Jeni në kërkim të ndonjë divani, nëse duhet të flini në Bangalore, Indi, ose Bilbao të Spanjës? Udhëtarë të lodhur pushojnë gjatë natës në divanin e një të panjohuri të gjetur nëpërmjet website-t couch-surfing.
“Couch surfing” është suksesi më i fundit në valën e rrjeteve sociale. Është vendi ku njerëzit mund të ofrojnë divanin e tyre, dyshekun me ajër, hapësirën e oborrit të shtëpisë ku mund të vendosësh një tendë, dhomën e miqve apo apartamentin e tërë për udhëtarë nga i gjithë globi. Udhëtarët e rraskapitur mund të shohin qytetin që duan të vizitojnë, të kontaktojnë një pritës vendas dhe të shpresojnë për të gjetur diçka falas për të fjetur.
Faqja e internetit e couch surfing të ofron profilet e rreth 400 mijë anëtarëve, të cilët vendosin fotografi dhe informacione rreth vetes, dhe llojin e akomodimit që ata ofrojnë. “Nëse je pa paragjykime dhe je interesuar të takosh njerëz, dhe nëse je kureshtar mund të bëhesh një couch surfer,” thotë Anne-Marie Ross, emri i profilit të së cilës është Rossi në Roterdam. “Të jesh një couch surfer të lejon të mbash kontakte në një mënyrë të lehtë, sepse jeni pjesë e faqes online.”
“Të lundrosh në ujëra ekzotikë”
Couch surfing mund të mos ofrojë intimitetin që keni në hotel, por ai iu mundëson kontaktin personal që nuk ekziston më në qendrat turistike të përcaktuara. Bryan McDonald, i cili zakonisht në profil përdor emrin Duke, është një couch surfer prej tre vitesh dhe ka pritur më shumë se 100 njerëz në vendin e tij të lindjes, Meksikë. Ai gjithashtu ka përshkruar Evropën me autostope dhe duke pasur një couch surfer në çdo ndalesë. Kujtimet më të mira kanë qenë në Rusi.
“Mbaj mend më shumë përzemëri mikpritjet në Rusi, në Shën Petersburg dhe Moskë,” thotë ai. “Shumë prej njerëzve që më prisnin jetonin në hapësira shumë, shumë të vogla por ishin shumë të lumtur për të ndarë atë pak vend që kishin me dikë tjetër dhe ishin shumë entuziastë rreth kësaj.”
Couch surfing nuk vlen vetëm për turistët. Jacek Pisarczyk e përdori këtë sit për herë të parë, kur lëvizi nga Polonia drejt Hollandës. Ai tha se nuk njihte askënd në Roterdam dhe se pritësi i tij “ishte me të vërtetë shumë i mirë sepse më lejoi të qëndroja në shtëpinë e tij për dhjetë ditë, ndërkohë që po kërkoja një apartament me qera.”
Siguria e couch surfing
Jo çdokush ndihet rehat nga qëndrimi me një njeri krejtësisht të huaj që e takon nga interneti. Dhe kjo është arsyeja përse websiti përdor një sistem rregullator. “Nëse priteni nga dikush ose jeni ju që prisni, atëherë duhet të lini një referencë, pozitive apo negative qoftë ajo, rreth kësaj eksperience,” thotë McDonald, i cili është gjithashtu një anëtar i stafit të drejtimit të couch surfing, krijuar në mënyrë vullnetare nga përdoruesit e tij. “Dhe sigurisht, sa më shumë referenca pozitive që të ketë një njeri, aq më tepër i besueshëm do të jetë ai.”
Përveç referencave nga njerëzit që e kanë përdorur couch surfing, faqja e internetit ka sistem verifikimi dhe garancie. Verifikimi përfshin dhënien e një dhurimi të vogël për organizatën me anë të kartave të kreditit. Sistemi i sigurisë është në thelb një rreth besimi, ku anëtarët mund të japin garanci për njëri-tjetrin. “Ne nuk japim garanci se couch surfing është 100% i sigurt sepse ne bëjmë këto gjëra, por ne ofrojmë shembujt dhe masat më të mira për t´ju bërë ju që të ndiheni më të sigurt dhe të dekurajojmë njerëzit që përpiqen të abuzojnë më ketë faqe interneti,” thotë McDonald.
Ka ndonjë truk?
Couch surfing është falas dhe përdoruesit nuk janë të detyruar të kompensojnë pritësit e tyre. Krijuesi i këtij site, Casey Fenton e mori idenë e këtij projekti shumë vite më parë, kur bleu një biletë shumë të lirë për në Islandë por nuk kishte ku të rrinte. Ai vendosi t´u shkruante 1500 studentëve islandezë në Rekjavik për t´u kërkuar nëse mund t´i ofronin një vend për të fjetur për disa net. Ai e gjeti një divan, dhe pas kësaj lindi dhe projekti.
Aldo Golja nga Roterdami, me emrin e profilit Aldo, rezulton të jetë zyrtarisht couch surferi i parë. Ai iu bashkua sitit në hapat e tij të parë në vitin 2003, teksa ndiqte studimet në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte nevojë për një vend ku të qëndronte në Filadelfia, ku do të merrte pjesë në një konferencë. Përmes faqes së internetit, ai përfundoi në divanin e Fenton.
Më shumë se “thjesht një divan për të fjetur”
Që nga ajo kohë, Golja ka ndërruar më shumë se 50 divanë. “Kur nisa të përdorja faqen online, ishte kjo ideja e lezetshme për të gjetur një vend falas për të fjetur, për të takuar banorë të asaj zone dhe t´a shikoje qytetin nëpërmjet këndvështrimit të tyre,” thotë Golja.
“Tashmë, me 400 mijë anëtarë, e kuptoni se është më tepër se thjesht një divan falas. Shikoni se përfshihet edhe miqësia në të. Prandaj është më tepër se një vend falas ku mund të qëndroni. Është një rrjet social, dhe jo vetëm online por edhe offline,” thotë ai. (DW)