shumë në qejf ose ndiejmë një pikëllim të padurueshëm, luajmë dhe e bëjmë Zotin t’i psalë, duke u dridhur, himne patetikë njeriut fatkeq.
O Zot, ç’gëzim është ky, të jetosh, të shohësh dhe të luash me Tigrin e madh e të mos kesh frikë!”
Ashtu siç mbaron një udhëtim, dhe ti trishtohesh dhe nuk do të kthehesh më në realitetin e përditshëm, monoton, ashtu trishtohesh edhe kur mbaron së lexuari një libër të bukur, dhe aq më tepër kur përkthen një libër të bukur, dhe aq më tepër akoma kur libri që ti përkthen të çon në vende të panjohura që ti nuk ke pasur mundësinë të shkosh dhe të cilat mbeten në ëndrrat e tua si sfida për të ardhmen. Të udhëtosh me Kazantzaki-n është një eksperiencë e papërsëritshme dhe e rrallë për këdo…Ti udhëton bashkë me të në Spartë dhe identifikohesh me reflektimet e vetë autorit, ndihesh një Helenë dhe pyet veten nëse kjo mund të jetë e vërtetë: “Vallë, kjo fushë e Spartës është kaq epshore dhe e ëmbël, landrat dhe limonët e saj kundërmojnë me kaq dehje, apo ndoshta e gjithë kjo magji buron nga trupi i shumëputhur dhe i shumendur i Helenës? … Fatkëqijtë për vite të tëra luftuat në Trojë për Helenën, dhe kurrë nuk e ndjetë se po luftonit vetëm për hijen e Helenës….Kaluan brezat, por Helena e pavdekshme lëviz mes këngës, ulet në tryezat e arkondëve dhe në kuvendet e popullit. Në mbrëmje ngjitet në krevatet e nuseve të reja, si nuse, dhe të gjitha bijat e Greqisë i ngjajnë. Është gruaja e grekëve!”
Ndjeshmëria e autorit është shumë e prekshme në vepër, sidomos kur ai përshkruan me admirim Qipron, atdheun e vërtetë të Afërditës “Kurrë nuk kam parë ishull të tillë me kaq feminilitet, kurrë nuk kam frymuar ajër të mbushur me kaq këshilla të rrezikshme dhe kaq të ëmbla. Gjumësi e lehtë më pushton, përgjumje dhe ëmbëlsi, dhe në mbrëmje, kur dielli perëndon dhe nga deti fryn flladi i lehtë dhe tunden pak, majtas–djathtas, kaiket e vogla dhe zhyten në buzëdet fëmijët e vegjël me jaseminin në dorë, zemra ime çlirohet dhe dorëzohet si Afërdita e Plotfuqishme”.
Është fakt i njohur se shpirti i tij nuk mund të gjente qetësi në vatrën e tij, Greqinë. Ai duhej të shikonte më shumë për ta vënë veten përpara një prove shumë të madhe – Shpirti i tij duhet të përballej me të gjitha shpirtrat e botës, dhe ndoshta, ashtu siç shprehen surrealistët, të gjente korrespondenca….Ai i gjeti këto korrespondenca, jo të gatshme, por duke i gërrmuar ato në tokat që shkeli, duke përpirë sytë që pa, duke prekur gurët ku shkeli, duke ndjerë aromat që e dehën dhe njëkohësisht e ndërgjegjësuan më tepër për shumëllojshmërinë e botës ku jetojmë. “Një forcë më shtyn drejt një qëllimi të cilin nuk e njoh. Nuk do të dorëzohem derisa ta arrij këtë qëllim”. Qëllimi i tij ishte të udhëtonte sa më shumë, dhe ndoshta nuk do të ishte një shkrimtar i madh e i padiskutueshëm nëse dora e tij nuk do të shkruante e ndikuar nga vendet ku shkoi. Mendja njerëzore, sado e mprehtë dhe e formuar qoftë, ka nevojë të zgjerojë horizontet e saj. Përplasja me realitete të ndryshme, me kultura e qytetërime të ndryshme, me histori e zhvillime të ndryshme, e ndihmon mendjen të cikë horizonte të reja ngacmuese…Këtë Kazantzaki e dinte mirë, se besimi i tij nuk do të konsolidohej nëse ai nuk do të nisej për udhë…
Ai ndalet në Lindje duke e përshkruar atë me një ndjeshmëri dhe thellësi mendimi, aktual edhe në ditët e sotme “Kjo është Lindja, ashtu siç e dashurojmë – e mbushur me dritë, ngjyra, aroma, papastërti dhe hi prej brezave të panumërt që u shfaqën nga baltërat e lumit dhe u thanë si tjegullat nën diell, dhe më pas u kthyen sërish në baltë… Dhe deri tani është ndarë bashkëpunimi i frikshëm – burrë dhe grua – mbi planetin tonë. Lindori është burri i Europës”.
