Në bodrumin Katedrales Ortodokse, në qendër të Tiranës po punohej deri në 9 të darkës. U interesuam për të parë se kush hynte e dilte në atë orar aty. Ajo që mësuam ishte se një grup të rinjsh kishin marrë në përdorim, për dy ditë sallën e madhe të kësaj kishe. Jo pa qëllim, pasi sot dhe nesër në mbrëmje ata do të vendosin në skenë një shfaqje të titulluar “3 qirinj”. E gjitha është e bazuar në 3 novela të Migjenit. Trajtim i këtyre 3 novelave bëhet duke përdorur marrëdhënien skenike midis aktrimit, videoprojesionit dhe zhurmave, -pa harruar edhe narracionin. Duhet thënë që kjo teknologji në teatër, vjen për herë të parë në Shqipëri. Për të mësuar më shumë për të në folëm me Florian Çangën i cili në këtë shfaqje ka rolin e producentit dhe të personit që bën projeksionet.
Flori, për here të pare në Shqipëri do të shohim një shfaqje teatrale ndryshe, na tregoni çfarë do të sillni të re?
E reja është marrëdhënia. Marrëdhënia midis imazhit, interaktivitetit, narracionit zhurmave si dhe cilësia e tyre. Migjeni duke kritikuar na ndihmon me veprën e tij.
Gjithashtu doja që të shfaqja anën politike dhe formën që shfaq Migjeni. Në përgjithësi ky autor karakterizohet si social, por është shumë politik. Në vitet ‘30 politika nuk ka qenë me këtë zhvillim që është sot, por në atë kohë pati një zhvillim shumë të lartë formësimi i publikut. Pra krijimi i një publiku të formësuar brenda një kostumi, brenda një mendimi apo stili, brenda një kulture.
Kjo forme krijohet nëpërmjet shumë elementeve, duke nisur që nga feja, politika, media, kultura. kombi, etj. Kjo sjell diferencat e theksuara dhe shpesh qesharake brenda një shoqërie si kjo e jona, e sotshmja, ku shumë njerëz modern janë shumë të ndjeshëm ndaj kafshëve, por aspak ndaj njerëzve.
Dhe kjo thjesht, sepse ajo çfarë na rrethon është një fasadë që ne e shfrytëzojmë për t’u dukur bukur. Është një joshje kolektive që ne i bëjmë njeri-tjetrit. Duke përdorur elemente që ndikojnë në ndjeshmërinë e njerëzve që nga bamirësia, deri tek arti.
Por kur kjo fasadë bie, del lakuriqësia banale. Sepse realja që ne na rrethon është realisht shumë e varfër dhe shumë e prapambetur.
Kur thoni që do të jetë një shfaqje edhe politike, çfarë nënkuptoni?
Po, politika e shfrytëzon këtë formësim që fola më lartë për të luajtur lojën e vet përfituese. Migjeni ka qenë shumë i distancuar nga përfitimet apo mundësitë e kohës, Ai thjesht i ka vëzhguar nga larg dhe me një stil estetik shumë të lartë i shfaq. Por dua të theksoj këtu se sa thjesht dhe bukur ai e shfrytëzon gjuhen shqipe për të shfaqur mendimet dhe krijimtarinë e tij. Kjo ka sjell që në formë të fshehtë Migjeni të bojkotohet, madje sot më shume se dikur. Më ka habitur shumë që në Tiranë bëhen kaq shumë komedi për të qeshur, dhe Migjeni nuk zbërthehet në nivelin skenik apo filmik.
Si mund ta zbërtheni ju Migjenin në bashkëpunim me teknologjinë e vitit 2013?
Migjeni transmeton gjendje nëpërmjet çdo fjale në veprën e tij. Që nga filozofia. politika, elementet sociale dhe konfliktet e nëndheshme që shoqëria shqiptare ka. Por brenda veprës së tij gjendet dhe universalja dhe solidarizimi. Kjo është tipike e autoreve të brezit te tij, si Remark për shembull. Periudha e viteve ‘30 ka qenë inovative në shumë fusha të artit, shkencës dhe mendimit dhe kjo reflektoi në veprën e Migjenit. Kjo sepse ai njihte shumë mirë kohën dhe qytetin ku jetonte. Ai nuk ndoqi rrymat lokale të kohës si patriotizmi, lirika apo mitizmi. Nuk u përpoq të ishte popullor dhe i pëlqyeshëm, transformoi historitë lokale, por të forta të Shkodrës në mendime filozofike. Pikërisht këto mendime në veprim, brenda mendjes së tij doja që t’i përktheja në një vepër skenike duke përdorur teknologjinë skenike si videoprojeksionin, zhurmat, narracioni dhe interaktivitetit. Sigurisht duke i lidhur në një marrëdhënie të ngushtë me aktorin. Dhe për këtë jam shumë i kënaqur që po përdorim ide të reja të kohës për një vepër shqiptare dhe veçanërisht për Migjenin. Në këtë pikë kompjuterët janë të domosdoshëm për të zbërthyer Migjenin.
Cili është mesazhi që doni të përcjellin?
Në nivelin artistik- teknik dua të përcjell atë që sot teatri është një film që ndodh direkt në skenë. Teatri është vital dhe marrëdhënia brenda tij është shumë dimensionale, ku aktori komunikon me elementët e tjerë skenikë, si hapësira, koha, imazhi, zhurmat, mekanika, drita, arkitektura, 3D, etj. Kjo sjellë një nevojë të zhvillimit të regjisë skenike që ka rolin kryesor në ndërthurjen e këtyre gjuhëve artistike. Në nivelin social dua që shfaqja të zhvilloje mendimin tek publiku , ndjeshmërinë dhe kultivimin. Teatri duhet të përcjellë zgjuarsinë tek dëgjuesit, t’i bëje ata të reflektojnë dhe jo të vijnë në shfaqje thjesht për të harruar të përditshmen.
Një formë e re kjo, mendoni se ka ardhur momenti që publiku të marri këtë lloj tetari duke iu përshtatur zhvillimit të shoqërisë?
Ne jemi shumë vonë. Forma të tilla janë aplikuar në teatër 100 vjet më përpara nga Melies, Meyerhold, Richard Jones deri me sot nga Robert Lepage, etj. Publiku në Shqipëri është shumë i kultivuar. Ne kemi aktorët e mirë dhe regjisorët e mirë, por kemi prezantimet e shëmtuara. Kjo për arsyen e nivelit shumë të ulet teknik të sallave të teatrove. Teatri Kombëtar është në një nivel skandaloz, qesharak ta quash Teatër, jo më Kombëtar. Më habit se si regjisorët e pranojnë atë realitet. Në Teatrin Kombëtar nuk ka një kompjuter për teknikën. Niveli teknikës trajtohet me idenë e elektricistit. Kjo është absurde. Sot, arti është produkt i shumë gjuhëve artistike, ku çdo pjesëmarrës bën punën e tij tekniko -artistike. Vendosja në skenë e një pjesë dramaturgjike i përket regjisë dhe teknologjisë. Kur këto nuk komunikojnë, pesha e shfaqjes bie mbi aktorin, i cili nuk ka mundësi të bëj çdo gjë, dhe shfaqja bëhet e mërzitshme. Mos të harrojmë ndikimin që ka kinemaja, video game dhe cilësia e jetës së përditshme në kërkesat estetike që ka publiku, elemente që teatri duhet t’i respektojë.
Florian, ju jeni producenti, po kush janë aktorët që do të interpretojnë në këtë shfaqje?
Ka një meritë të veçantë Erenik Beqiri si regjisor i shfaqjes dhe aktorët Andi Begolli dhe Kristjana Dodaj. Skenografia nga Morena Vata. Një punë shumë interesante ka bërë Harri Aleksi për grafikët dhe zhurmat me Darsen Hasanin, i cili më ka bërë një punë me shumë fantazi. Gjithashtu narracioni është realizuar nga 3 personazhe të tjerë. Paralelisht kam filluar realzimin e një dokumentari që kam kohë që dua ta realizoj, por kur të mbarojë do të flas për të.