Redaksional
Mesditën e djeshme, në Pogradec, policia i hodhi prangat një gjykatësi në një nga lokalet e qytetit. Kur lexon relacionin e prokurorisë për këtë arrestim, kupton se fabula për të cilën ai u arrestua, është aq e rëndomtë, aq banale, aq vulgare, aq idiote sa që po ta zëvendësosh(sa për provë) emrin e gjykatësit me një emër tjetër, kupton sikur në fakt ke të bësh me një sekser të rëndomtë që mezi nxjerr fundin e muajit. Këmbëngulte me forcë t’i merrte një hallexheshe 45 mijë lekë.
Por e vërteta është që zotëria është gjykatës në Pogradec dhe dje emri i tij bëri xhiron e të gjitha agjencive mediatike. Nga gjykatës anonim me punë në Pogradec, Dhimitër Pojanaku, u shndërrua në gjykatësin e parë që i hidhen prangat me bujë për korrupsion.
Por ka diçka që nuk shkon në bujën e arrestimit të Pojanakut, diçka shumë serioze, e cila mund të na bëjë të ‘flemë mbi dafina’ kot.
Zyrtarisht Pojanaku është vetëm një i dyshuar për korrupsion, përderisa nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë që e njeh si të korruptuar. Por ama ka katër opsione teorike të cilat mund të shpjegojnë situatën e tij:
1. Ai është një gjykatës gjobëvënës krejt i rëndomtë, ordiner, që grykësia për “thërrime” e shtyu t’i bënte gjëmën vetes. Shteti më në fund funksionoi dhe arrestoi një gjobëvënës ordiner.
2. Ai është një gjykatës krejt i pafajshëm, i futur në kurth dhe arrestimi i tij mund të jetë i stisur nga konjuktura rivale.
3. Ai është një gjykatës gjobëvënës, por këtë dobësi ja kanë shfrytëzuar konjukturat rivale dhe i kanë stisur kurthin.
4. Ai është krejtësisht i pafajshëm dhe gjithçka ka qenë një keqkuptim i madh.
Cilido qoftë opsioni i vërtetë, paraprakisht, me deduksion, ne e kemi të lehtë të arsyetojmë se ky arrestim luan ZERO rol, në kontekstin e problemit të vërtetë që ka sot shoqëria: Korruptimi endemik i sistemit gjyqësor.
Në rastin më të keq, një grup të korruptuarish i kanë ngritur kurth një të korruptuari më të dobët se ata dhe korrupsioni endemik vazhdon i qetë punën.
Në rastin më të mirë, shteti funksionoi por arriti të arrestonte një gjykatës gjobëvënës, ordiner, të vockël dhe të parëndësishëm sa një “mizë”, aq sa ky lajm i bën të ‘turpërohen’ të gjithë gjykatësit e korruptuar, por milionerë. Sistemi dhe korrupsioni endemik sërish vazhdon i qetë punën.
Por bën çudi fakti se fill pasi prokuroria njoftoi lajmin për arrestimin e Pojanakut, një postë e rrufeshme mbërriti në email-et e gazetarëve. Këshilli i Lartë i Drejtësisë inkurajonte dhe mbështeste me të gjithë forcën e vetë prokurorinë në hetimin e këtij rasti. Ishte aq pompoze dhe eksplicite kjo deklaratë e KLD-së, sa që e kishe të vështirë të kuptoje nëse ishte arrestuar Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, apo Pojanaku i Pogradecit për 45 mijë lekë.
Pikërisht në këtë reagim të KLD-së ekziston dhe problemi më kryesor i sistemit në tërësi. Sot, ky institucion i ka dosjet me ankesa pirg. Jo ankesa me letra anonime si njëherë e një kohë, por dosje të kopsitura, për shkelje të gjykatësve që fillojnë nga falsifikimi i certifikatave të lindjes dhe të shkollimit të tyre, e vazhdojnë dhe deri tek grabitja e pronave duke sajuar dhe vërtetime gjyqësore me firma të vdekurish.
Ky reagim pompoz dhe gjithë bujë i KLD-së për “Pojanak mavrinë” vjen në një kohë kur, botërisht, publikisht, në media, është botuar letra që Kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës i kishte dërguar KLD-së për anëtarin e saj, Gjin Gjonin dhe e përmend këtë të fundit për një sërë implikimesh të rënda kriminale gjatë ushtrimit të detyrës. Ama për këtë rast KLD-ja nuk ka pipëtirë një fjalë të vetme.
Por a e dini se Gjin Gjoni nuk është thjesht anëtar i KLD-së? Ai është edhe pakëz më shumë se aq. KLD-ja, nën kujdesin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe zëvendësit të tij Elvis Cefa, e ka caktuar Gjin Gjonin si një ndër tre gjyqtarët pjesë përbërëse e Komisionit të Pikëzimit.
Kjo do të thotë se Gjin Gjoni, tashmë është caktuar për të “korrigjuar provimet” e gjykatësve të tjerë dhe për të caktuar se kush duhet të transferohet më lart e kush duhet të mbetet aty ku është. Pra jemi në situatën kur “ujkun e kanë bërë Bari” dhe po festohet vrasja e një “mize” me varre’ e gjithë bujë.
Kjo bujë duhet të na frikësojë të gjithëve, pasi është bujë e rreme, është buja që i jep oksigjen gjithë ujqërve të kupolës së gjyqësorit, në të gjithë vendin.
Nëse doni ta kuptoni arrestimin e djeshëm në këndvështrimin e gjykatësit Gjin Gjoni, po ua thjeshtojmë formulën akoma dhe më shumë. Gjin Gjoni është i njohur mes rrethit të vet si i fiksuar pas markës “Cartier”. Kravatat, kostumet, kamishat, orën, syzet, cigaret, çakmakun, portofolin, brekët, çorapet, i mban të gjitha “Cartier”.
Kolegët e vet, në tryeza të ngushta e komentojnë dhe ironizojnë duke u shprehur: “Vetëm makinën nuk e ka “Cartier”, sepse ende nuk është prodhuar një e tillë”.
Mos u habisni sikur ai dje, në momentin kur ka dëgjuar për arrestimin e Pojanakut të ketë menduar: “Po ky idiot, për 45 mijë lekë e bëri veten. Mua aq më bëjnë vetëm 3 palë brekë”.
* * *
Korrupsion me 45 mijë lekë, pranga gjyqtarit të Pogradecit
Korrupsioni për të mbyllur një çështje gjyqësore kundrejt 45 mijë lekëve, i ka kushtuar arrestimin në kushtet e flagrancës gjyqtarit Dhimitër Pojanaku. Prokuroria e Korçës pas denoncimit të një qytetareje që dëmtohej nga ky proces civil, ka nisur hetimet në bashkëpunim me policinë vendore, duke vënë nën përgjim 58-vjeçarin që njihet edhe si poet dhe fitues i çmimeve ndërkombëtare për poezi. Derisa ditën e djeshme është prerë fletë-arresti edhe me leje të gjykatës, duke e prangosur gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Pogradec, për veprën penale të “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Burime policore thanë se ndaj gjyqtarit kishte pasur edhe më parë ankesa për proceset gjyqësore dhe vendimet që merrte, por së fundmi me denoncimin e gruas me inicialet Behare R., është vendosur që 58-vjeçari të arrestohet sapo të merrte ryshfetin e premtuar nga pala tjetër. Tregtarja denoncuese është marrë në cilësinë e dëshmitares, ndërsa si prova janë filmimet dhe regjistrimet me zë dhe figurë të gjyqtarit që kërkonte ryshfetin për mbylljen e çështjes.
ME POSHTE ESHTE MATERIAL ME I PLOTE
PROKURORIA KORÇË
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, mbi bazën e materialit kallzues të referuar nga Policia Gjyqësore pranë kësaj prokurorie, ka regjistruar procedimin penal të vitit 2014, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal, në ngarkim të shtetasit Dhimitër Pojanaku, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Nga materialet në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se: Në datë 09.04.2014, është paraqitur në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë shtetasia Behare R., e cila ka sqaruar se ajo ka rreth 5 (pesë) vjet që po bën gjyqe të ndryshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe në Gjykatën e Apelit Korçë, në lidhje me një shumë parash që ajo ka marrë me fajde nga dy shtetas. Gjyqet e saj kanë të bëjnë me ankimet ndaj vendimeve të pushimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe në lidhje me paditë civile të ngritura nga pala kundërshtare në proces.
Së fundmi në Gjykatën e Shkallës së Parë Pogradec, kjo shtetase ka pasur një proces gjyqësor civil me shtetasit e mësipërm dhe çështjen e ka pasur në gjykim gjyqtari Dhimitër Pojanaku. Kallzuesia në këtë gjykim ka pasur si përfaqësuese ligjore shtetasen K.SH. Pasi janë bërë një sërë seancash gjyqësore (mbi shtatë seanca gjyqësore), gjyqtari Dhimitër Pojanaku i ka thënë avokates së kallëzueses se për ta ndihmuar Beharen ai do të “dorëhiqej” nga çështja në fjalë, pasi po ta vazhdonte ai, kallëzuesja do ta humbte gjyqin. Për të kryer dorëheqjen Gjyqtari i ka thënë avokates se për të hequr dorë nga çështja ai kërkonte 45 000 (dyzetë e pesë mijë) lekë. Kallëzuesia i ka thënë avokates se ishte dakord me këtë fakt, pasi ajo donte që çështja të mos gjykohej nga gjyqtari Dhimitër Pojanaku, por në atë kohë ajo nuk i ka dhënë shumën e lekëve (sipas dokumenteve të paraqitura nga kallëzuesja këto fakte kanë ndodhur në muajin shkurt të vitit 2014).
Pasi Gjyqtari ka paraqitur kërkesë për heqje dorë (apo është përjashtuar nga gjykimi i çështjes), çështja është marrë nga një gjyqtare tjetër dhe kjo e fundit e ka pezulluar gjykimin pasi është administruar një shkresë nga Gjykata e Lartë që bënte fjalë për një proces tjetër gjyqësor që kishte lidhje me çështjen objekt gjykimi.
Kallëzuesja ka dashur që të hapë një proces të ri gjyqësor, por nga ana e avokates i është thënë se ajo (kallëzuesja) duhej ti jepte shumën prej 45 000 (dyzetë e pesë mijë) lekësh gjyqtarit Dhimitër Pojanaku, pasi ky i fundit i kishte thënë avokates se nuk ju lejoj të hapet gjyqi i ri pa marrë shumën e lekëve të mësipërme.
Kallëzuesia sqaron gjithashtu se para disa kohësh Gjyqtari Dhimitër Pojanaku, kishte kaluar nga vendi ku ajo punon (treg) dhe i kishte thënë kallëzueses: “Të mbarova punë, silli lekët”, ndërsa ajo i është përgjigjur “Mirë, mirë”. Në lidhje më faktet e mësipërme kallëzuesja ka dorëzuar edhe një sërë dokumentash që bëjnë fjalë për sa më sipër.
Duke ju referuar rrethanave të mësipërme, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se nga ana e shtetasit Dhimitër Pojanaku (Gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec), është duke u konsumuar vepra penale e “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal
Pas këtyre fakteve shtetasia kallëzuese, përveç kallëzimit, ka shfaqur vullnetin që të bashkëpunonte me organet e drejtësisë në lidhje me këtë fakt, dhe në lidhje me këtë fakt është përpiluar edhe akt marrëveshja përkatëse, ku ajo shfaq vullnetin për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë.
Në datë 10.04.2014, bazuar në marrëveshjen me kallëzuesen, është autorizuar kryerja e veprimeve me metoda speciale hetimi. Bazuar në këtë autorizim, rezulton se në datë 10.04.2014, avokatja i ka kërkuar kallëzueses që t’i jepte paratë e kërkuara nga gjyqtari, pasi ky i fundit i kishte telefonuar disa herë avokates, duke i kërkuar shumën. Avokatia i ka thënë kallëzuese që të shkonte ta takonte Gjyqtarin në fundjavë (ditën e dielë), për t’i dhënë shumën e lekëve. Kallëzuesja nga ana e saj i ka thënë se ajo nuk e kishte të gjithë shumën e kërkuar, por një pjesë të saj.
Duke qenë para fakteve të mësipërme, bazuar edhe në marrëveshjen e datës 13.04.2014, midis Of.Pol.Gjyqësore dhe shtetases kallëzuese, është autorizuar veprimi i dhënies së një pjese prej sasisë së lekëve që ai kishte kërkuar më parë. Po në datë 13.04.2014, nga ana e shtetases kallëzuese i është dhënë shuma prej 20 000 lekësh shtetasit Dhimitër Pojanaku, i dokumentuar ky fakt me regjistrim viziv dhe me zë. Gjithashtu gjatë bisedës që kjo shtetase ka bërë me shtetasin Dhimitër Pojanaku në datë 13.04.2014, kanë rënë dakort që pjesën tjetër prej 25 000 lekësh t’ia jepte shtetasit Dhimitër Pojanaku pas 2-3 ditësh. Bazuar në marrëveshjen e me Of.Pol.Gjyqësore. Sot në datë 15.04.2014, është autorizuar dhënia e shumës prej 25 000 lekësh gjyqtarit Dhimitër Pojanaku.

i arrestuar dje

* * *
Ina Rama: Nevojitet ndërhyrje serioze në sistem
Prononcimi i shkurtër Ish-Kryeprokurores për DITA mbrëmjen e djeshme pas njoftimeve për arrestimin e gjykatësit në Pogradec. Pse Ina Rama mendon se ndërhyrja duhet jetë sistemime dhe e fortë, por duhet të vijë vetëm pas hartimit të një strategjie të mirëmenduar. Pse sistemi aktual i promovon anti-vlerat….
Ju jeni ish-Kryeprokurorja e Shqipërisë. Për shkak të këtij funksioni të lartë që keni mbajtur, me siguri që keni parë nga shumë afër dhe në detaje, mënyrën se si funksionon “makineria” e sistemit të drejtësisë në tërësi. Në pikën ku kemi arritur, mendoni se është bërë akute nevoja për të ndërhyrë radikalisht në këtë sistem? A është ndërhyrja radikale e vetmja zgjidhje çliruese në këto rrethana?
Është e saktë që për shkak të funksionit që kam ushtruar, kam një panoramë pothuajse të plotë të mënyrës se si funksionon sistemi i drejtësisë sot në vend dhe ndaj të njëjtin qëndrim e shqetësim të bërë prezent nga shumë faktorë politikë, socialë e mediatik , të brendshëm e të jashtëm, se sistemi i drejtësisë po kalon sot një periudhë vërtet të vështirë , të mbushur me probleme e me krizë besimi. Përgjithësisht jam mbrojtëse e idesë se përgjegjësia është individuale e nuk mund të ndëshkosh një sistem të tërë për të ndëshkuar individët që meritojnë të ndëshkohen, por problematikat në sistem sot shtrihen pothuaj në të gjithë segmentet e tij, për pasojë ai i gjithi shihet si problematik e që duhet të ndryshohet. Mendoj që për shkak të problematikave që paraqet sot sistemi i drejtësisë, nevojitet vërtetë një ndërhyrje serioze në të. Por para se kjo të ndodhte, gjykoj që kërkohet një analizë e thellë e të gjithë faktorëve që kanë prodhuar këtë situatë, analizë e cila duhet të kryhet nga faktorët politikë në bashkëpunim me të gjitha grupet e interesit të cilët më pas duhet të përpunojnë një strategji në të cilën të përcaktohen objektivat që kërkohen të arrihen dhe rrugët për t’i arritur ato.
Sipas jush cilat duhet të ishin parimet dhe pikat bazike më kryesoret ku duhet të fokusohet kjo ndërhyrje?
Reforma mund të prekë disa aspekte që lidhen me funksionimin e sistemit. Unë do të preferoja së pari ndryshimet kushtetuese që duhet të pasqyrojnë pozicionimin kushtetues të institucioneve të drejtësisë në raport me nevojat për të pasur një sistem që funksionon mirë në ruajtje gjithnjë të parimit të ndarjes e balancës së pushteteve. Nevojitet një sistem që realisht të promovojë vlerat e të vetë-ndëshkojë antivlerat brenda tij, prandaj duhet menduar për gjetjen e instrumenteve ligjorë që e mundësojnë këtë proces. Krahas kësaj besoj fort se ndëshkueshmëria penale për ata gjyqtarë e prokurorë që kanë shkelur ligjin, është një mjet që do vendoste disi “drejtësi” brenda sistemit të drejtësisë.

Une ,e njoh, Dhimiter Pojanakun,Poetin e madh Pogradecar.Ai, eshte shume krenar, per veten e tij dhe une, jam I bindur, qe ai, nuk e ul veten, deri ne ate shkalle ,sa te kerkoje para.Diku tjeter fle lepuri.Dhimeter Pojanaku, eshte bir I Pogradecit ,ashtu si jane Lasgushi apo Mitrushi ! Mafia ka perfituar nga ndershmeria e Dhimiter Pojanakut,E drejta do te dale shpejt.Jemi ne mbeshtetjen tuaj Mitri.Te fala Pogradeci !