“Teatri i Rrugës” mbledh në sheshe të rinjtë e pesë qyteteve

Pranvera Kola

 

Të ndash në shesh shqetësimet e qytetit tënd. Nëpërmjet kësaj motoje, të rinjtë nga pesë qytete të vendit, Berat, Kuçovë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, kanë performuar në qendrat e qyteteve të tyre, duke sjellë më pranë komuniteteve ku jetojnë një formë arti, sa të vjetër, po aq edhe moderne.

Në etydet e përgatitura nga të rinjtë trajtohen problematikat më të shpeshta që shqetësojnë gjatë përditshmërisë komunitetet lokale. Konkretisht, bëhet fjalë për shqetësime të tilla, si: ndikimet që sjellin në komunitetet vendimmarrjet e pakonsultuara të pushtetit vendor, shitblerja e votës, korrupsioni, mungesa e ambienteve shplodhëse dhe argëtuese, mungesa e ujit, gjelbërimit, si dhe shumë tema të tjera të kësaj natyre.

Shqetësime të cilat janë prezente pothuajse në të gjitha qytetet e vendit. Qëllimi i “Teatrit të Rrugës është që qytetarët jo vetëm të argëtohen, por edhe të ndërgjegjësohen për t’u bërë më aktiv në komunitetin ku jetojnë, për t’u përfshirë në vendimmarrjen lokale, për të ngritur sistemin e kërkimit të llogarisë ndaj të zgjedhurve vendorë dhe për t’u kthyer në aktorë aktiv në luftën për parandalimin dhe luftimin e sjelljeve abuzuese dhe korruptive nga të zgjedhurit vendorë.

Organizimi i “Teatrit të Rrugës” nëpër Shqipëri ndër të tjera synon të sjellë ndryshimin nëpërmjet nxitjes së pjesëmarrjes së komunitetit në vendimmarrje dhe forcimit të rritjes së nivelit të demokracisë vendore nëpërmjet artit, si një mjet tërheqës për komunitetin, e veçanërisht në përfshirjen e të rinjve.  Organizata Asistencë për Komunitetin Shqipëri – ACA dhe Shoqata e Artistëve të Rinj të Skenës “ShARS”, me mbështetjen e “Lëviz Albania”, kanë sjellë për herë të parë gjatë këtij viti nëpër rrugët e qyteteve të Shqipërisë “Teatrin e Rrugës . Organizimi i këtyre performancave nga të rinjtë është mundësuar edhe falë mbështetjes që kanë dhënë bashkitë përkatëse të qyteteve që u bënë pjesë e këtij projekti.

 

p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *