Të vraposh (keq) është e rrezikshme për shëndetin

Ornela

Pse vrapon? Për t’u dobësuar? Për t’u ndjerë më mirë, për të sfiduar veten, apo sepse është pa shpenzime dhe e lehtë? Secili nga mijëra të rinjtë shqiptarë ka arsyet e veta. Të vrapuarit i bën të ndjehen mirë, edhe pse vrapojnë keq… shumë keq. Shumë nuk ndjekin një plan të rregullt stërvitjeje, disa nuk bëjnë nxehje para çdo seance dhe as streçing pas vrapimit dhe disa të tjerë nuk ndjekin një plan ushqimor të përshtatshëm.

KUJDES! Kjo nuk do të thotë se vrapimi nuk është i mirë për shëndetin. Por mënyra se si e bëni mund ta dëmtojë seriozisht atë.

Vrapimi është një armë e fortë kundër sedentarizmit, por askush të mos gënjejë veten se trupi nuk pëson dëmtime.

Kjo nuk është arsye që të hidhni atletet, pasi aktiviteti fizik është komponenti më i rëndësishëm i një jete të shëndetshme, por ashtu si për çdo ilaç të fuqishëm duhet të merrni dozën e duhur.

Edhe mjekët e bëjnë të qartë: Vrapimi i bën mirë shëndetit, por gjithmonë nëse praktikohet në mënyrën e duhur.

Vrapimi është një aktivitet “agresiv” për trupin. Në thelb është përplasja e trupit në tokë për një kohë të caktuar duke shpresuar që muskujt të shërbejnë si amortizatorë ndaj goditjeve që e gjithë struktura kockore ka me tokën. Në një ritëm optimal, një vrapues realizon pak a shumë 180 hapa në minutë. Në një orë do të bëjë 10 800 hapa; gjysma e tyre me njërën këmbë. Kjo do të thotë 5400 goditje në çdo gju, thembër, femur, etj..

Në parim, muskujt e tonifikuar dhe të stërvitur mund të absorbojnë goditjen. Por çfarë ndodh nëse muskujt lodhen apo nuk kanë forcën e duhur për të përballuar goditjet…

Perli Rusi, mjek sportiv pranë Spitalit Ushtarak shprehet se “fatkeqësisht në shumicën e rasteve njerëzit thjesht veshin atletet dhe dalin për vrap pa ditur gjendjen e tyre fizike dhe nëse mund të merren me aktivitet fizik. Vrapimi normalisht shkakton trauma, nga më të thjeshtat deri tek më të ndërlikuarat, si kontrakturat, tërheqjet muskulore, subluksacionet apo luksacionet e artikulacinit Talocruris (kavilia).

Përpara se të fillojmë aktivitetin fizik, gjithmonë duhet të bëhen konsultat me mjekun, për të parë nëse trupi ynë është i predispozuar për të mbajtur ngarkesën”.

Dr. Perli Rusi

Rusi shpjegon se “çdo njeri duhet të kryejë disa teste të thjeshta, si pesha, matjet antropometrike (kapaciteti jetësor, shtresa dhjamore, masa muskulore, forca e duarve, postura, pulsi në qetësi, në ngarkesë), EKG, Spirometria. Herë pas here këto kontrolle duhet të ribëhen për të parë ku ishim dhe çfarë kemi arritur me stërvitjen përkatëse”.

“Për fat keq ne drejtohemi tek mjeku në fazat akute të traumës. Në shumicën e rasteve vazhdon mentaliteti “s’ka gjë se do kalojë” dhe vazhdojnë vrapimin dhe kur vijnë tek ne është tepër vonë, sepse trauma është bërë”, vijon ai.

Nëse gjatë praktikës sportive shfaqen simptoma si dhimbje në gjoks, marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje apo dhimbje në kyçe duhet të ndalni dhe të konsultoheni me një mjek për të përjashtuar problemet më të mëdha që vënë në rrezik shëndetin.

“Duhet të mësojmë dëgjojmë trupin. Dhimbja apo shqetësimet janë gjuha ku organizmin ynë komunikon me ne për të na treguar që diçka nuk shkon siç duhet me atë që po bëjmë. Nëse ne vazhdojmë pa ja vënë veshin këtyre kambanave atëherë do përkeqësohet gjendja deri në trauma madhore. Të të mos zërë gjumi nga lodhja apo të kesh çrregullim të ciklit menstrual janë disa nga shenjat që tregojnë se jemi të mbistërvitur”.