Ne, njerëzit e thjeshtë, nuk jemi si ai, në këndvështrimin praktik, të sakrifikojmë jetën tonë, përditshmërinë tonë për të kuptuar sadopak veten tonë. Ne nuk kemi vuajtur si hebrenjtë, ashtu si shprehet edhe autori “Kështu vajtojnë hebrenjtë prej shekujsh, duke kërkuar, duke përkëdhelur, duke puthur gurët e lashtë. Të çrrënjosur, pa tokë, i kthehen tokës. Prandaj, raca hebraike, pikërisht shkatërrimi i çdo harmonie, është thelbi i saj, dhe mbizotëron në ditët e sotme. Prandaj, drejtuesit më të lartë në mendim dhe në veprim janë hebrenjtë. Pse gjithë ky lulëzim? Sepse jeni të shqetësuar, të shpërndarë gjithandej, në një epokë kalimtare që po gremiset”. Ai duket sikur është lajmëtar i së ardhmes kur shkruan se “Shpirti hebraik do të pushtojë Tokën, t’u imponojë të gjitha kombeve ritmin e tij, të shkatërrojë të tashmen, sepse nuk e përmban dhe e mbyt. Ky është tipari i tij më i thellë. Grekët duan të harmonizojnë forcat e kundërta, gëzohen dhe futen të tërë në çdo çast kalimtar. I dhanë botës ekuilibrin. Hebrenjtë luftojnë pa pushim të thyejnë këtë ekuilibër dhe të revoltojnë zemrën e njeriut. Kurrë nuk ka vend për ta në këtë realitet; kërkojnë, përtej çdo çasti të përkohshëm, absoluten”.
Sepse udhëtimet e shkrimtarit grek nuk kishin qëllim tjetër përveçse Kazantzaki të vihej përballë Kazantaki-t, por jo në tokën helen, por tekdo…Përshtypje të papërsëritshme do t’i linte edhe Sinai, ku shkruan “Për vite të tëra Sinai, mali i shkelur nga Zoti, vetëtinte në mendjen time si një majë e paarritshme. Deti i Kuq, Arabia e Gurtë, porti i vogël i Raithos, ecja e gjatë me deve në shkretëtirë, pelegrinazhi në malet e frikshme e të pajeta, ku prej dyzet vitesh kalonin dhe rënkonin hebrenjtë, dhe në fund Manastiri i Shenjtë, i ndërtuar mbi shkurren që kishte marrë zjarr, por nuk digjej – një bëmë që prej vitesh i sfilitur në qytetet e mëdha digjesha të realizoja”. Dhe Kazantzaki të kuptonte përfundimisht se nuk besonte në asgjë, nuk kishte frikë nga asgjë dhe ishte i lirë.
Po ne, çfarë do të kuptojmë duke lexuar udhëtarin Kazantzaki? Udhëtimi është i gjatë, i vështirë, kërkon përqendrim dhe durim. Por në fund të fundit, ia vlen. Bashkë me autorin, udhëtojmë dhe reflektojmë për magjinë e botës ku jetojmë, për pafundësinë dhe misterin e saj. Do të kërkojmë të shkojmë menjëherë në vendet që sapo lexuam, të përshkruara aq bukur, aq me hollësi gjeografike, historike, filozofike, sa na duket sikur kemi në duar një hartë të mrekullueshme që do të na shoqërojë në rrugëtimin tonë të ardhshëm, pa pasur frikë nga e panjohura. Do të kërkojmë të arrijmë edhe ne në përfundimet tona…
Cili do të jetë përfundimi ynë? Do të ndihemi të lirë, duke mohuar frikën dhe shpresën? Apo do të ndihemi të lirë duke i pranuar ato, por me kushtin e vetëm që rruga jonë drejt Itakës të jetë e realizueshme deri në fund?
