Ndër lajmet e kronikës së zezë, më të shpeshta janë dhe ato për vjedhje me dhunë të kazinove. Herë ndodh që një apo dy persona të maskuar, hyjnë dhe pistoletë në kokën e banakierit, rrëmbejnë shuma nga arka; e herë të tjera thjesht shqyhet dera. Dhe ndodh gjithashtu, që ndër grabitës të jenë dhe ata që ditë apo orë më parë, të kenë lënë aty miliona. Parë hollë-hollë, kazinotë vetë funksionojnë si një sistem grabitjeje, por siç thuhet rëndom, pak me lezet, duke ta sjellë ëmbël e ëmbël nxjerrjen e parave nga xhepi për t`i futur në atë lloj goje prej së cilës nuk dalin më. Kazinotë nuk janë për të të dhënë para, por për të të marrë: Para dhe erz bashkë!
Kështu që vjedhja e kazinove, edhe pse vjedhje si akt, ka arsye të përfshihet ndër vjedhjet e përligjura, ose thënë ndryshe, me hak. Edhe gënjeshtra është diçka e urryer, por ka raste që është e nevojshme. Edhe vrasja është akt i ulët e mizor, por jo gjithnjë; ka vrasje që janë plotësisht të përligjura, siç ajo e një vrasësi serial. Kështu që nuk ka përse mos ketë dhe vjedhje të përligjura, ku ndër to, të jetë pikërisht ajo e kazinove. Thjesht nga fakti se hajduti vjedh hajdutin!