Atlet nuk lind, por bëhesh

Në fakt, atlet nuk lind, por bëhesh, prandaj duhen marrë një sërë masash parandaluese para se të vendosni të praktikoni vrapimin.

Vullnet Manushi

Vullnet Manushi ish-atlet, specialist i fitnessit dhe njëherësh fizioterapist thotë se të vrapuarit keq kuptohet me një shikim të thjeshtë. “Disa përplasin shumë këmbët, disa sforcojnë shumë artikulacionet dhe të tjerë duket sikur bëjnë kërcim së larti”.

Ai sqaron se “gjithmonë para se të fillojmë vrapimin duhet të ngrohim muskujt, të rrisim pak temperaturën e trupit dhe duhet bërë pak streçing statik. Kjo mini-seancë është shumë e rëndësishme, pasi parapërgatit organizmin dhe muskujt për të vrapuar sa me lirshëm”.

Manushi këmbëngul se edhe terrenit ku vrapohet duhet t’i kushtohet vëmendje për të shmangur dëmtimet e kaviljes, të ligamenteve, pantelës se gjurit dhe kontraktimit të muskujve. “Duhet të tregoheni të kujdesshëm që të mos vraponi në terren asfalt, por në tokë të butë. Ky lloj terreni ju ndihmon të mos krijoni kontraktime muskulore”, shprehet ai.

Por si duhet vrapuar?

Si çdo sport dhe ushtrim, edhe vrapimi ka një teknikë që duhet ndjekur. “Duhet bërë një koordinim i vendosjes së shputës së këmbës, (majë- thembër), t’i kushtohet vëmendje drejtqëndrimit të bustit, lëvizjes së duarve (të mbahen në pozicion kënd të drejtë) dhe frymëmarrjes (të merret frymë me hundë dhe të nxirret me gojë). Nëse zbatohet teknika dëmtimet minimizohen”, thotë Vullnet Manushi.

Studime të shumta e kanë treguar dhe tashmë është fakt: Vrapimi i moderuar mund të reduktojë rreziqet për sëmundjet e zemrës, tensionin e lartë, diabetin e tipit I, alzhaimer, obezitetit dhe plakjes së parakohshme.

Prandaj për të marrë përfitimet më të mëdha të mundshme nga ky aktivitet fizik, tashmë në modë, mjafton ta praktikoni 3 herë në javë në seanca jo më të gjata se 30 minuta, sipas Manushit.

“Për ulje të peshës trupore rekomandohet gjithmonë që ritmi i vrapimit të jetë i njëtrajtshëm dhe i shtrirë në kohë. Por për të qenë brenda kornizave të një vrapimi të moderuar, duhet që sasia të kombinohet me moshën, gjendjen fizike dhe gjininë”, vijon ai.

Por për Manushin vrapimi nuk është zgjidhja e vetme për të qëndruar në formë. “Për të zëvendësuar këtë adrenalinë, mund të ndiqni aktivitete që nuk përfshijnë muskujt apo artikulacionet që preken nga vrapimi, si biçikleta, kërcimi, shëtitja, e deri te kopshtaria. Nuk ka rëndësi forma, lëvizja është gjithmonë shëndet”, përfundon ai.

Pra, e rëndësishme është të mos ndaloni: Jeta është lëvizje dhe nëse ndalon jeta… mbaron.

E dinit që…

Trupi i sportistëve siç është rasti i atletëve gjeneron neurotransmetues të ngjashëm me opiatet dhe disa derivate të kanabisit. Këto komponime janë përgjegjës për euforinë dhe mirëqenien psikologjike që përjetojnë atletët pas një gare pak a shumë të gjatë. Dopamina, një hormon që çlirohet nga trupi gjatë kënaqësisë seksuale, apo kur dashurohemi është një tjetër komponent që i bashkohet kokteilit hormonal të krijuar gjatë aktiviteti sportiv. Të gjitha këto bëjnë që njerëzit të krijojnë varësi nga vrapimi, varësi që është pagëzuar si “runnorexia”. Edhe pse nuk ka shumë literaturë shkencore lidhur me këtë, disa studime pohojnë se rreth 20 % e vrapuesve kanë krijuar varësi.

o.j/Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *